
Autori i kësaj vepre letrare ka botuar, deri tani, rreth 20 libra në prozë për fëmijë dhe të rritur. Një tregim i tij është përfshirë në programin e lëndës Gjuhë shqipe dhe letërsi për shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Krijimtaria e tij (mund të) mësohet në shkolla edhe në kuadrin e “pjesës së hapur” të planit dhe programit mësimor të lëndës së sipërpërmendur, që e hartojnë mësimdhënësit e çdo shkolle sipas zgjedhjes së tyre. Kjo mund të ketë qenë arsyeja përse Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore në Podgoricë e botoi librin “Foleja e bilbilit”, tregime për shkollën fillore.
Libri përbëhet nga gjashtëmbëdhjetë tregime. Pas tregimeve, botuesi (redaktori) ka vendosur dy recensionet e autorëve Dr. Dea Karakaçi (Temali) dhe Mr. Ismail Kallaba. Në fund jepen shënime për autorin dhe krijimtarinë e tij.
Hapësira ku zhvillohen ngjarjet e këtyre tregimeve është kryesisht treva ku jeton autori, që kap territorin prej Liqenit të Shasit, Lumit Buna, Anës së Malit, deri në qytetin e Ulqinit dhe Detin Adriatik. Vetëm në një tregim ngjarja zhvillohet në Liqenin e Shkodrës. Kryesisht janë tregime realiste, me elemente të prozës me aventura, dhe prozës me tematikë nga bota e kafshëve. Në tregimin “Princesha Albionë”, elementet realiste gërshetohen me ato të fiksionit historik – gjyshja i rrëfen Gjetos historinë e rëndë të princeshës së Shasit, Albionës, ku koha dhe vendi i ngjarjes përcaktohen me një fjali: “Të dielën e tretë të asaj pranvere të largët mesjetare, banorët në qytetin e Shasit u zunë në befasi”.
Asllan Bisha (ose narratori i tregimeve të tij) kohën nuk e shënon me të dhëna kalendarike – mungojnë data e saktë, muaji, viti…, por pothuaj rregullisht e jep stinën kur ndodh ngjarja. Ngjarjet zhvillohen më shpesh në pranverë, por edhe në stinët e tjera. Në tregimin “Beni dhe rosakët” stina kumtohet që në rreshtin e parë: “Stina e pranverës kaherë kishte hapur krahërorin e shkruar”, kurse te “Foleja e bilbilit” stina jepet në fund: “Atë pranverë një bilbil qau pareshtur në kodrën e katundit tim mbi Cukal jo larg Bunës”. Ndërkaq, në tregimin “Beni gjahtar” – stina nuk kumtohet as në fillim, as në fund, por aty kah mesi: “Gjyshi tregonte se nuk e mbante mend një dimër kaq të ashpër”.
Personazhet e tregimeve të Bishës, kryesisht janë fëmijë: Genci, Beni, Suzana, Ramizi, Gjetoja, Albiona, Agroni, Blerta, Flutura, Luani, Genta, Dona, Petriti, shumica në moshën 10-12 vjeçare, që mund të merret edhe si grupmosha e lexuesve të dëshiruar – megjithëse në nëntitullin e librit është shënuar “tregime për shkollën fillore”, pra duke mos e kufizuar në mënyrë strikte moshën e lexuesit të përfytyruar.
Krahas fëmijëve, në galerinë e personazheve shfaqen edhe njerëz të rritur, kryesisht pjesëtarët e familjes: gjyshi, gjyshja, bababi, nëna, por edhe të tjerë: axha Hamzi, xha Dini, peshkatari Huta etj.
Mbizotëron tematika e gjahut, prandaj nuk mund të mungojnë kafshët. Ato janë nga bota ujore, por edhe nga toka dhe përshkruhen, kryesisht, në mënyrë realiste. Kafshët paraqiten pa emra “vetjakë” as zbunimi (përkëdhelje), pra pa identitet të veçantë, por me emrin e përgjithshëm të species që i takojnë: delfini, krapi, ngjala, rosaku, patani… Emër “të përveçëm” ka vetëm qeni (zagari) – Baloshi. Në fakt, në tregime me motive gjahu edhe është e logjikshme që të mbahet njëfarë distance emocionale nga kafshët që janë “në shënjestër”- për t’u vrarë.
Këtu preket një pikë delikate: a kanë vlerë edukative, sidomos në kohën tonë – me sensibilitet të theksuar ekologjik, tregimet për gjahun? Çfarë karakteri gdhendet duke lexuar tregime gjuetie? Sa është në rregull që veprat letrare me këtë tematikë të mësohen në shkollë, që ato t’i lexojnë nxënësit e moshës 10-12 vjeçare?
Gjuetia ishte ndër veprimtaritë më të lashta të njeriut në luftën për mbijetesë, ajo është e pranishme që në vizatimet e stërlashta në shpella (psh Altamira në Spanjë), që domethënë se janë pjesë e artit që nga lashtësia e thellë. Tregimi i parë i letërsisë shqipe është një rrëfim gjuetie: “Gjahu i malësorëve” i Konstandin Kristodoridhit.
