Gjurmë që (nuk) heshten të Nikollë Berishajt

Mora me droje të rilexoj për të dytën herë, studimet, refleksionet dhe esetë e përmbledhura në një libër të autorit Nikollë Berishaj, të punuara me kompetencën e një njeriut i cili i kushton shumë rëndësi shfaqjeve, ku rolin kryesor e zë dija

Robert Camaj

Më ka rastis të lexoj se si të tjerët i shohin shqiptarët, autorë të huaj dhe vendas, por kurrë nuk jam bindur se ia kanë arritur qëllimit, sepse sikur do ia kishin arritur, edhe do ta kisha ndjerë. Ashtu siç ndjen çdonjëri nga ne lëkurën e vet, pa patur nevojë që ta imagjinojmë se si jemi brenda saj, duke mos patur arsye ta idealizojmë as nënvlerësojmë veten, por ashtu siç jemi. Ashtu siç jemi pa patur shumë nevojë që të thirremi në histori, as biografi, duke mos e ndjerë të domosdoshme të reflektojmë mbi antropologjinë tonë, etninë, raportet mes nesh dhe të tjerëve, duke lërë menjanë përkatësinë tonë dhe profesionin, dhe çdo fiber tjetër identitare që ka njeriu, sepse autori me mjeshtëri shtresëzon me shumë ngjyra estetikisht të perfeksionuara atë se çka jemi në të vërtetë. Duhet shumë kujdes që të gjurmosh në thellinat në të cilat na fut Nikolla, më shumë nëse e rilexojmë librin, duke na tregur se çka nënkupton të jesh njëri i cili dëshiron që të mos heshtët mbi të vërtetën. Na kanë munguar paraqitjet në nivel intelektual dhe njerëzor të tokës plot plasaritje dhe shënja, që i ka berë koha këtyre trevave të trazuara e kurrë të lëna në rehatinë e tyre, duke i ndjedhur të tjerët pa i provokuar ata. Mirë do të ishte sikur nga autori të kërkonim më shumë llogari dhe sqarime, ta nxisnim që të thellohej më shumë dhe të na kyçte më tepër, që asisoji ti bënim nderë vetës, të dimë më shumë se kush jemi. Ne kemi nevojë për permendore të këtilla, të cilat frymëzojnë edhe të frymëzuarit, që përçuan pa e kuptuar etnosin në frymë dhe shpirt, saqë vetëm disa dromca të vëna re nxitën Patër Anton Harapin dhe Patër Gjergj Fishtën të mahnisin përmes veprës së shkruar, veprën e mbajtur mendë të malësorve të zakonshëm e të ditur. Një trieshjan i shkolluar mirë si Atë Athanas Gegaj, që është i analizuar nga autori, arrin të shkruajë njërën ndër historitë më të mira për Skënderbeun, duke u shndërruar në referencë, dhe ndoshta studiuesin më të mirë deri atëherë e dekada mbas tij të kësaj figure kombëtare, që është shtylla kryesore e të qenit shqiptar. Autori shqetësohet këtu në Malësi, ashtu siç shqetësohen mendjet e ndritura në Tiranë e qarqe akademike, se sa pas dore i lëmë figurat tona kombëtare. Mirashi, Martini e Nikollë Ivanaj personalitete të mirëformuara kombëtarisht, sikur do të shiheshin nga ne me më shumë kujdes, do na ndihmonin edhe ne sot se si mund të ruheshim nga tretja, eventualisht se si mund të rezistojmë nga joshja e asimilimit, por duke ditur që të arrish kontaktin me të tjerët pa humbur fijet me identitetin tënd, cilado qoftë ajo palcë e cila na ruan me vetveten. Shqetësimet e autorit ndaj elementëve që do duhej të ishin shqetësim tek të gjithë neve, janë një vërejtje e cila për shumicën kalon si e pa dukshme dhe e parëndësishme, sepse nuk jemi mësuar të jemi të vetëdijësuar, prandaj nuk na bejnë përshtypje plan-programet mësimore, fryma dhe rrezatimi identitar që ato duhet të drejtojnë. Nuk e di nëse është