Gjuha e njësuar i ka kaluar sfidat dhe sprovat e kohës

“Sot, duke qenë shkrimtar që i përkulet gjuhës shqipe si më të madhes vlerë që kemi, ju them pa asnjë mëdyshje se gjuha letrare shqipe nuk më ka zhgënjyer asnjëherë, as me kuptimet e bartura të fjalëve, as me të kryerën e tejshkuar ose me paskajoren e foljeve dhe as me hijeshinë sintaksore që marrin fjalitë e bashkërenditura ose nënrenditura në një frazë shumëkuptimore. ...I lexoj dhe i shijoj po me aq ëndje Mjedën dhe Fishtën, Naimin dhe Çajupin, Koliqin dhe Kutelin”, ka thënë kryetari i ASHAK-ut, Akademik Mehmet Kraja.

Tiranë – Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës organizuan në Tiranë konferencën jubilare dhe aktivitete të tjera kushtuar 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.
Në konferencën jubilare të organizuar të enjten në Tirana International Hotel kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve shkencore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, delegatë dhe familjarë të delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit, drejtues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të institucioneve arsimore etj.
Në fjalën e hyrjes, kryetari i ASHSH-së, Akademiku Skënder Gjinushi, ka thënë se sot, 50 vjet pas mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit, mund të pohohet pa ngurrim se gjuha e njësuar i ka kaluar sfidat dhe sprovat e kohës.
“Ky 50-vjetor përkon me atë të themelimit të Akademisë sonë të Shkencave. Ky përkim nuk është një rastësi: të dyja këto ngjarje janë produkt i procesit historik të ngritjes në një stad të ri të pjekurisë shkencore, atdhetare e kulturore mbarëshqiptare, dëshmuar në vijimësi në Shqipëri e në Kosovë, në gjithë arealin e përdorimit të shqipes”, ka thënë ai.
Sipas Gjinushit, gjuha e njësuar nuk është thjesht një akt i arkivuar, por një organizëm i gjallë në zhvillim, pasurim e përsosje.
“Rendi e rregullimi i saj nuk janë një proces i mbyllur përgjithnjë. Zgjidhjet që ofroi Kongresi i Drejtshkrimit janë të drejta, por, ashtu si përdoruesi i gjuhës duhet të respektojë normën e saj, ashtu dhe norma të ndjekë zhvillimin e brendshëm të gjuhës si organizëm i gjallë që vazhdimisht pasurohet e përsoset, përparon e konsolidohet. Norma nuk dikton kufijtë e fjalës, por drejtshkrimin e saj. Rregullat ortografike krijojnë normë në drejtshkrim dhe nuk janë kufizim për drejtshqiptimin, që kërkon më shumë kohë e kulturë”, ka thënë kryetari i ASHSH-së.
Kryetari i ASHAK-ut, Akademik Mehmet Kraja, ka thënë në fjalën e tij përshëndetëse se i takon asaj gjenerate, e cila e ka njohur dhe e ka përjetuar gjuhën letrare shqipe në të gjithë përbërësit e saj: idealizmin, entuziazmin, ndonjëherë dilemat dhe skepticizmin, më pas përpjekje agresive për ta reviduar standardin, për ta përdorur paskajoren si “mea culpa” për të gjitha dështimet.
“Sot, duke qenë shkrimtar që i përkulet gjuhës shqipe si më të madhes vlerë që kemi, ju them pa asnjë mëdyshje se gjuha letrare shqipe nuk më ka zhgënjyer asnjëherë, as me kuptimet e bartura të fjalëve, as me të kryerën e tejshkuar ose me paskajoren e foljeve dhe as me hijeshinë sintaksore që marrin fjalitë e bashkërenditura ose nënrenditura në një frazë shumëkuptimore. …I lexoj dhe i shijoj po me aq ëndje Mjedën dhe Fishtën, Naimin dhe Çajupin, Koliqin dhe Kutelin”, ka thënë ai.
Kraja ka theksuar se “gjuha letrare shqipe iu ka shërbyer mrekullisht të gjithë shkrimtarëve të mirë, më pak iu ka shërbyer shkrimtarëve mesatarë dhe pak ose aspak iu ka shërbyer shkrimtarëve të pazot, të cilët edhe sot vazhdojnë ta fajësojnë gjuhën letrare për dështimet eventuale në fushë të krijimtarisë dhe të dijes. Skepticizmi i tyre nuk ka të bëjë me mundësitë e gjuhës, por me mungesat e tyre në fushën e dijes dhe të njohjes.”
Për gjuhëtaren nga Maqedonia e Veriut, Prof. dr. Valbona Toska, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe pa dyshim mbetet një ngjarje me rëndësi kapitale për kombin shqiptar.
