Fitues i shumë shpërblimeve

Kopshti “Arushi Pu“ si gjithmonë vazhdon me aventurat e tij dhe me përkushtim të plotë ndaj fëmijëve mundohet t’u dhurojë përvoja dhe kujtime të paharruara

Lumnije Bisha

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, i dorëzoi para disa ditësh (20 shtator 2024) Kopshtit “Arushi Pu” nga Ulqini titullin Kopsht Ekologjik, çmim që iu jepet institucioneve arsimore-edukative që këtë vit me sukses e kanë kaluar procesin e akreditimit për zbatimin e programit ndërkombëtar të Eko-shkollës.
Drejtoresha e këtij kopshti, Lindita Lika, shprehet e kënaqur për fitimin e këtij çmimi.
“Na gëzon fakti që aktivitetet ekologjike që realizojmë në kopsht janë aktivitete ekologjike, ku fëmijët përmes lojës dhe aktiviteteve të ndryshme mësojnë për rëndësinë e mjedisit që na rrethon, për riciklimin, diversitetin, ruajtjen dhe menaxhimin e mirë të resurseve mjedisore“, shprehet ajo.
Kopshti “Arushi Pu” është themeluar në vitin shkollor 2006/2007, si i vetmi kopsht privat në gjuhën shqipe, ndërsa është licencuar në vitin 2017. Në vitin 2022, pranë këtij kopshti është themeluar Qendra zhvillimore e aritmetikës mentale Suan Pan për fëmijët e grupmoshës 5-10 vjeç.
“Jemi pjesë e shoqatës së kopshteve më të mira në Mal të Zi“, deklaron me krenari Lika.
Ajo kujton se e kanë filluar punën me 13 fëmijë, por falë punës së mirë, angazhimit dhe kushteve që ofrojnë, numri i fëmijëve çdo ditë është në rritje.
“Kërkesat për regjistrim janë shumë më të mëdha, sidomos për muajt e verës. Por kapaciteti i objektit për momentin nuk na lejon të pranojmë më shumë fëmijë. Te prindërit kemi fituar besimin. Çelësi i suksesit tonë është transparenca në punë“, thotë drejtoresha e Kopshtit “Arushi Pu“, Lindita Lika.
Sipas saj, bashkëpunimi me prindër është parësor.
“Përkrahja e tyre nuk na ka munguar kurrë. Me këtë rast edhe i falënderoj që tek ne gjetën besimin dhe na besuan gjënë më të shtrenjtë – fëmijët“, shprehet Lika, duke nënvizuar se me fëmijë punon stafi i kualifikuar dhe puna zhvillohet sipas interesimit të fëmijëve.
“Në kopshtin tonë punohet sidomos me metodën Montesori. Pra, çdo fëmijë praktikisht të fitojë njohuritë e reja për natyrën, bimët, kafshët, mjedisin, fenomenet. Me një fjalë, të përgatitet për jetë të pavarur“, thekson ajo.
Kopshti “Arushi Pu“ si gjithmonë vazhdon me aventurat e tij dhe me përkushtim të plotë ndaj fëmijëve mundohet t’u dhurojë përvoja dhe kujtime të paharruara.

Të fundit

më të lexuarat