Gjahtari

Asllan Bisha

Pas shiut të parë të asaj vjeshte të vonuar, e cila erdhi pas një vape të paparë në Bjeshkë të Nemuna, në tokë ranë rigat e para të shiut. Ato erdhën me bubullima dhe vetëtima. Shiu puthi butë dhe qetë livadhet e etshme të Bjeshkëve. Shiu ishte xhevahir edhe pse nuk e hoqi vapën e verës, as në qiell as në tokë. Të nxehtë të tillë s’e mbanin mend as më të moshuarit në Kelmend. Kryeplaku, i pari i fisit, Gjeto Leka, i përballur me një gjendje të tillë, me thatësi, pa ushqim për gjënë e gjallë, kishte menduar për njerëzit e fisit. Shestoi, mendoi se duhej bërë diçka për t’i shpëtuar dimrit sepse dihej se pas verës së thatë vjen dimri i ftohtë në Bjeshkë të Nemuna. Kështu kishte qenë përherë në këto anë prej se mbahej mend. Malësorët i frikësoheshin më shumë verës së thatë sesa dimrit të ftohtë. “Dhe duhej bërë diçka”, fliste me unin e tij Gjeto Leka, e malësorët i besonin fjalës së tij, e cila kishte qenë ligj dhe kanun për malësorin e këtyre anëve.
Dhe vendosi të thërrasë njerëzit e fisit në kuvend. Ai caktoi të dielën pas meshës. U mblodhën të gjithë, burra, gra, të rinj dhe të reja. Vetëm prifti nuk erdhi në kuvend. Ai kishte vendosur të rrijë në kishë, mos ta braktisë atë.
“Malësorët do të kthehen, nuk munden pa mal, pa bjeshkë”, kishte thënë ai. “Ata do të pendohen. Kisha, prifti dhe shtëpia i pret. Më së largu në pranverë ata do të kthehen”, kishte folur prifti me unin e tij dhe i ishte lutur Zotit që malësorët mos ta lënë vendlindjen për t’u strehuar në fushë. “Kush i pret ata?!”
Dhe malësorët iu frikësuan vapës më shumë se të ftohtit. Vapa s’e kishte lënë as barin të rritet. Kostarët s’kishin pasur punë. Ishte ky një kuvend kureshtar me të papritura dhe me frikë. I pari i fisit, Gjeto Leka, kishte marrë vendim: “Bjeshkët duheshin lënë”, tha ai në fund me zë të ngrirë të prerë, zemërues, por gati u zhgreh në vaj burri i moshuar, malësor me mustaqe deri te veshët.
“Kam menduar se një dimër i paparë do të gllabërojë Bjeshkët e Nemuna. Nuk kemi siguruar as bar! Çdo gjë shkoi huq. Duhet ta lëmë Malësinë, ndoshta e bën Zoti të kthehemi. Unë do t’ju prij’”, mbaroi fjalën Gjeto Leka dhe gati u zhgreh në vaj, edhe pse zëri i tij dridhej.

Të fundit

më të lexuarat