Figurë emblemë e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti”-Skenderbeu në Krajë

Luljeta Avdiu – Cura

Aishja ka lindur në Kështenjë, më 1.09.1956. Është nënë e tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali. Që të tre kanë mbaruar shkollimin e lartë, fakultetin në Prishtinë.
Shkollën fillore e ka përfunduar në Kështenjë, ndërsa ciklin e ultë dhe klasët e larta në Ostros. Dy vitet e para të gjimnazit i kreu në Ulqin, ndërsa klasën e tretë dhe të katërt në Ferizaj, Kosovë me sukses të shkëlqyeshëm. Suksesi i arritur në shkollë të mesme, sidomos ai i arritur në Ferizaj i mundësoi regjistrimin pa provim pranues në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, grupi Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në vitin 1975. Gjatë studimeve ishte studente e dalluar. Për këtë ka qenë edhe shfrytëzuese e bursës së Universitetit .Vitin e fundit të studimeve u punësua në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu” në Ostros, më 1.12. 1979. Vitin e fundit e kreu me korrespondencë. Një vit shkollor punoi me kontratë. Atë vit shkollor, “kur unë fillova punë, drejtor i shkollës ishte Adem Hajdari të cilit i jam shumë mirënjohëse sepse më lironte nga puna kur kisha për të shkuar për të dhënë provimet në Prishtinë. Nuk ishte aspak e lehtë që të punoja e njëkohësisht edhe të studioja”, shprehet profesoresha gjatë bisedës.
Edhe përkundër vështirësive, punës dhe studimeve Aishja arrin që më 23.02.1981 të diplomojë dhe të marrë titullin profesoreshë e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Aishja është profesoresha e parë krajane. Tashmë Aishja ka dalë në pension pas 44 vjetësh punë në shkollën e Ostrosit. Gjatë karrierës saj ka përcjellë shumë gjenerata nxënësish. Gjatë bisedave me të në lidhje me karrierën e saj shprehet: “Përcolla shumë gjenerata të cilët sot janë mësues, juristë, ekonomistë, mjekë, inxhinierë etj.. ”Krahas punës me nxënës për shumë vite Aishja punoi edhe në bibliotekën e shkollës. Me angazhimin e saj, biblioteka e shkollës u shndërrua në një institucion kulturor shembull në rajon. Një vend të posaçëm në veprimtarinë edukativo- arsimore të profesoreshës së dalluar zënë edhe aktivitetet e lira. Me sukses, vite me radhë ajo ka udhëhequr Seksionin e letrarëve të rinj të shkollës, “Buzuku” me të cilët nxënës korri sukses nga viti në vit. Produkt i kësaj pune me këtë grup është edhe revista e shkollës “Valët” kryeredaktore e së cilës ka qenë deri me daljen në pension. Në të njëjtën kohë udhëhoqi me sukses të plotë Seksionin e recitatorëve të shkollës me të cilët ka marrë shpërblime të ndryshme në garat me karakter lokal dhe rajonal. Vlen të ceket se nxënësit e këtij seksioni në kategorinë e shkollave fillore janë shpërblyer me vendet e para, të dyta dhe të treta disa herë. Grupi i dramës që e udhëhoqi në shkollë kjo punëtore e zellshme e arsimit, zë një vend të veçantë në begatimin e jetës kulturore jo vetëm në shkollë e Krajë por edhe më gjërë.

Pothuaj për çdo vit ky seksion i udhëhequr nga profesoresha Aishe ka shfaqur nga një dramë me rastin e festës së Mësuesit, Ditës së Shkollës apo në kuadër të manifestimit “Në fillim të verës” që mbahej para më shumë se 25 vjetëve në Krajë. Disa drama që janë shfaqur dhe kanë pasur sukses të madh në Krajë dhe jashtë saj janë: “Halili e Hajrija” e Kolë Jakovës, komedia “I biri i lugatit” nga Kristë Berisha, “Pranvera nuk Vritet” nga Fadil Kraja, “Vatër e shuar”, dramë e shkruar nga nxënësja e klasës së nëntë Esmeralda Lekperi, “Besa” nga Sami Frashëri, “Parajsa e humbur” nga Myrteza Peza, “Nita” nga Josip Rela, “Për gjithë jetën” nga Fadil Kraja, “Jorgani” nga Fadil Kraja, “Për gjithë jetën” F. Kraja, “Çorapët e leshta” F. Kraja, “Takimi “ Fadil Kraja ,”Stina e Lumturisë” Esmeralda Lekperi nxënëse e shkollës dhe anëtare e grupit letrar dhe dramatik, “ Sot tetë ditë” Josip Rela etj.

Për shkak të angazhimit të profesoreshë Aishe Gjeçbritaj spektatori shumë herë u kënaq shpirtërisht nga shfaqja e dramave dhe në këtë mënyrë u jetësuan bukur veprat e shkrimtarëve të mëdhenj, ndërsa te nxënësit u ndezën shkëndija që në të ardhmen mund të bëhen yje.
Me të drejtë Nikolai Gogol ka shkruar: Drama merr jetë vetëm në skenë. Drama pa skenë është si trupi pa shpirt.