rastësi, por menjëherë pas shqetësimit të autorit për plan-proramet shkollore, kemi një artikull mbi arbreshët, të cilët arritën ta ruajnë gjuhën dhe identitetin, por duke u zbehur me kohën, siç bjerrët çdo totem para reflekorëve që çmitizojnë dhe zbehin kultin e nostalgjisë, duke e zevendësuar atë me realitetin bondan e konformist të gjetjes së rehatisë në lëkurën e tjetrit. Autori me qasjen e tij, me rënditjen që bën, provokon thellë e fort, duke e bartur dhe ngritur gjuhën si element identitar, si të vetmin element të fortë identitar ndoshta tonin, e cila po u bjerrë ne të parët fundosemi, prandaj disi kur shkruan për elbasanishtën, më dukët se do të na amëltojë, jo vetëm gjuhën por edhe identitetin tonë të përbashkët dhe unik kombëtar. Dhe sa e ëmbel, sa e bukur dhe sa e dlirë është shqipja jonë, mund të vuloset me mjeshtrinë e përkthimit. Kësisoji, autori nuk lë pa cekur korrespondencën që ky ben përmes gjuhës shqipe me gjuhët e rajonit, në veçanti të sllovenishtës, duke u dhënë atyre në dispozicin elementë të prekshëm dhe të shijshëm nga gjuha jonë, por edhe duke e dëshmuar se sa e pasur është gjuha jonë e cila përpin pa vështirësi vepra të përkthyra nga gjuhët tjera. Nuk e di se pse, por autori i apasionuar ndaj sllovenishtës dhe Lubjanës, më bën pak gjeloz, do doja të ishte i tëri i joni, në fakt më duket se ne Nikollën e ndajmë me Slloveninë. Do doja që të ishte i brumosur i tëri këtu në Malësi, por siç ndodhë shpesh, vetëm kontakti me Perëndimin arrin të vë në pah cilësitë e njeriut. Perëndimi ka ligjet më të mira, institucionet më të forta, nëse doni edhe teknologjinë dhe mundësitë në nivelin që njeriut i mundëson që të shpreh brendësinë e vet. Perëndimi ka çelësin se si bëhet njeriu i lirë dhe me identitet. Në paradhomën e Perëndimit, u formua Nikolla, që nuk heziton të na ballafaqojë me vetvete, duke na mësuar se nëse dëshirojmë të njohim vetveten, nganjëherë nuk duhet të hezitojmë tu referohemi edhe të tjerëve, sepse nuk na mjafton vetja. Ajo që nuk na bashkon thelbësisht apo në bërthamë nga të tjerët kushdo qofshin ata, cilëndo gjuhë apo etni e fe kanë, e shumë shtresa të tjera dalluese, është se të gjithë në rallë të parë jemi njerëz.
Si vështrim që duhet të rilexohet, derisa të kuptohet nga të gjithë, është gjithsesi veshtrimi që bë në artikullin “Kryengritja e Malësisë në epikën e Krajl Nikollës”. Nëse e përsërisim së lexuari këtë artikull deri sa ta marrim vesh se Mali i Zi ka gjetur në mesin tonë disa plasaritje në të cilat nuk heziton të vendosë dhe rrahë pyjka. Çështje si imponimi i identitetit malësor, si identitet të ndarë nga ai kombëtar shqiptar, pastaj lëvizjet që ushtrohen rëndom mbi ne, duke trazuar raportet tona fetare, dhe më pas imponimin e figurave udhëheqëse të cilat realisht nuk mbështetën në frymën autentike të popullit, si ajo e Sokol Bacit e cila dëshirohet të imponohet, natyrisht në kohëra të ndryshme me emër dhe qëllime të tjera. Gjithësesi këto dukuri të shfaqura dhe bëra traditë, tani më mund t’i ndërpriste vetëm forca e një intelektualit si ajo e Gjergj Gjokajt, i cili siç e paraqet autori këtë kolos përparimtar jo vetëm se i vë re por edhe i lufton ato. Jeta e pasur e Gjergj Gjokajt dhe mendja e ndritur e tij, admirueshëm dhe me pietet ndjeket dhe paraqitet nga vet autori Berishaj, duke treguar pa xhelozi për të gjitha ato, dhe duke na i ilustruar me fjalët e mjeshtrit, portretin e intelektualit i cili jetoi jetën të përmbushur me plot sfida.