Mirëpo, në kohën kur vetëdija ekologjike është mjaft e zhvilluar, më të pranueshme janë tregimet ku bota e kafshëve përshkruhet me dashuri. Tregimet për gjahun fëmijët edhe mund t’i lexojnë, që nxënësi të njihet edhe me atë nënzhanër të prozës me aventura, por pasioni i gjahut s’ka nevojë të “ndizet” në letërsinë për fëmijë. Letërsia është aventurë, por në radhë të parë është kulturë, pjesë e së cilës është edhe kultura ekologjike.
Të dy recensentët vënë në pah “mesazhet humane”, nxitjen e “senzibilizimit për mbrojtjen e florës dhe faunës” (D. Karakaçi), apo “mesazhet edukative” dhe “dashurinë e fëmijëve, ndjenjën e dhembshurisë dhe altruizmit jo vetëm ndaj njerëzve, por edhe ndaj kafshëve” që, sipas mendimit të tyre, i karakterizon këto tregime…
Në disa tregime të Bishës, narratori (sidomos kur flet nga perspektiva e fëmijës), shpërfaq emocion për kafshët, psh. “Gjysh, unë e zura patanin. Nuk lejoj ta therni. Do ta shëroj”. (Gjahtari pa pushkë). Aty-këtu, narratori ka ndjeshmëri për ekologjinë: “Ndotja e ambientit, e lumenjve, peshkimi i pakontrolluar, po e zvogëlon peshkun. Peshkohet me mjete të palejueshme dhe me mënyra të palejueshme”. (Në peshkim të krapit). Këtë dilemë, Beni – kryepersonazhi i tregimit “Beni gjahtar”, e zgjidh kështu: “Ah, sikur të kisha çiftën e gjyshit! Pse jam kaq i vogël?! Të gjithë do të habiteshin kur të më shihnin me gjah. Unë s’do të vrisja shumë, por sa për të pasur për ushqim”. Për porosinë e bukur (që njerëzit duhet të kujdesen për kafshët), dallohet tregimi “Delfini në Barbanë”.
Leximi i këtyre tregimeve ndonjëherë mund ta hutojë lexuesin me porositë ambigue që paraqiten aty-këtu. Shkrimtari nganjëherë i vë njërën pranë tjetrës, dy zgjidhjet e mundshme: “Nëna don ta therë lepurushin, e ka mprehur thikën… Nisi të qajë lepurushi. Si thua ti gjysh, ta lirojmë lepurushin?!” (Peshqit në dasmë). Ky farë dialogu mund ta nxisë lexuesin e ri për të menduar mbi marrëdhëniet njeri-kafshë dhe për sjelljen e vet ndaj kafshëve. Ndërkaq, në ndonjërin prej tregimeve gjen shprehje të rënda të cilave u mungon empatia për kafshët, si psh.: “Mori thikën dhe i preu qafën”, “Gjyshi tri patave ua përdrodhi qafën” (Beni gjahtar), apo: ngjalën “e rrahu me shkop dhe e futi në vistër”, “e përplasi për tokë”, “unë e mbaja, ndërsa Petriti i binte me shkop në trup”, e sidomos fjalitë: “nxora thikën dhe ia preva qafën. Ajo u shtri, u dorëzua. Ia preva kurrizin. (Ngjala) Përshkrimet e tilla te lexuesi fëmijë mund të shkaktojnë më shumë frikë sesa kënaqësi estetike.
Fëmijët mësojnë nga veprimet dhe fjalët e të tjerëve, por edhe nga artet dhe letërsia. Parimisht, gjuetia nuk është temë e ndaluar në letërsinë për fëmijë, por vlera letrare e veprës varet nga gërshetimi i sukseshëm i rrëfimit subtil, porosive edukative dhe vetëdijes ekologjike të kohës.
Titulli “Foleja e bilbilit” që është marrë nga tregimi me të njëjtin titull – për frymën dhe asociimin që rrezaton nuk duket i qëlluar nëse kihet parasysh se trembëdhjetë nga gjithsej gjashtëmbëdhjetë tregime flasin për gjuetinë e peshkut, patave e rosave, e jo për këngët e zogjve.
Në tregimet e Bishës ka mjaft humor, që herë shfaqet në rrëfimin e narratorit e herë del nga dialogët e personazheve. Humori parapëlqehet në letërsinë për fëmijë. Gjuha e narratorit në tregimet e Bishës është e qartë, bindëse, rrjedh natyrshëm, kurse leksiku dhe frazeologjia mund të thuhet se janë të kuptueshme për lexuesin fëmijë.
Sa i përket origjinalitetit, vihet re një ngjashmëri tematike (gjahu i rosave) e tregimeve të këtij libri të Bishës me tregimet e librit “Lovačke zgode” (Ndodhi gjuetie) të shkrimtarit malazias nga Tivari, Milenko Ratkoviq. Krahasimi i këtyre dy librave (ngjashmëritë dhe dallimet) do të ishte mjaft interesant.
Shumica e tregimeve janë të ilustruara me nga një vizatim përkatës të vogël.
Krijimtaria letrare e Asllan Bishës mund të kritikohet, siç mund të kritikohet krijimtaria e cilitdo shkrimtar, por pa dyshim ai është një përfaqësues i rëndësishëm i letërsisë shqipe në Malin e Zi, e sidomos i letërsisë për fëmijë dhe të rinj.