Fryt i një pune përmbledhëse shumëvjeçare e cila i ngre një monument pavdekësie Malësisë së Madhe

Gjekë Gjonaj

Punë e vështirë për mua si gazetar e publicist, të flas për një vepër gjuhësore e aq më shumë për një vepër madhore të gjuhësisë shqiptare, sikundër është “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”, i akademikut Gjovalin Shkurtaj, por ai është malësor, e kam njohur prej shumë vitesh, e kam intervistuar në raste të ndryshme, krahas kolegëve të tij të nderuar, si akademik Shaban Demiraj, akademik Jorgo Bulo etj. Duke qenë se ai është jo vetëm i lindur në Malësi (në Bajzë të Kastratit), por edhe është nga ata që e ka për krenari se është “bir i xhubletës”, qysh kur jemi takuar për herë të parë në Ulqin, në vitin 2001, kemi lidhur edhe një miqësi të sinqertë. Profesor Gjovalini ka shkruar artikuj për disa prej librave të mia si “Prek Cali, piramidë e kufijve të Shqipërisë”, “Shqipet e maleve” etj. dhe bashkë me Prof. Hamit Boriçin e studiues të tjerë nga Tirana e Shkodra, më ka nderuar duke marrë pjesë e duke referuar në përurime të librave të mi në Ulqin. Dashamirësia dhe modestia e tij, sigurisht më trimëron e po marr guximin që, edhe pa qenë gjuhëtar, t’i them disa fjalë e vlerësime për këtë vepër të madhe, duke përfaqësuar, në këtë rast atë pjesë të malësorëve që edhe pse nuk merren me gjuhësi e me studime shkencore, duhet të jemi krenarë e ta themi me gojën plot edhe këtu në Tuz, ashtu si është thënë tashmë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në përurimin e bërë në Panairin e Parë të Librit Akademik, më 23 prill, apo në Albanian University në përurimin e organizuar më 5 maj. Si gazetar që jam, po shtoj se Fjalori i Shkurtajt është vlerësuar menjëherë sapo është botuar nga disa prej gjuhëtarëve të njohur nga Shqipëria (Prof. Dr. Valter Memishaj, Prof. Dr. Tefë Topalli, Prof. Dr. Artur Lamaj, drejtor i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, Prof. Dr. Nexhip Mërkuri, Dr. Tonin Ҫobani etj). Kanë shkruar për këtë vepër edhe studiues të njohur si Prof. Dr. Bardhosh Gaçe nga Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”, Prof. Dr. Qemal Murati nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prof. Dr. Bahtiar Kryeziu nga Universteti i Gjilanit, si dhe albanologë të huaj, Prof. Dr. Basil Shader nga Zvicra, i cili, ndër të tjera, duke e përgëzuar autorin, akademikun tonë të Malësisë e ka quajtur Fjalorin e Shkurtajt “një kryevepër” e një libër me vlerë të jashtëzakonshme për dialektologjinë dhe etnografinë e të folurit të shqipes. Një recension të gjerë e me analiza të hollësishme e ka botuar edhe gazetari Vasel Gilaj në “Zani i Malësisë” (maj 2012), i cili e fillon shkrimin me këto fjalë vlerësuese e të merituara: “Biri i Kastratit, Gjovalin Shkurtaj, me Fjalorin e botuar, i ngre një monument pavdekësie Malësisë së Madhe”. Për veprën “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”, gjatë gjithë pranverës së sivjetme ka pasur edhe njoftime e intervistime në televizionet shqiptare, prej të cilave meritojnë të përmenden intervista e Shkurtajt për gazetarin Mustafa Nano në emisionin e tij të ndjekur “Arnautistan”, si dhe në News-24, A1- Raport TV etj. si dhe në blogjet e faqet online.
Na gëzon shumë fakti që profesor Gjovalinin e kemi nga Malësia jonë, por edhe që e nderojnë shumë, jo vetëm ata që e kanë mik, por edhe kolegët e drejtuesit e Akademisë së Shkencave. Mjafton të kujtojmë vlerësimet e larta që i ka shprehur akademik Shaban Sinani në përurimin e bërë në Tiranë më 23 prill 2022.