Mua në vite më është krijuar një përshtypje se z. Nikollë Berishaj, ka disa ekskluzivitete, si ajo ndaj Patër Anton Harapit, Gjergj Gjokajt, Tomë Berishës, organizimit të simpoziumeve shkencore për Kryengritjen e Malësisë, lartësimin e veprës së malësorve siç ishte Besëlidhja, Heshtja e armëve, organizimin e aktiviteteve elitare me karakter kulturor, historik etj. perkthimeve, në botën e publicistikës, e anën e drejtë që e merr çdoherë duke qenë shumë i vetdijshëm edhe politikisht dhe i arritur, pa modesti mund të themi edhe intelektualisht, provokues dhe nxitës i pashoq. Nikolla nuk lë shumë hapësirë për imagjinatë, më tepër të tërheqë zvarrë në thellësi. Kush dëshiron të futet mos të presë shumë udhërrefyes, as mundësi për interpretim.
Jo rastësisht autori na zbulon autorë të tjerë të mohuar, paragjykuar, momente dhe epizode nga të cilat mund të mësojmë shumë dhe ta ndërlidhim me realitetin tonë, sado larg që janë ata dhe sado i neveritshëm është realiteti ynë, sepse z. Berishaj nuk i lë skeletët në dollap, ashtu siç beri edhe Boris Pahor, i cili ka kthyer vemendjen e autorit në një vështrim të tij, ku secili mund të gjejë arsyet e veta për të shtuar diçka.
Në këtë libër, autori përmes artikujve për autorë dhe piktorë të ndryshëm, mënyra se si i paraqet të bën që të mos i lësh pa i lexuar, nëse janë permendur nga ai, do të thotë qartë se janë zgjedhur me arsye. Kështu bën me Stefan Çapalikun e Shkodres tonë të dashur, Fran Camajn që nuk i ndahet Malësisë dhe udhëtimit të saj, pastaj Ballsha Bërkoviqin, i cili ballafaqon shoqërinë malazez, duke kaluar në pikturën e Qazim Mujës, ngjyrat e Ulqinit e të cilat muzgun e kanë edhe në dashurinë tonë për qytetin, ku ne mbështetemi fort në muret e kalasë së tij.
Në katër artikujt e fundit gjejmë autorin. Tani më nuk i referohet dikujt, por vetes, duke treguar për veprimtarinë dhjetëvjeçare të tij, që ai e quan “veprimtaria jonë”. Autorin e kemi multidisiplinar dhe ndanë me të tjerët përjetime këto të vyeshme, dhe që mund të behët doracak leksionesh për të gjithë që futën në tunelin e veprimtarive.
Dhe siç duket, ky dhjetëvjeçar i mundimshëm doli i frytshëm duke ia imponuar Nikollës atë që rrinte heshtur në vendin e tij, vetëdijën kombëtare, koncept ky jo shumë i panjohur. Të tjerët shpesh të reflektojnë imazhin e drejtë tëndin. Kush ka sy, le të shoh.
Si autor i Raportit mbi pozitën e shqiptarëve në(n) Mal të Zi, e verifikuar nga nënshkrimi i zërit intelektual nga trevat shqiptare në këtë vend, jep bazën e mirë për nevojat kurrë të përmbushura, e që ndoshta për herë të parë paraqiten ashtu qartazi nga një autor vendas deri atëherë. Ky raport do të shërbejë padyshim për gjeneratat e ardhshme, të cilat do t’u vendosin data e autorë ngjarjëve. Duke e përmbyllur këtë libër, autori me bezdisjen që shqiptarët i bejnë Malit të Zi, me pyetjet që ngrejnë herë pas here,e që kanë të bejnë me çështjet identitare apo siç i quan autori “guralecë në këpucët e Malit të Zi”, të benë të reflektosh se sa rëndësi mund të ketë njeriu për kohën e vet, dhe se një jetë mjafton për të gjithë.

Të fundit

më të lexuarat