Festa e Flamurit u shënua në mënyrë simbolike

Guci/Plavë – 28 Nëntori – Festa e Flamurit Kombëtar, festa e ditës kur më 28 nëntor 1443 në Krujën legjendare, trimi jonë kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ngriti flamurin kuq e zi, dhe më 28 nëntor të vitit 1912, kur në Vlorën heroike, plaku legjendar Ismail Qemajli me patriotë të tjerë kombëtarë, ngriti lart flamurin kuq e zi me shkabën dy krenare, me ç’rast shteti amë – Shqipëria, u shpall shtet i pavarur dhe sovran, 28 nëntori, shënimi i ditëlindjes së 66-të të komandantit legjendar Adem Jashari nga Prekazi heroik i Kosovës, këtë vit, në komunat e Plavës dhe Gucisë, u shënua në mënyrë simbolike, për shkak të masave pandemike që janë në fuqi, për parandalimin e Covid-19.
Në pamundësi për të organizuar dhe mbajtur takime, tubime dhe akademi solemne në ambiente të mbyllura për shënimin dhe manifestimin e kësaj dite madhore e historike gjithëkombëtare shqiptare, si viteve të mëparshme, kësaj radhe, Festa e Flamurit u shënua kryesisht në ambiente të hapura. Filloi në mbrëmjen e ditës së festës, me vendosjen e flamujve kuq e zi në ballkonet dhe çatitë e shumë shtëpive familjare shqiptare në vendbanimet rurale në të dyja komunat, në ato të qyteteve të Plavës e Gucisë dhe në objektet e ca institucioneve e ndërmarrjeve të tyre. Në orët e paraditës të ditës së festës, rinia plavo-guciane (djem e vasha), me ca dhjeta automjete, organizoi marshimin (rrugëkalimin) përgjatë rrugës rajonale Guci – Plavë – Guci, me valvitje të një e dy flamujve kuq e zi në secilin automjet. Ata pastaj në sheshin e Gucisë përformuan këngë dhe valle kushtuar kësaj feste madhore.
Shënimi i Ditës së Flamurit, u manifestua edhe në Shkollat Fillore “Hajro Shahmanoviq” të Plavës, e “Xhafer Nikoçeviq” të Gucisë, dhe në Shkollën e Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” të Plavës, në të cilat mësimdhënësit e historisë, nxënësve u mbajtën ligjërata kushtuar Ditës së Flamurit, ndërsa ata të gjuhës dhe letërsisë shqipe, me nxënës organizuan dhe mbajtën recitime dhe recitale kushtuar festës.
Në orët e mbrëmjes së ditës së festës, të rinjtë plavo-gucianë, të shoqëruar edhe me më të moshuar, ca çaste solemne i kanë kaluar në lokalet e disa objekteve hotelerike të Plavës dhe Gucisë, duke i shprehur njëri-tjetrin urime dhe dolli për festën e pritur, por gjithsesi duke i respektuar masat pandemike në fuqi.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat