Fishta më aktual se kurrë edhe pas një shekulli

Sidorela Berishaj

E thënë dhe e dëgjuar shumë herë se Fishta është Homeri shqiptar.
Një politikan, publicist, klerik, përkthyes dhe shkrimtar shumë i njohur.
Veprat e tij çdo herë e më shumë janë aktuale, të cilat i afrohen realitetit të ditëve të sotme. Shpeshherë mendoj me vete se mos ndoshta ai me aftësitë e tij intelektuale dhe imagjinare e ka parashikuar të ardhmen e shekullit 21, edhe pse jetoi në shekullin e kaluar.
Një poet i madh me një stil shumë të veçantë, shkrimi i cili me një përpikëri dhe profesionalizëm i përdori të gjitha zhanret letrare. E shohim si lirik të mirëfilltë, ku me anë të vargjeve shpreh mjaft bukur ndjenjat për dashurinë sublime dhe pa kushte për kombin e tij, këtë e vërteton edhe vëllimi poetik “Mrizi i Zanave”. Hapja e këtij vëllimi poetik me poezinë “Shqypnia” ku mund të themi pa drojë se është një nga poezitë më të njohura në letërsinë shqipe. Temat kryesore që mbizotërojnë në lirikat e tij, janë: ajo e atdhedashurisë, ndjenja e krenarisë, pasqyrimi i bukurive të vendit të tij dhe këtë mund ta shikojmë edhe nëpërmjet vargjeve të mëposhtme.
Edhe hana do ta dije
Edhe dielli do t’kete pa
Se përqark kësaj rrokullie
Si Shqypnia, i vend nuk ka

Një tjetër veçori e stilit të shkrimtarit është edhe harmonizimi shumë i bukur i lirikës me elementë të epikës ku e shohim mjaft mirë edhe në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis”, bilës është konsideruar si epiku më i madh i shekullit, pra me mjeshtërinë e tij diti ta ndërtojë shumë mirë eposin shqiptar të shekullit 20.
Ai bëri një bujë të madhe edhe me veprat e tij satirike siç janë : “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit”, u konsiderua si satiriku më i njohur i letërsisë shqipe të shekullit të kaluar . Në këto poezi nxjerr në pah të metat e disa njerëzve të veçante duke i thumbuar rëndë dhe shpesh me gjuhën e tij të figurshme, duke i tallur ashpër pseudopatriotët dhe tradhtarët të cilët në vend që të punonin për të mirën e kombit e lirinë e tij luftonin kundër interesave kombëtare. Satira e Fishtës e kapërcen edhe fazën e ironisë duke i goditur ata pamëshirë dhe duke i sulmuar ashpër deri në sarkazëm. Në këto poezi kemi mbizotërimin e notave realiste dhe përdorimin e një gjuhe shumë të thjeshtë dhe të kuptueshme nga lexuesi.
Disa vargje të shkëputura nga “Gomari i Babatasit” (Metamorfoza)
Ju rrugaca sallahana
vagabonda shakllabana
rriqna t`ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!

Pra duke shikuar që Fishta ishte një mjeshtër i pashoq i poezisë, i poemës, dhe i epopesë nuk mund ta lëmë pa përmendur edhe karakterin e tij krijues dramatik me tragjedinë “Juda Makabe”. Ai me të vërtetë mund të konsiderohet një gjeni ku edhe çdo shqetësim dhe mllef brenda shpirtit të tij e ktheu në art. Me anë të figurave letrare tradhtinë në këtë vepër e paraqet si një armë vrastare të kombit. Në këtë vepër kemi edhe himnizimin e të gjitha vlerave kombëtare i cili thekson se ato vlera nuk duhet të ishin të rëndësishme vetëm për shqiptarët e asaj kohe, por edhe për brezat e ardhshëm. Kjo vepër ka vlera të larta artistike dhe edukative kombëtare, ku theksohen tri parime kryesore: besa, uniteti kombëtar dhe tradhtia.
Fishta luajti një rol shumë të rëndësishëm si publicist me revistën e tij kulturore-letrare “Hylli i Dritës”, ku qëllimi kryesor i kësaj reviste ishte të ndikonte në formimin kulturor të Shqipërisë së asaj kohe.
Nuk duhet ta harrojmë kontributin e jashtëzakonshëm të Gjergj Fishtës si kryetar i Komisionit për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit më 1908. Ai luajti një rol kyç për njësimin e alfabetit të gjuhës së sotme shqipe.
Duke na lënë pas një pasuri të pashterueshme letrare e cila ka një influencë të madhe edhe në ditët e sotme. Çdo vepër ta marrësh e ta shfletosh sot është sikur e ka shkruar tani, pra ai diti të bënte një sintetizim të kohës së kaluar me kohën e tashme në mënyrë perfektë.
Ai e ruajti me fanatizëm identitetin e tij kombëtar nëpërmjet gjuhës së përdorur në veprat e tij letrare me një leksik të pasur plot me fjalë të reja të palëvruara nga të tjerët dhe me një figuracion të bollshëm letrar.
Tematikë kryesore dhe dominuese në veprat e tij ishte atdhedashuria dhe këtë e vërtetojmë edhe nëpërmjet vargjeve të mëposhtme:
Dersa t’mundem me ligjrue
E sa gjall me fryme un jam,
Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’permende kam.

Të gjitha këto bëjnë që jeta dhe veprimtaria e tij të jenë të pavdekshme. Jemi një popull me fat që e patëm një kolos të tillë në vendin tonë dhe që kurrë nuk u ndal t’i shërbente atdheut me pendë dhe dijet e tij të pashtershme.
Jemi krenarë që e kemi edhe më aktual se kurrë me anë të pasurisë dhe veprimtarisë letrare që ai na e la pas.

Të fundit

më të lexuarat