Nxënësja e klasës së tretë në shkollën fillore “Boshko Struagar”, Inara Tafa, është shpallur fituese e përgjithshme e Garave të recituesve të rinj – Ulqin 2025, të organizuara nga Fondacioni “Studenti” të premten mbrëma (30 maj 2025) në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin.
Ajo është vlerësuar për recitimin e poezisë së autores Arjana Fetahu – Gaba “Paç me qindra jetë të gjata” prej jurisë së përbërë nga Dr. Erzen Koperaj, pedagog i gjuhës shqipe, anëtar i Qendrës së Studimeve Albanologjike pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nga Shkodra; Envera Dukaj, gazetare dhe radaktore e programit në gjuhën shqipe në Radio Televizionin e Malit të Zi nga Tuzi (Malësia); dhe Fatime Buzuku, pianiste dhe drejtoreshë e Shkollës së Muzikës dhe Baletit nga Ulqini.
Në kategorinë e shkollave fillore, vendi i parë i ka takuar nxënësit Akid Kaca nga shkolla fillore “Marshall Tito”, vendi i dytë Hesa Goranës dhe vendi i tretë Mabel Hoxhës, të dyja nxënëse të shkollës fillore “Boshko Strugar”.
Në kategorinë e shkollës së mesme, vendin e parë e ka fituar çifti Alesja Vuka – Qazim Tula, vendin e dytë Berina Ismaili, ndërsa vendin e tretë Mervana Muçaj.
Në edicionin e sivjetshëm kanë marrë pjesë nxënësit e katër shkollave fillore në komunën e Ulqinit dhe të shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” (Ostros), si dhe të shkollës së mesme të kombinuar “Vëllazërim-Bashkim”.
Fituesit e çmimeve janë shpërblyer nga Fondacioni “Studenti” me të holla dhe diploma, kurse të gjithë nxënësit pjesëmarrës dhe mësimdhënësit e tyre me nga një libër.
Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Fondacionit “Studenti”, Albiona Pali, i ka vlerësuar Garat e recituesve të rinj si një ngjarje tradicionale që tashmë janë bërë pjesë e pandashme e jetës kulturore shqiptare në Malin e Zi.
“Ky aktivitet organizuar përreth dy dekada nga njerëz të cilët e kanë me shpirt kulturën, artin dhe letërsinë, është jo vetëm një garë recitimi, por një festë e gjuhës shqipe. Kjo është një dëshmi e gjallë që ne jemi këtu dhe do të jemi këtu, me gjuhën, kulturën, poezinë dhe dinjitetin tonë kombëtar”, ka thënë ajo.
Projekti i Garave të recituesve të rinj është mbështetur nga Komuna e Ulqinit në konkursin për mbështetjen e organizatave joqeveritare për vitin 2024.
i. k.