“Standardizimi i gjuhës shqipe jo vetëm që shënoi një stad të lartë të zhvillimit të gjuhës, por ky akt, duke u miratuar nga 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe arbëreshët e Italisë, njëkohësisht edhe synoi që shqipja standarde të bëhet element kryesor i kohezionit të kombit”, ka thënë ajo.
Toska ka thënë se për gjitha këto vite, nga njësimi e deri më sot, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut standardin e shqipes e çmojnë si një nga vlerat më të madha gjithëkombëtare dhe prandaj në Maqedoni standardi nuk u kontestua asnjëherë as nga gjuhëtarët, as nga intelektualët dhe as nga masat e gjera.
“Jo sepse e përvetësojmë dhe e zbatojmë lehtë apo sepse e idealizojmë, por sepse jemi të vetëdijshëm për rolin e tij gjuhësor dhe jashtëgjuhësor. Qëndrimi miratues shihet edhe në përpjekjet e vazhdueshme të përfaqësuesve politikë shqiptarë për themelimin e institucioneve shtetërore që pjesë të veprimtarisë së tyre kanë studimin apo mbrojtjen e gjuhës shqipe, rrjedhimisht edhe standardin e saj”, ka theksuar ajo.
Prof. dr. Emil Lafe, sekretar i Komisionit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit, ka folur për vlerat historike të tij.
“Koha ka vërtetuar se Kongresi i Drejtshkrimit përbën një veprim të mençur e të guximshëm njëkohësisht, të papërsëritshëm dhe të pazëvendësueshëm, në kohën e duhur dhe në një datë simbolike. Ne, delegatët e atëhershëm që jemi sot këtu pas 50 vjetësh, e përkujtojmë atë ngjarje me krenari të ligjshme dhe me ndërgjegje të pastër. Ai Kongres ishte produkt i pjekurisë shkencore, i përgjegjësisë intelektuale dhe i guximit qytetar të njerëzve të shquar të studimeve filologjike, të letërsisë dhe të shkollës shqipe”, ka thënë ai.
Sipas tij, “prania e personaliteteve të larta shtetërore në këtë konferencë është një shenjë domethënëse e gatishmërisë së shtetit për të marrë përgjegjësitë e tij lidhur me gjuhën shqipe”.
Konferenca jubilare për nder të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (1972-2022) është organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë kësaj konference, Presidenti Begaj nënvizoi se “Kongresi i Drejtshkrimit në 1972-in mbetet një prej atyre zhvillimeve në të cilën aspekti kombëtar fitoi mbi atë ideologjik, një zhvillim i rëndësishëm për rrugëtimin e gjuhës shqipe moderne dhe unifikimin e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e diasporë,” duke shtuar se “firmëtarëve të këtij kongresi u takon mirënjohje historike.”
Begaj është ndalur te rëndësia e standardizimit të gjuhës në forcimin e identitetit të përbashkët gjuhësor e kombëtar, dhe sfidat që vijnë përgjatë këtij procesi.
“Nga pikëpamja demografike, ne shqiptarët nuk e kemi luksin të tregohemi të pavëmendshëm në nxitjen e varianteve, që zhvillohen në mënyrë të pavarur, a me numër më të tkurrur folësish. Por nuk kemi as përse të pranojmë ngurtësimin e shqipes. Ngurtësimi nuk e ndihmon zhvillimin dhe jetëgjatësinë e saj”, ka theksuar ai.
Pjesëmarrësve të konferencës jubilare u janë drejtuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, si dhe është lexuar fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Po ashtu është lexuar fjala e Akademikut Jani Thomai, si dhe është shfaqur një video mesazh i studiuesit arbëresh Matteo Mandalà, profesor në Universitetin e Palermos.
Me këtë rast është hapur ekspozita dokumentare dhe fotografike “Gjuha shqipe – nga alfabeti në drejtshkrim”, përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë.
Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt në Tiranë, më 20-25 nëntor 2022. Në të morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe arbëreshët e Italisë, të cilët miratuan Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit.
Kongresi i Drejtshkrimit vlerësohet si një ngjarje historike madhore për njësimin e shqipes dhe identitetit shqiptar, dhe një nga ngjarjet më të mëdha historike të kombit shqiptar, që vuri themelet e zyrtarizimit të shqipes standarde. Nga ana tjetër, ka kritikë që Kongresin e Drejtshkrimit e vlerësojnë si një kongres të diktuar nga politika dhe regjimi i kohës në Shqipëri.

I. Kallaba


Dr. Ismail Doda: Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit, dokument me peshë të madhe kombëtare që e dëshmoi vlerën e vet

Dr. Ismail Doda, në atë kohë drejtor i shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, është i vetmi delegat nga shqiptarët në Malin e Zi dhe njëri prej 87 delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe nënshkruesve të Rezolutës së këtij kongresi.
I pranishëm në konferencën jubilare kushtuar 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Doda thotë se Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe e ka firmosur me ndërgjegje të pastër, me krenari të ligjshme dhe plot vullnet.
Sipas tij, “ky dokument me peshë të madhe kombëtare për një gjyshmëshekulli e dëshmoi dhe e vërtetoi vlerën e vet”.
Megjithatë, ai thotë se gjuhësia, si dukuri shoqërore, është e gjallë dhe vazhdimisht zhvillohet, përsoset, plotësohet dhe pasurohet.
“Në këtë kuadër të përfshihet në Rezolutë leksiku i begatë nga gurra popullore dhe përzgjedhja e veprave letrare të letërsisë së shkruar. Me anë të tyre mund të zëvendësohen një mori fjalësh a shprehjesh gjuhësore të gjuhëve të huaja që rëndojnë pa nevojë mbi gjuhën tonë. Ky detyrim iu takon ekspertëve të dy akademive shkencore dhe institucioneve përkatëse shqiptare, duke mbajtur një qëndrim besnik ndaj kornizës së këtij Kongresi, sa gjuhësor e kulturor, aq edhe kombëtar e historik”, shprehet ai.


Dom Simon Filipajt i jepet (pas vdekjes) diploma e mirënjohjes “Nderi i Akademisë”

Në kuadër të veprimtarive për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë i ka dhënë përkthyesit Dom Simon Filipajt (pas vdekjes) diplomën e mirënjohjes “Nderi i Akademisë” për merita të veçanta në studimin dhe lëvrimin e shqipes letrare të njësuar.
Atij i është dhënë kjo mirënjohje me motivacionin: “Për punën misionare dhe heroike të tij si përkthyes i vetëm i tekstit të plotë kanonik të Biblës së krishterë, që fitoi miratimin zyrtar të Selisë së Shenjtë dhe shërbeu për themelimin e kodifikimin e një stili ligjërimor të gjuhës shqipe standarde të munguar për shkaqe joshkencore në vendimmarrjen e Kongresit të Drejtshkrimit, duke i dhuruar gjuhës shqipe një provë të jashtëzakonshme të fuqisë shprehëse të saj si gjuhë e njësuar.”
Imzot Simon Filipaj është i pari që përktheu të plotë Biblën në gjuhën shqipe.

Të fundit

më të lexuarat