
(vijon nga numri i kaluar)
Maluf u largua nga Libani në fillimin e luftës civile të vitit 1975.
“Është pothuajse sikur të gjithë kemi pësuar një tërmet të fuqishëm mendor, epiqendra e të cilit shtrihet diku afër vendit ku unë linda,” reflekton ai. “Dhe është pikërisht sepse kam lindur dhe jam rritur në këtë ‘vijë të thyerjes’ që po përpiqem të kuptoj se si ndodhi tërmeti dhe pse pas goditjet janë përhapur në mbarë botën, me pasoja katastrofike tashmë të njohura për të gjithë ne”.
Kështu, tema e mërgimit përbën boshtin e novelës Shkëmbi i Taniosit (Le rocher de Tanios) të vitit 1993. U shpërblye me çmimin më prestigjioz letrar francez Goncourt, që jepet për prozën më të mirë dhe më me imagjinatë të vitit.
Ngjarja ndodh në malin përrallor libanez, vendlindjen e Malufit, në rrafshin e urrejtjeve shekullore mes komuniteteve fetare. Duke kombinuar historinë me legjenda, ky roman i vërtetë i mërgimit e çon lexuesin në rrugëtim magjik nëpër Levant, që për Malufin është një vend ku kulturat e vjetra mesdhetare të Lindjes takohen me kulturat e reja të Perëndimit.
Novela ku spikat stili magjeps i Malufit, duke krijuar prozë poetike, të përkujton në stilin e veçantë të Selimoviqit të veprave Dervishi dhe vdekja dhe Kështjella.
Shkëmbi i Taniosit pasqyron historikun e imagjinuar të familjes së Malufit, të origjinës së tij. Vend të rëndësishëm në novelë zë Mehmet Ali Pasha, themeluesi i Egjiptit bashkëkohor, me prejardhje shqiptare.
Temës së origjinës autori i kthehet në vitin 2004 me esenë Origjina (Origines), për të cilën fitoi çmimin letrar francez Prix Méditerranée.
Malufi aty shprehet: “Ndonjë tjetër do të kishte folur për ‘rrënjët’… Por nuk bën pjesë në fjalorin tim. Fjala ‘rrënjë’ nuk më pëlqen, e aq më pak imazhi që evokon. Rrënjët ngulen në tokë, përzihen me baltën dhe zhvillohen në errësirë. E mbajnë pemën të burgosur qysh kur lind dhe e ushqejnë me një kërcënim ‘Nëse lirohesh, vdes’. Pemëve u duhet të dorëzohen, kanë nevojë për rrënjët, njerëzit jo. Ne marrim frymë në dritë, synojmë të kapim qiellin dhe kur futemi në dhe, e bëjmë këtë për t’u kalbur”.
Rrafshi tematik lidhur me origjinën dhe identitetin i trajtuar në esenë e vitit 1998 Identitetet vrastare (Les identités meurtrières) e bëri Malufin të njohur në përmasa botërore. Ky është një nga tre librat e Malufit të përkthyer në gjuhën shqipe dhe së shpejti do të jetë pjesë e ofertës së Librarisë “Ulqini”.
Kush mund të parashihte asokohe kthimin e çështjes së identitetit në epiqendër të debateve të kohës së sotme. Nuk kemi shembull më të mirë sesa Malin e Zi apo rajonin e sotëm. Në periudhën e avancimit të jashtëzakonshëm të mundësive për dijeni dhe përvoja të reja, jemi dëshmitarë që post-modernizmi ka sjellë ngritjen e mureve të moskuptimit në kohën e qarkullimit më të lirshëm të informacionit në histori të njerëzimit.
Në Identitetet vrastare Malufi shkruan:
“Identiteti i çdo personi përcaktohet nga një bashkësi elementesh që patjetër nuk kufizohen vetëm në ato që përcaktohen në regjistrat zyrtarë. Sigurisht, pjesa më e madhe e njerëzve i përkasin një tradite fetare, një kombësie, nganjëherë edhe dy kombësive; një grupi etnik apo gjuhësor; një familjeje pak a shumë të madhe; një profesioni; një institucioni apo një grupi social…
Por lista është shumë më e gjatë akoma, virtualisht e pakufizuar.
Të gjitha këto përkatësi patjetër që nuk kanë të njëjtën rëndësi, gjithsesi jo në të njëjtën kohë. Por asnjëra nga ato nuk është plotësisht pa domethënie. Ato janë elemente përbërëse të një personaliteti, mund t’i quajmë afërsisht ‘gjenet e shpirtit’, me kusht që të saktësohet se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë bashkëlindur me njeriun.
