Gjenerali i mendjes

Përveç rolit vendimtar të demonstratave të vitit 1981, shkrimet e profesor Qosjes dhe intervistat e tij dhënë mediave të huaja do të jenë zë i pazëvendësueshëm vendimtar për aktualizimin e çështjes së Kosovës në botë. Zëri i Qosjes ishte zëri më përfaqësues i inteligjencës shqiptare në Kosovë

(vijon nga numri i kaluar)
Demonstratat e vitit 1981, UÇK-ja dhe profesor Qosja
Me kërkesat politike të demonstratave të vitit 1981 dhe me botimin e veprave publicistike të Qosjes, fillon dejugosllavizimi i mendimit politik shqiptar në Kosovë. Vlen të theksohet se Qosja ishte intelektuali më i përgatitur dhe më i përgjegjshëm që ishte në gjendje të ballafaqohej me intelektualët shovinistë serbë. Paraqitjet e Qosjes në përfytje me ta ishin të argumentuara dhe, si të tilla, të pakontestueshme shkencërisht.
Përveç polemikave me intelektualët antishqiptarë serbë, malazezë, maqedonas, me shkrimet publicistike Qosja do të jetë zë i fuqishëm kundër veprimeve të dëmshme, çintegruese edhe në të dy krahët e atdheut tonë – në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë, veprime këto prej të cilave, mjerisht personalitete të caktuara publike, nuk kanë hequr dorë as sot e kësaj dite. Krijimi i një gjuhe të dytë standarde dhe i kombit të ri kosovar është shembulli më tipik i çintegrimit dhe më dëmsjellës për popullin shqiptar. “Të gjitha të këqijat na kanë ndodhur se kemi qenë popull i ndarë dhe atdhe i copëtuar”, konstaton Qosja.
Qëndrimi i profesor Qosjes ishte i njëjtë me pikëpamjet e shprehura me veprat e tij letrare e shkencore. Ai kishte vlerësim të lartë meritor e të paluhatshëm për rininë studentore e shkollore, veçmas për pjesëtarët e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës. “Asgjë nuk mund të shkruaj pa pasur parasysh idealin e tyre për të cilin ata nuk ngurrojnë të flijohen”, shkruan Qosja dhe shton: “Po të mos ishin të rinjtë tanë me të cilët Serbia, Jugosllavia dhe zbatuesit e politikës së tyre në Kosovë, po i stolisin burgjet e Kosovës, të Serbisë, të Bosnjë e Hercegovinës, të Maqedonisë, Malit të Zi, madje edhe të Kroacisë (unë do të shtoja, edhe të Sllovenisë, ku e kanë vuajtur dënimin jo pak të burgosur politikë shqiptarë, ndër ta edhe bashkëveprimtarë të mi), do të mund të quheshim popull pa qëllim historik. Të rinjtë tanë po na e shpëtojnë fytyrën para brezave të ardhshëm”.
Përveç rolit vendimtar të demonstratave të vitit 1981, shkrimet e profesor Qosjes dhe intervistat e tij dhënë mediave të huaja, do të jenë zë i pazëvendësueshëm vendimtar për aktualizimin e çështjes së Kosovës në botë. Zëri i Qosjes ishte zëri më përfaqësues i inteligjencës shqiptare në Kosovë. Mjerisht, një pjesë e kësaj inteligjence dhe e klasës politike do të bien në provimin historik duke u deklaruar kundër demonstratave, kundër kërkesave të tyre të drejta, duke i quajtur kundërrevolucion, kualifikim ky me pasoja tepër të rënda për popullin shqiptar. Deklarim të tillë Qosja nuk do t’ia lejojë vetes, ndonëse do t’i kushtojë me largim nga pozita e drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, me ndalimin e botimit dhe të financimit të shkrimeve të tij, me qëllim që ta mënjanojnë nga jeta kulturore e publike. “Si t’i quaj armiqësore demonstratat që përfaqësojnë përkushtimin më të madh atdhetar ndaj Kosovës”, arsyetonte ai.
Qosja nuk është shkrimtar që shkruan me porosi, gjë që është bërë dukuri e shëmtuar e përditshmërisë sonë. Sot, me para, porositen e shkruhen monografi, madje edhe vepra letrare, ku hiperbolizohen njerëz pa kurrfarë meritash, me të kaluar të dëmshme, madje antishqiptare. Mbrojtës i shëndetit moral në veprat letrare e shkencore, Qosja kritikon ashpër veprimet e tilla, ngase është i vendosur ta thotë të vërtetën e, me këtë, ta ruajë edhe ndërgjegjen e vet. E, ruajtja e ndërgjegjes ka bërë që profesor Qosja ta ruajë shëndetin moral, kusht ky për ruajtjen edhe të shëndetit trupor e shpirtëror.
Me formimin e UÇK-së Qosja do të vë të gjitha aftësitë e veta mendore në shërbim të propagandimit dhe mbrojtjes së luftës së drejtë të saj. Paraqitja e tij në Kongresin e SHBA-së, në Këshillin e Bashkimit Evropian, veçmas shndërrimi i shtëpisë së tij në zyrë, ku pret dhe përcjellë politikanë dhe diplomatë të shumtë botërorë, do të ketë ndikim të pazëvendësueshëm në informimin e drejtë të opinionit të jashtëm për luftën e UÇK-së. Qosja do të mbrojë UÇK-në, jo vetëm nga shpifjet e qarqeve politike, kulturore e mediat e Beogradit, por edhe nga klasa politike shqiptare, e cila shpresonte se liria e Kosovës do të vinte duke u lutur përtokas. Qëndrimi i vendosur i Qosjes, që Delegacionit të Kosovës në Rambuje duhet t’i printe përfaqësuesi i atyre që e bënin luftën, pra përfaqësuesi i UÇK-së, ashtu siç edhe u bë, ishte qëndrim i drejtë dhe largpamës.
Duke i mbetur besnik misionit të tij për vetëdijësimin e popullit dhe duke qenë zë i qëndresës vepruese, edhe sot Qosja shkruan e kritikon ashpër dukuritë që cenojnë rëndë ndërtimin e shtetit demokratik, si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Republikën e Kosovës. “Për demokracinë kritika është shumë më e shëndetshme se lavdërimet”, konstaton ai.

Pak fjalë për gjuhën e veprave të Qosjes
Qosja i kushton kujdes të jashtëzakonshëm gjuhës. Para se t‘i publikojë shkrimet e tij, ai do t’i lexojë e rilexojë nga disa herë, ndaj mendimet e tij dalin aq të sakta dhe të ngjeshura. Përveç kësaj Qosja ka krijuar shumë fjalë, togfjalësha e nocione të reja, ashtu siç vepronin edhe rilindësit tanë, traditën e të cilëve e shpie më tej. Në veprën e Qosjes ka shumë aforizma, dëshmi kjo e përvojës së tij krijuese e jetësore. (Më vjen keq që për shkaqe familjare nuk kam arritur ta mbaj premtimin dhënë profesorit për të shkruar e publikuar një studim për thëniet aforistike e fjalët e reja në veprat e tij letrare e publicistike).
Ja disa sosh të paanalizuara: aminues, hiçkushi, gjithëçkabërës, kurrëkushnjeri, konjukturist, llafehane, makthndjellës, nënbishti, satrapizëm, saharishte, shunddrejtues, ujar… i,e çjerizuar, i çgjuhësuar, i ishulluar, i kiçerizuar, i shtazërishëm, i fushëmarrëzisë…, çnjerizoj, pushtetoj, papagallizoj, servilizoj…, çetnikçe, diktaturshëm, policorisht, urrejtsshëm…, defatorët e Serbisë, diskutues biseksual, errësirë mendore, hudum politik, kiç atdhetar, koncert politik, mendje katërkëmbëshe, sjellje e përtokshme, pluhërishte politike, politikë blegtorale, skalpim politik, rrufjan politik…
Aforizma: Atdhetarizmi është ndjenjë e përhershme ose nuk është fare; Populli po kërkon liri, liria po kërkon popull; Populli e ka stolisur gjoksin e tij me medalje e dekorata e ai e stolisë gjoksin e popullit me gënjeshtra e mashtrime; Çdo qëllim i madh është njëkohësisht qëllim afatgjatë; Edhe budallai kur hesht është i mençur; Gjithmonë kapelat bien për tokë kur të zotët përkulen shumë; Sa më i vogël, aq më shumë i do fjalët e mëdha; Kemi heronj në varre e karagjozë në politikë; Vetëm idiotëve s’u dhemb askund…
Në njërën prej veprave të tij Qosja shkruan: “Nuk i kushtoj rëndësi ditëlindjes. Dhe kurrë s‘i kam kushtuar. Jam lindur rastësisht – ka mundur të mos lindem.”
Po! Sikur mos të lindej Qosja, kultura shqiptare do të mbetej pa një gjeni krijues.
Dhe të kthehem përsëri te gjenerali. Asnjë luftë çlirimtare në kohët moderne nuk është fituar pa bashkëveprimin e gjeneralëve të luftës dhe gjeneralëve të mendjes.
Gjenerali i mendjes, profesor Qosja, e ka përmbushur misionin e vet intelektual jetësor, ndaj na mbetet t’i urojmë të ketë edhe më tej shëndet fizik e mendor për ta përplotësuar misionin e tij dhe përjetuar Rilindjen e Tretë – atë të Bashkimit Kombëtar! (Fund)

(Fjala e mbajtur në shënimin e 85-vjetorit të lindjes të Akademikut Rexhep Qosja, në Shtëpinë e Kulturës – Vuthaj, më 31 korrik 2021)

Të fundit

më të lexuarat