Frymëzues i artistëve anembanë botës

“Në këtë ekspozitë Gjergj Kastrioti - Skënderbeu na shfaqet madhështor, sikurse edhe ka qenë gjatë gjithë jetës së tij, në punime të ndryshme nga artistë të ndryshëm për një periudhë tejet të gjatë, një periudhë mbi 570-vjeçare, nga viti 1451, kur e kemi letrën e parë, ndërsa në vitin 1455 edhe portretin e tij të parë, deri më 2022, i cili është i fundit, për momentin”, ka thënë profesori i historisë Mark Junçaj

Ulqin – Pas Prishtinës dhe Tuzit, Ulqini është qyteti i tretë shqiptar ku artisti Luan Tashi ka hapur ekspozitën “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, në të cilën janë prezantuar 65 vepra artistike dhe artefakte, që datojnë që nga viti 1455 deri në vitin 2022.
Dorëshkrime, vula, gravura, ksilografi, litografi, piktura, skulptura, mozaikë, monedha, medalje, pulla postare, manuskripte mbi pergamenë, buste në mermerë, vepra diversive të punuara në teknika të ndryshme etj. janë ekspozuar të premten mbrëma para publikut në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin.
Ekspozita është rezultat i punës kërkimore të artistit nga Kosova rreth portreteve të heroit kombëtar.
“Këto janë vetëm një pjesë, mund të them lirisht që është vetëm një e pesta e librit, i cili është botuar me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në vitin 2018”, ka thënë autori Tashi.
Ai ka treguar për vështirësinë e përzgjedhjes së veprave të prezantuara, sepse sipas tij, çdo vepër për Skënderbeun e ka vlerën e vet dhe dëshmon sakrificën me të cilën është punuar.
Rreth figurës së Skënderbeut dhe veprave të paraqitura në ekspozitë ka folur Mark Junçaj, profesor i historisë në Shkollën e Mesme “25 Maji” në Tuz.
Ai ka thënë se në këtë ekspozitë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu na shfaqet madhështor, sikurse edhe ka qenë gjatë gjithë jetës së tij, në punime të ndryshme nga artistë të ndryshëm për një periudhë tejet të gjatë, një periudhë mbi 570-vjeçare, nga viti 1451, kur e kemi letrën e parë, ndërsa në vitin 1455 edhe portretin e tij të parë, deri më 2022, i cili është i fundit, për momentin.
Junçaj ka thënë se Skënderbeu “për së gjalli ka tërhequr vëmendjen, jo vetëm të sundimtarëve të ndryshëm evropianë, por edhe të artistëve të ndryshëm”, kurse pas vdekjes së tij numri i portreteve të tij do të jetë në rritje e sipër.
“Por të gjithë jemi të vetëdijshëm se në të ardhmen do të ketë sërish punime të ndryshme mbi Skënderbeun, pasi që bëhet fjalë për një figurë madhështore, e cila ka frymëzuar, frymëzon dhe do të frymëzojë edhe në të ardhmen artistë të shumtë anembanë botës”, ka thënë ai.
Drejtori i Qendrës së Kulturës – Ulqin, Musa Hoxha, ka thënë se kanë zgjedhur 6 majin për të hapur ekspozitën në Ulqin, sepse kjo datë përkon me 617-vjetorin e lindjes së heroit tonë kombëtar, i cili sa ka qenë figurë historike, po aq ka qenë edhe figurë artistike.
Ai ka treguar se ekspozita do të qëndrojë e hapur dy javë.
Autori Luan Trashi ka thënë se pas Ulqinit, ekspozita do të vijojë rrugëtimin e saj në Shkodër, pastaj në Shkup dhe Tetovë, duke “mbuluar pothuajse të gjitha territoret arbërore” me qëllim që “ta prezantojmë Skënderbeun në dritën më të mirë të mundshme”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat