Më 10 korrik 2025, Prishtina u shndërrua në epiqendrën e shpirtit shqiptar. Në Sheshin “Zahir Pajaziti” u mbajt me krenari Festivali Mbarëkombëtar i Valles Dyshe “Dyshja na bashkon”, një ngjarje e cila nuk ishte thjesht një aktivitet artistik, por një përqafim i madh mes shqiptarëve nga të gjitha trevat. Organizuar me përkushtim nga “Newborn Kosova”, me qëllim që t’i japë zë dhe gjallëri pasurisë së trashëgimisë sonë kulturore.
Ky festival, i cili u prit me interes të jashtëzakonshëm nga publiku, mblodhi në Prishtinë çiftet më të talentuara valltare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, si dhe nga Mali i Zi, duke dëshmuar se arti dhe dashuria për kulturën janë ura të forta që lidhin zemrat shqiptare pavarësisht ndarjeve gjeografike.
Që në orën 19:00, qyteti nisi të pulsojë me ritmet e veglave tradicionale – daulleve, çiftelive, fyejve – që shoqëronin mjeshtërisht lëvizjet e valleve dyshe, të cilat përmes gjuhës së trupit përcillnin histori dashurie, sakrifice, gëzimi dhe krenarie. Prania e madhe e qytetarëve, artistëve dhe dashamirësve të folklorit dëshmoi se interesi për trashëgiminë shpirtërore shqiptare jo vetëm që nuk është shuar, por po rritet çdo ditë.
“Trojet Tona” dhe magjia e Anës së Malit
Në mesin e pjesëmarrësve që lanë gjurmë të veçanta në këtë festival, ishte edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Trojet Tona” nga Ulqini. Ky grup përfaqësoi me dinjitet Anën e Malit, një zonë e pasur me trashëgimi kulturore, e cila këtë herë solli në skenë një interpretim prekës të valles së njohur “Xhemilja e Anës së Malit”.
Ajo që emocionoi publikun deri në thelb ishte rikthimi pas më shumë se 40 vitesh në skenë i valltares Zana Sarvan, e cila interpretoi krahas artistit të njohur Shefqet Luca – një figurë e spikatur e jetës artistike shqiptare në Mal të Zi. Prania e tyre solli duartrokitje të zjarrta dhe mallëngjim, duke dëshmuar se arti dhe pasioni nuk njohin moshë.
Ky duet unik nuk ishte vetëm një shfaqje artistike, por një dëshmi e gjallë se arti i vërtetë është i pavdekshëm. Prandaj, jo rastësisht, AKV “Trojet Tona” u nderua me Çmimin e Veçantë dhe një Mirënjohje të posaçme, për kontributin e tyre të vyer në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tradicionale shqiptare.
Përtej konkurrencës artistike, festivali shërbeu si një pasqyrë e shpirtit të përbashkët shqiptar, ku çdo valle përcillte më shumë se lëvizje koreografike – ajo përcillte një identitet, një histori dhe një ndjenjë që na bashkon të gjithëve. Ishte një natë ku nuk kishte rëndësi se nga cilat anë të trojeve shqiptare vinin valltarët; të gjithë ishin një në gjuhë, në ndjesi dhe në dashurinë për traditën.
Kjo ngjarje e veçantë konfirmon edhe një herë tjetër nevojën e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore, në një kohë kur globalizimi po sfidon vazhdimisht kulturat lokale. Por shqiptarët, përmes këtyre aktiviteteve, dëshmojnë se janë të gatshëm të mbajnë gjallë atë që i veçon – shpirtin e traditës, forcën e bashkimit dhe dashurinë për tokën dhe historinë e tyre.
D. Teliqi