Mbresë takimi
Vasha e sprovuar për beteja
Qibrije DEMIRI: “Zëri i Rinisë”
Prishtinë, Korrik 1986
Njerëzit janë të prirë shpesh të shkruajnë për ndarjet. Ato sikur dhëmbin më shumë, sikur kushtojnë më shumë. Më rrallë njerëzit shkruajnë për takimet, mbase se njeriu kur është i uritur e di më mirë ç’është buka, ose mos vallë nga natyra njeriu është më shumë pesimist se optimist (?!)
Ndryshe, pse njeriu më gjatë e mban në vete pikëllimin, dhimbjen, humbjen se sa gëzimin, dashurinë, fitoren… ndoshta pse këto të dytat duhet t’i takojnë njeriut, e të parat sikur janë kundër tij. Megjithatë po mos të ishin ato të parat, ç’kuptim do të kishin të dytat. Thënë shkurt, po të mos ishin ndarjet ç’kuptim, ç’dhimbje të bukur do të kishin takimet?
Ky mendim (mbase pa thellësi) më vjen si valë deti pas takimit me shoqen e ngushtë.
Ka vite që s’ishim parë! (Ç’janë këto vite për perandorinë kohë?)
Por, shumë për një jetë njeriu!
Dhe… autobusi ecën drejt teje, drejt Ostrosit. Përpinë gjithë ata thepa, gjithë ato thellësi deti që provokojnë edhe meditimin tim.
…Jeta na pat takuar në Gjimnazin e Ferizajt (ku tjetër pos në shkollë – si fluturat që takohen rreth dritës). Ajo na mbajti së bashku derisa realizuam ëndrrën tonë-fakultetin. Ti u ktheve pastaj këtu në Malësi, unë vazhdova në qytet me fëmijë…
Gjatë këtij udhëtimi nuk mund t’i shmangesha dot ndjenjës se ato ditë, kur ti u nise për në Kosovë, mbi supe kishe ngarkuar tërë këta shkëmbinj të Krajës që të përcollën deri në Grykën e Rugovës, e pastaj u hijesuan në sytë e tu me ngjyrë të Liqenit të Shkodrës, në të cilin kishe larë faqet dhe kishe matur thellësinë e tij me të zemrës sate…
Zemra jote vërtetë ishte e madhe , ndryshe nuk do mund të zinte gjithë atë dashuri për Krajën për punën, nuk do t’i zinte gjithë ato porosi, ato ëndrra e dëshira, ato kërkesa të njerëzve tu që të kthehesh në Krajë e të ndezësh dritën e së resë.
Dhe ti, pas gjithë atyre mbrëmjeve pa gjumë, herë-herë edhe pa darkë, u diplomove me notën mesatare mbi tetë. Dhe them edhe sot me zërin lart, se nuk është pak! Ti vajzë e prindit që s’din mirë të shkruajë shqip, që më vite punoi në Tivar dhe e nënës krajane, diplomove me kohë dhe u ktheve në gjirin e Rumisë, në gjirin e bjeshkëve-pjesë e pandarë e të cilave ishe. (Shumë shoqe nga qendrat tona patën mbetur në rrugë-dembelia i pat zënë!).
…Sot, kur bisedojmë, më zgjon ndjenjën e krenarisë, ngado që eci me ty Krajës më flet për nxënësit, për mësueset krajane, për atë se shtypi kosovar pas sezonit veror arrin për bibliotekën e Ostrosit – dhuratë nga “Rilindja”. Ti profesoresha Ajshe, shton se kjo bibliotekë nuk i plotëson nevojat e gjithë nxënësve të sh.f. “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe se posaçërisht mungon lektyra shkollore. (Bibliotekisti na pret mirë dhe tregon se biblioteka ka tre mijë libra dhe se do të ketë më shumë.)
Profesoreshën Ajshe e brengos fakti se është e vetmja femër në tërë Krajën me fakultet dhe flet se vajzat sikur ngurojnë të shkëputen nga këto hije shkëmbinjsh…
Ecim nëpër peizazhet e ashpra-ajo me dy vogëlushët për dore dhe vazhdojmë të çmallemi…e mendoj, derisa s’ngopemi së foluri, se malli qenka si kroi, nuk shteron kurrë…
Me profesoreshë Aishe Gjeçbritaj jam takuar në shkollën e Krajës në vitet 2007 dhe 2011 kur me nxënës dhe kolegë vizituam shkollën e Krajës.

Takimi me këtë pedagoge të veçantë dhe jo vetëm, ishte një kënaqësi e madhe dhe një motiv në punën time pedagogjike.
Profesoreshën në fjalë e kam ftuar në ceremoninë e hapjes së ekspozitës me titull “Veshja dhe piktura tradicionale në modernitet” me autore Erodita Qorkadiu Haxhiu-etnologe dhe Valdete Berisha-piktore, organizuar nga shoqata “Labeatët”- në bashkëpunim me grupin e grave –Ulqin në mars 2018.Në këtë aktivitet profesoresha në fjalë erdhi e veshur me veshjen krajane dhe me meritë përfaqësoi këtë trevë.

Shpresoj se shumë mësimdhënës prof. Aishe Gjeçbritaj do ta marrin si shembull në karrierën e tyre dhe krahas mësimdhënies në klasë të angazhohen me përkushtim për artin e bukur skenik dhe ndriçimin e mendjes së gjeneratave.

Respekt dhe mirënjohje për këtë brez të veçantë të mësimdhënësve!

Të fundit

më të lexuarat