Nëse secili nga këto elemente mund të ndodhet te një numër i madh individësh, asnjëherë nuk do të gjejmë të njëjtin kombinim te dy individë të ndryshëm, dhe pikërisht kjo përbën pasurinë e secilit, vlerën e vërtetë, kjo bën që çdo qenie të jetë e veçantë dhe fuqimisht e pazëvendësueshme”.
Malufi shqyrton aspekte të ndryshme të shtyllave të identitetit: kombin, besimin, racën, gjuhën, duke ndjekur rrjedhën e tyre nëpër histori, duke ilustruar ndikimet e tyre të këqija dhe në fund të librit bën shkrirje të mendimeve të tij në një vizion të fuqishëm, human dhe optimist, të mbështetur në një besim të fortë te dinjiteti njerëzor.
Ai përpiqet të shpjegojë se si bota myslimane, që ka qenë në kulmin e tolerancës prej shekujsh (kujtojmë Periudhën e Arte të Islamit në Spanjë), e gjeti veten në bisht, duke u zhytur në fundamentalizëm, ndërsa Krishterimi, që ka qenë jo-tolerant prej shekujsh, është shndërruar në një fe të hapur – pra, pse dhe si Perëndimi ka arritur tʼi ndërtojë shoqëritë demokratike që sot janë model për të gjithë botën.
Shkrimtari lufton kundër qëndrimit të përhapur që e sheh Islamin si burimin e të gjitha të këqijave që po ndodhin në vendet myslimane. Duke mos dashur ta ndajë religjionin nga fati i ithtarëve të tij, ai thekson se ndikimi i religjionit mbi kombet shpeshherë ekzagjerohet dhe ndikimi i kombeve në religjionet shpërfillet, gjë që është e vërtetë për të gjitha doktrinat (komunizëm, stalinizëm etj.).
“Kam respektin më të thellë për njerëzit që sillen në mënyrë bujare për shkak të religjionit. Por unë vij nga një vend ku keqpërdorimi i religjionit ka pasur pasoja katastrofike. Njeriu duhet t’i gjykojë njerëzit jo nga besimi që ata përhapin, por nga ajo si veprojnë”, – shprehet Malufi.
Për ata që dëshirojnë të hyjnë edhe më thellë në këtë temë, libri i studiueses së religjioneve krahasuese, Karen Armstrong, Beteja për Zotin (The Battle for God: A History of Fundamentalism) është referencë e domosdoshme.
Analizat delikate të Malufit thyejnë shumë paragjykime në raportin e Lindjes me Perëndimin: ai dëshmon se disa flasin me retorikën e dhunës, por në thelb janë të pafuqishëm dhe të tjerë theksojnë virtytet e tyre demokratike, ndërsa në prapaskenë zbatojnë strategji të dhunshme. Ai është i sigurt për një gjë: se nuk ka rrugë të tretë.
”Ose do të jemi në gjendje të ndërtojmë një qytetërim të përbashkët në këtë shekull me të cilin të gjithë do të mund të identifikohen (…), ose do të fundosemi së bashku në një barbarizëm të përbashkët.”
Imazhi shqetësues i kohës sonë, sipas Malufit, përveç indiferencës së përgjithshme të botës dhe mërzisë fatale të mendjes kritike, mund të ndriçohet vetëm nëse nuk i mbyllim sytë ndaj realitetit.
Maluf beson se bashkëveprimi i elementit fetar dhe kombëtar ushqen fanatizmin dhe luftërat, është i bindur se nuk mjafton ndarja e religjionit nga shteti, por se religjioni (besimi) duhet të ndahet nga identiteti dhe nevoja për ushqim shpirtëror të ndahet nga nevoja për përkatësi.
Maluf i kushton shumë rëndësi gjuhës, si shtyllë të identitetit kulturor. Ai beson që secili prej nesh mund të ketë vetëm një besim, por mund të flasë shumë gjuhë. Sot Maluf, në rolin e presidentit të Komisionit për Gjuhët pranë Këshillit të Evropës, promovon mësimin e tri gjuhëve: amtare, angleze si gjuhë kryesore e mondializimit dhe gjuhës që na e don zemra. Në Identitetet vrastare, mes tjerash, ai e trajton çështjen e ruajtjes së gjuhës islandeze krahas ndikimit të gjuhës angleze.
(Në këtë kontekst, hapja e Librarisë “Ulqini” me tituj shqip, i nxitur nga shkrimi i Mentor Llunjit “Libertas” në gusht të vitit 2020, shtruar në kërkesë me shkrim bërë institucioneve të ndryshme, i mbështetur nga Qeveria e Shqipërisë (meritë e madhe e ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Gent Cakaj), i realizuar në bashkëpunim të KKSH-së, në veçanti Faik Nikës dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, paraqet rojtarë të denjë të gjuhës, si boshtit kryesor të identitetit kombëtar.)
(vijon)
