Gjeniu i keqkuptuar

Për Faik Konicën lirishtë mund të themi se qe enciklopedi e gjallë, biri më eminent i Shqipërisë, pionieri i pavarësisë, mbrojtësi i pavarësisë kombëtare, drejtues i revistës “Albania” – kësaj ensiklopedie, monumenti e akademie të kohës...Por, meqë e thoshte çeltas atë që kishte në mendie, pa çarë kokën për zuzarët, hyri në tefterin e tradhëtarëve të kombit. Kritikuesit mediokër të Shqipërisë, këtë “mëkat” (mendimin dhe fjalën e lirë) nuk ia falën kurrë

Qani Osmani

Për shumëkë, Faik Konica është njëri prej shqiptarëve më mendjendritur të të gjitha kohërave, por nuk janë të paktë as ata që vazhdojnë ta përbaltin duke e quajtur shitës të interesave të atdheut. Faik Konica pati guximin të shkruajë mbi temat e nxehta të kohës së tij, duke sfiduar prapavitë e pushtuesve dhe mendësin delikate të parësisë së atdheut dhe të disa krijuesve bashkëkohanikë. Guximi dhe stili i të shprehurit të gjërave, ironitë e holla dhe sarkazmat therëse e bënë për një kategori njerëzish shumë të dashur, kurse për disa të urryer e të kontestueshëm. Ata që e gjenin veten në ato shkrime ia denigronin personalitetin, ndërkaq pushtetarët e dënonin me vdekje. Jo të gjithë e dijnë se Faik Konica është i dënuari i shumëfishtë i mendimit të lirë. Për shkak të tij, qeveria turke e ka dënuar dy here me vdekje, kurse Austria, pas pajtimit me projektin gjerman për ndarjen e tokave shqiptare me Serbisë dhe Greqisë (1915), e shpalli persona non grata. Për paradoks, një dënim i rreptë për të, më 1922, u kërkua madje edhe në Parlamentin shqiptar.
Ndër “mëkatët” e tij, kundërshtarët përmendin raportet që kishte me Austro-Hungarinë, si njërën prej superfuqive të kohës. Mirëpo, nga letërkëmbimi i dendur i tij me diplomatët austro-hungarezë rezulton se kurrizi i Faik Konicës nuk u përkul kurrë si kurriz kolaboracionisti. Përkundrazi, në mungesë institucionesh shtetërore, ai bëri çmos për të ndryshuar kahjet e ngjarjeve që zhvilloheshin në disfavor të Shqipërisë, u përpoq ta ndihmojë çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe të ndreqë atë që mund të ndreqej pas copëtimit të kobshëm të tokave shqiptare.
Veprimtaria e tij transparente, shkrimet e serta, lidhjet e afërta me diplomatë të huaj dhe besimi që, në periudha të ndryshme pati tek ata, ia dhanë shumëkujt të drejtën e gjurmimit të gjoja qëndrimit jodinjitoz dhe sharrimit të Konicës në ujra shërbimesh agjenturore. Shpifësit anashkaluan betejat e tij të mëdha për bërjen e Shqipërisë shtet të pavarur dhe manipuluan të painformuarit me copëza të shkëputura shkrimesh, me pjesët mirësjellje të fillim-mbarimeve të letrave dërguar diplomacive me ndikim. Duke qenë qëllimkëqinj, ata nuk mundën të lexojnë mes rreshtash për të dalluar bontonin politik prej qëndrimeve të patundshme atdhetare të Faik Konicës.
Merre nga ta marrësh, tendenca për t’i shndërruar këto raporte në akuza përulëse përtej kufijve të lejueshëm njerëzorë, duhet parë në kontekstin e kohë-hapësirës konkrete, gjithnjë në përqasje me veprimet e atdhetarëve bashkëkohanikë të Konicës, që, në përpjekje të gjetjes së rrugëve fatlume për krijimin e shtetit shqiptar, mund të kenë bërë dhe gabime në rreshtimet e tyre. Naimi e Samiu, ta zëmë, besuan një kohë se shpëtimi i Shqipërisë mund të vijë nga një Turqi e moderuar, Noli i besoi bolshevizmës ruse, Gurakuqi e De Rada i besuan Italisë, kurse Konica, në një moment delikat për Shqipërinë, shpëtimin e pa tek Austro-Hungaria. Lidhjet, miqësitë dhe tifozllëqet në fjalë, gati pa përjashtim, ishin lidhje mes individësh, hiq Nolin që, me sa dihet, as kur pati mundësi të veprojë në dëm të atdheut, si njeriu i parë i një qeverie, nuk bëri ndonjë pakt nënçmues e të dëmshëm për Shqipërinë. Të tjerët, ndërkaq, as që kanë mundur të lidhin marrëveshje të dëmshme për kombin, sepse nuk patën kurrfarë mandati ta bëjnë këtë. Së këndejmi dalin të shushatura akuzat e nxitura nga inatet e pafisnikëruara shqiptare. Si të sqarohen ndryshe shpifjet për antishqiptarizmin e Konicës, i cili, përveçse në gjuhën shqipe, mbrojti me argumente të paluhatshme çështjen shqiptare edhe në mediat evropiane, luftë kjo që nuk mund të bëhej as me institucione të tëra shtetesh të organizuara mirëfilli? Fundja, nga ka mundur ta dijë Konica se Austria nuk do ta ndihmojë Shqipërinë ashtu siç i premtoi? Dhe, pasi e kuptoi këtë, çfarë mundi të bëjë më shumë se ta ngrinte zërin kundër trukeve të bëra pas shpine dhe në dëm të mëmëdheut të tij? Nuk duhet harruar as e dhëna se Konica, sado që nuk ishte politikan, nëse nuk i llogaritet këtu ambasadorllëku në SHBA, u detyrua të veprojë si i tillë, sa herë që e donte e mira e Shqipërisë. Po ku ta dinin këtë kritikuesit mediokër, të mësuar t’i servojnë publikut gjykime në gjendje jeshillëku? Si ta kuptonin ata se problemet me të cilat ballafaqohej Shqipëria ishin të natyrës politike dhe për to duhej menduar politikisht? Kush t’ua thoshte të vërtetën se lëngojnë kopeas nga ileti i të kuptuarit të reduktuar të fenomeneve shoqërore e politike, që ndihmoi keqkuptimin më të madh të shekullit XX në kulturën shqiptare? Prandaj, u desh të shembet kalaja bolshevike për të dalë në dritë e vërteta lakuriqe, të cilën studiuesi Aurel Plasari e shpërfaq kësisoj: Përkundrejt turmës së mendjeve të klasit të katërt, Faiku nuk mund të ishte veçse i rreptë deri në mizori, mbasi ai ia dinte kufijtë së vërtetës origjinale. Për këtë arsye rrinte syçelët dhe i gatshëm ta braktiste një të vërtetë në çastin kur ajo bëhej e pavërtetë. Kjo më duket të jetë cilësia më e përpashme, aftësia më e rëndësishme e modelit mendor që e quaj ‘konician’. Ta braktisësh të vërtetën…?! Por si ka mundësi…?! Pikërisht këtë aftësi gjeniale të mendjes njerëzore nuk ia kuptuan shumë nga bashkëkohësit dhe, madje, e kemi të vështirë ta rrokim edhe ne, të penguar prej të kuptuarit e reduktuar. Kjo e pengon edhe sot e gjithë ditën shpërfaqjen në dritë të plotë të personalitetit të tij… Kështu ndodh që Faik Konica të vijojë të vuajë, ende sot, ‘të kuptuarit e reduktuar’, sepse ky lloj të kuptuari nuk e përkap dot strukturën logjike të dy qëndrimeve/ dy qëllimeve. Dy qëndrimet/ dy qëllimet mund të jenë kontradiktore mes syresh dhe, megjithëkëtë, të jenë plotësisht të pajtueshme. Është kjo struktura logjike e atyre që quhen dilema të mendimit politik të çdo kohe e të çdo vendi. Zgjidhjen e dilemave të tilla, Ruso e quante ‘kthim të rrethit në katror’. Dhe të mos harrohet që Faiku pati qenë lexues i zellshëm i Rusosë që nga rinia…
Po ta marrim esëll veprimtarinë e Faik Konicës, ai si në shumë fusha të tjera, edhe në të kuptuarit e drejtë të lojrave politike ishte një shekull para bashkatdhetarëve të tij. I vetmi faj i Faik Konicës, për mendimin tim, është e dhëna se erdhi shumë para kohe në letërsinë dhe kulturën shqiptare, e dhëna se ishte më inteligjenti dhe më largpamësi në mesin e rilindasve të kohës së tij. Faji i tij qe jokonformizmi i dëshmuar me vepër. Dhe, nëse gjërat që bëri ai janë faje, ato assesi nuk mund të jenë më të mëdha, më të dëmshme e më të pamoralshme se hatri i rremë i armatës së konformistëve, që aktin e bërjeqejfeve e konceptojnë virtyt kombëtar.
Faik Konica nuk ka shkruar shumë libra, mirëpo çfarëdo që shkroi pena e tij, ka brenda vetes aromën e artit të mirëfilltë, figurën artistike dhe dellin e mjeshtrit të spikatur të fjalës së shkruar, nga i cili duhet të marrim mësimet e domosdoshme për të shkuarën dhe për të ardhmen tonë.
Qani Osmani

Të fundit

më të lexuarat