Ulqin – Në zemër të qytetit bregdetar të Ulqinit, të enjten, më 1 maj 2025, u çel me solemnitet edicioni i 14-të i Panairit Ndërkombëtar të Artizanatit “Globus Art”, një ngjarje tashmë tradicionale që ka fituar një vend të veçantë në kalendarin kulturor dhe turistik të rajonit.
I zhvilluar në ambientet e bukura të Pazarit të vjetër të artizanateve, tashmë të rindërtuar, ky panair mblodhi së bashku artistë të arteve pamore dhe artizanë nga mbarë rajoni, të cilët ekspozuan punimet e tyre unike, frymëzuar nga trashëgimia kulturore, natyra dhe identiteti lokal. Organizuar nga Shoqata “Globus Art”, nën drejtimin e kryetarit Ramiz Hajdari, ngjarja u realizua me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, Organizatës Turistike dhe Ndërmarrjes për Veprimtari Komunale, të cilët luajtën një rol kyç në realizimin dhe përkrahjen e aktivitetit.
Panairi u shënua gjithashtu nga prania e veçantë e artistes Jellena Vushuroviq, e ftuar speciale e këtij edicioni, e cila me praninë dhe krijimtarinë e saj i dha një dimension të veçantë artistik kësaj ngjarjeje.
Në fjalën përshëndetëse, Ramiz Hajdari theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti për promovimin e vlerave autoktone dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
“Panairi i Artizanatit është bërë tashmë pjesë e identitetit kulturor të Ulqinit. Ai nuk është vetëm një treg i produkteve artizanale, por një platformë për shkëmbim kulturor, bashkëpunim rajonal dhe për ta hapur sezonin turistik me energji dhe kreativitet”, tha ai.
Gjatë katër ditëve (1-4 maj 2025), vizitorët patën mundësinë të shijojnë një gamë të gjerë produktesh artizanale – nga punimet në dru, qeramikë, tekstile të punuara me dorë, bizhuteri artizanale, deri te pikturat dhe instalacionet artistike. Artizanët pjesëmarrës, të ardhur nga treva të ndryshme të Ballkanit, ndanë përvojat dhe emocionet e tyre, duke nënvizuar rëndësinë e panairit si një mundësi për t’u njohur më nga afër me publikun dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me artizanë të tjerë.
Përveç ekspozitave, panairi ofroi edhe aktivitete kulturore, punëtori artizanale dhe performanca artistike, të cilat e pasuruan përvojën e vizitorëve dhe krijuan një atmosferë festive në qytet.
Panairi “Globus Art” mbetet një shembull i shkëlqyer i angazhimit të komunitetit në promovimin e kulturës, trashëgimisë dhe turizmit të qëndrueshëm. Me një organizim të suksesshëm dhe pjesëmarrje mbresëlënëse, ky aktivitet dëshmon se Ulqini është jo vetëm një destinacion turistik, por edhe një qendër e rëndësishme e krijimtarisë dhe artizanatit në rajon.
D. Teliqi