Filmi “Në gjirin e Ulqinit”, dëshmi e një kohe të pakohë

Gazmend Çitaku

Më 26 dhjetor 2023, në Prishtinë, u bë përurimi i filmit dokumentar “Në gjirin e Ulqinit”. Ky film është dëshmi e gjallë lidhur me ekzodusin Biblik të “Ikanikëve Dardanë” që u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Burim Baftiu është regjisori i këtij filmi i cili përmes dëshmive të katërmbëdhjetë ulqinakëve solli kujtime nga kjo periudhë shumë e vështirë për shqiptarët e Kosovës por edhe për vetë Ulqinin dhe ulqinakët.
Filmi “Në gjirin e Ulqinit”, siç u tha, vjen përmes dëshmive të njerëzve që ishin protagonistë të radhëve të para të angazhimit për strehim dhe kujdesin e të zhvendosurve kosovarë gjatë viteve 1998-1999. Në pamundësi të intervistohen të gjithë ata që ishin të përfshirë, sot disa nuk janë më në jetë e disa tjerë për shkaqe objektive, katërmbëdhjetë bashkëbiseduesit evokuan kujtimet e veta të asaj kohe dhe atyre momenteve të vështira.
Regjisori Bujar Baftiu, këta njerëz të thjeshtë profesionesh të rëndomta i quajti super heronj të asaj kohe. Heronj që kanë një punë të përditshme për sigurimin e mirëqenies së familjeve të veta dhe super heronj përmes solidarizimit të tyre me vëllezërit e vet kosovarë të cilët u gjendën përballë dhunës së pareshtur, vdekjes dhe shfarosjes kolektive.
Emine Ismajli, drejtoreshë e Organizatës “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”, tregoi se filmi është produkt vizual në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”. Ajo të pranishmit i njoftoi për misionin dhe punën që bën kjo organizatë dhe se filmi “Në gjirin e Ulqinit” edhe pse ndoshta pak me vonesë sjell dëshmi të kohës dhe uron që të mos jetë i vetmi, por ky film të shërbejë si model i mirë për filma tjerë me plot dëshmi nga kjo periudhë e veçantë nëpër të cilën ka kaluar populli ynë.
Në emër të delegacionit të ulqinakëve që erdhën në Prishtinë enkas për përurimin e filmit, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Kalasë – z. Ismet Karamanaga i cili tha: “Ne i kemi pritur dhe strehuar vëllezërit tanë kosovarë me zemra dhe me porta të hapura. Ata nuk na e kanë harruar këtë mirësi asnjëherë dhe tani ju na e ktheni neve përmes vizitave turistike në detin dhe qytetin tonë të bukur”.
Ulqinakët hapën së pari zemrat e pastaj edhe dyert e shtëpive dhe me “Bukë, kripë e zemër” pritën, strehuan dhe përcollën vëllezërit e vet kosovarë. Përjetuan së bashku frikën se çka do të sjellë e nesërmja. Ndihmuan shoku-shoqin që bashkërisht të përballojnë pengesat që ngrinin agresorët. Kosova në vitet 1998-1999 përjetonte momentet e saj më të vështira dhe e gjitha ajo dhunë projektohej edhe në vendet përreth. Kësisoj Mali i Zi e veçanërisht Ulqini nuk e kishin aspak të lehtë. Kosovarët e dëbuar nga shtëpitë e veta arritën edhe në Mal të Zi. Së pari në Rozhajë, e pastaj prej aty si vend më të sigurt zgjidhnin të vinin në Ulqin. Bujaria shqiptare që gjetën këtu nuk i la në rrugë, por u hapën dyert dhe çdokush kërkonte që të ndihmonte sipas mundësisë.
Kujtimet e veta përmes filmit i sollën: Ismet Karamanaga, Hadixhe Gjoni, Zylfije Duraku, Rexhep Lika, Gazmend Çitaku, Bilal Alaj, Syme Kokaj, Saubih Mehmeti, Mersiha Resulbegu Mavriq, Jusuf Lika, Hajredin Kovaçi, Ardiana Binakaj, Lekë dhe Jozo Brisku.
Ekskluzivisht për filmin janë shfrytëzuar dhe bërë publike pamje nga gazeta ulqinake “Kronika” që botohej në kushte lufte, videoxhirime të kohës nga Jusuf Lika dhe fotografi autentike të Gazmend Çitakut. Filmi përveç dhimbjes dhe katrahurës së kosovarëve rrëfen edhe triumfin e jetës dhe mirësisë. Se gjaku nuk është ujë ka treguar edhe solidarizimi i ulqinakëve të cilët së bashku me hallexhinjtë kosovarë ndanë të mirën dhe të keqen, frikën dhe gëzimin, bukën e ujin, jetën e vdekjen.
Dëshmitë rrëqethëse të përcjella me pamje dhe kuadro mirë të menduara dhe mjeshtërisht të montuara kanë bërë që një orë e njëzet e gjashtë minuta sa zgjatë filmi të zgjohen emocione dhimbjeje por edhe krenarie. Dhimbje për fatkeqësinë e përjetuar, kurse krenari për faktin që siç thotë njëri nga protagonistët “Lehtë kemi mundur të koritemi. Por jo. Zoti ia ndriçoi zemrat ulqinakëve e këta hapën zemrat dhe shtëpitë e veta për të mos u koritur me vëllezërit e vet”.
Këtë periudhë shumë të vështirë nuk duhet lënë në harresë. Duhet shkruar libra dhe xhiruar filma tjerë me dëshmi që janë të shumta dhe ende të freskëta. Andaj urojmë Organizatën “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes” për iniciativën për xhirimin e këtij filmi dhe inkurajojmë të tjerët që të xhirojnë filma tjerë dokumentarë të kësaj tematike.

Të fundit

më të lexuarat