Kam pasur edhe privilegjin që Prof. Shkurtaj më ka ardhur si mik në shtëpinë time, por edhe unë kam qenë mysafir te ai në Tiranë e në Durrës, prandaj, ashtu si e shpreha në fillim, s’do të flas për Fjalorin, por më shumë për autorin.
Deri vonë nga Malësia jonë e Madhe kemi pasur pak emra intelektualësh të shquar, por edhe ata që kanë qenë, jo gjithmonë janë njohur e vlerësuar sa duhet. Prej trojeve tona kanë qenë burra të shuar të dijes e shkencës si Nikollë Ivanaj (1879-1951), publicist nga Trieshi, që botonte në Raguzë (Dubrovnik) gazetën “Shpnesa e Shqypnisë”, dhe dy vëllime me shkrime dokumentare për jetën e veprimtarinë atdhetare e për ndihmesat e tij në lëvizjet përparimtare dhe si përfaqësues i Shqiptarëve të Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920); Dr. Athanas Gegaj (1904-1988), Mirash Ivanaj (1891-1953), nga Bëkajt e Trieshit, veprimtar, drejtues dhe organizator reformator i arsimit kombëtar. Prej fshatit Stanaj (Grudë) ishte edhe Prenk Gruda (1912-1999), veprimtar dhe publicist i njohur shqiptaro-amerikan, autor i librit “Ditari i nji zemrës së lëndueme”; Lukë Kaçaj (1924-2001), këngëtari i famshëm bas, që studioi dhe këndoi me sukses të madh në Rusi, ku dhe do të mbiquhej ”Shaljapini shqiptar”. Prej nesh, po i shkolluar në akademitë e arteve me emër në Jugosllavi e Itali është edhe akademiku Gjelosh Gjokaj (1933-2016) nga Mileshi i Grudës, piktor me famë evropiane; Angjelin Prelocaj, balerin i famshëm që jeton e kontribuon në Francë ; Frank Shkreli, gazetar i njohur, ish-drejtor i Zërit të Amerikës për Euro-Azinë; Gjekë Marinaj, poet, shkrimtar, studiues, filozof i suksesshëm, i nominuar për Ҫmimin Nobel në Letërsi (nga më se 12 shtete, universitete, organizata të akredituara letrare e akademike në botë). Dhe plot të tjerë, të cilët nuk është as rasti, as mundësia për t’i përmendur të gjithë. Në emrat e mëdhenj të shkencës së sotme albanologjike, me sa kam lexuar e dëgjuar të thuhet për të nga mjediset shkencore, është pa dyshim edhe profesor Gjovalin Shkurtaj, i cili ka ardhur sot midis nesh për të përuruar veprën e tij më të vëllimshme “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” për të cilin, sikundër e thotë vetë në hyrjen e librit, ka filluar të punojë qysh në vitet 1962-1966, kur ishte student në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Po shtoj me këtë rast, se në vitin 1966, kur ka kryer studimet e larta për gjuhë e letërsi, ka diplomuar me studimin “E folmja e Kastratit”, dhe përveç vlerësimit më notën më të lartë (dhjetë), ka pasur edhe përgëzimet e Komisionit të provimeve dhe të akademikut të shquar Eqrem Çabej, të cilin Shkurtaj e ka pasur dhe koleg zyre për dhjetë vjet (nga 1967 deri në 1977), dhe e ka përmendur gjithnjë si idhullin e modelin e shkencëtarit të përkushtuar e modest, por edhe me adhurimin e madh për të.
Vepra “Fjalor leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe” e Prof. Dr. Gjovalin Shkurtajt, është fryt i një pune përmbledhëse shumëvjeçare, që është sikundër na e thotë në fjalën paraprijëse “një fjalor leksikor e frazeologjik i Malësisë së Madhe, të cilin ka filluar ta punojë qysh në vitin 1969”, pikërisht kur, i sapo emëruar si punonjës shkencor i ri në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, dhe u caktua të merrej me studimet monografike për të folmet e Malësisë së Madhe, punë të cilën ai në fakt, e kishte nisur me sukses qysh me temën e diplomës kushtuar së folmes së Kastratit, me udhëheqës shkencor të mirënjohurin Prof. Jorgji Gjinari, punim që do të botohej në dy numra të revistës “Studime filologjike 1967/” 2 e 3. (vijon)

Të fundit

më të lexuarat