Fëmijët dhe të rinjtë do t’i ndiejnë pasojat për një kohë të gjatë

Kryetari i Fondacionit “Studenti”, Hajredin Kovaçi, ka thënë se qëllimi i projektit është që të rinjtë të edukohen për t’i menaxhuar në mënyrë efektive pasojat nga COVID-19, po ashtu njohja me përvojën e të rinjve me mësimin online si dhe rrugët për tejkalimin e pasojave në procesin mësimor, por sidomos përballjen sa më lehtë të pasojave eventuale në shëndetin e tyre mendor

“Ndikimi i COVID-19 në shëndetin mendor të të rinjve” ishte tema e tryezës së rrumbullakët që u organizua të shtunën nga Fondacioni “Studenti” në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin. Lidhur me këtë temë kanë ligjëruar mjekja Egzona Pali dhe psikologia Ardita Kovaçi.
Në ligjëratën e saj me temë “Aspekte të trajtimit të COVID-19 në Shtëpinë e Shëndetit – Ulqin”, dr. Egzona Pali ka folur mbi përvojën e ballafaqimit me koronavirusin SARS-CoV-2 në këtë institucion shëndetësor. Ajo ka dhënë një pasqyrë të përgjithshme të menaxhimit të pandemisë në Shtëpinën e Shëndetit në Ulqin.
Pali ka ndarë me pjesëmarrësit në tryezë disa prej pyetjeve më të shpeshta që i kanë shoqëruar mjekët në përballjen me pandeminë gjatë dy viteve të fundit.
Ajo ka thënë se COVID-19 mund të thuhet se është ndarë në tri faza.
“Faza e parë dhe e dytë ishin më agresive sa i përket intensitetit të shtrirjes së virusit dhe përkeqësimit të simptomave. Kurse faza e tretë ishte karakteristike, sepse e preku shumë grupmoshën e re, nga 20-35 vjeç”, ka thënë mjekja.
Pali ka thënë se në luftën kundër pandemisë hapi i parë në aspektin e organizimit shëndetësor ka qenë transformimi i sistemit shëndetësor duke krijuar një shërbim të veçantë për COVID-19.
Ndër problematikat kryesore të përballjes me COVID-19, mjekja ka theksuar mungesën e një spitali në Ulqin.
“Mungesa e spitalit në Ulqin ka çuar në mbingarkesë në spitalin rajonal të Tivarit”, ka thënë Paki, duke theksuar se problem tjetër në disa periudha gjatë kësaj situate ka qenë edhe mungesa e medikamenteve.
Psikologia Ardita Kovaçi ka trajtuar në ligjëratën e saj ndikimin, pasojat dhe rikuperimin e fëmijëve dhe të rinjve nga COVID-19.
Duke iu referuar rezultateve të anketimeve të kryera nga UNICEF-i, Kovaçi ka thënë se ndikimi i COVID-19 në shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve vazhdon të peshojë shumë.
“Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga UNICEF, globalisht, të paktën 1 në 7 fëmijë është prekur drejtpërdrejt nga bllokimet, ndërsa më shumë se 1.6 miliardë fëmijë kanë pësuar njëfarë humbjeje në arsim. Ndërprerja e rutinave, edukimit, argëtimit, si dhe shqetësimi për të ardhurat dhe shëndetin e familjes, i ka bërë shumë të rinj të ndihen të frikësuar, të zemëruar dhe të shqetësuar për të ardhmen e tyre”, ka thënë ajo, duke cituar raportin e UNICEF-it, sipas të cilit, “fëmijët dhe të rinjtë do t’i ndiejnë pasojat e COVID-it në shëndetin mendor edhe për një kohë të gjatë”.
Kovaçi ka potencuar rëndësinë e shëndetit mendor, si njëri ndër komponentët më të rëndësishëm të zhvillimit dhe rritjes së shëndetshme të një fëmije, i cili përfshin mirëqenien e plotë dhe zhvillimin optimal të një fëmije në aspektet emocionale, të sjelljes, sociale si dhe atë të njohjes.
“Fëmijët që gëzojnë shëndet të plotë mendor kanë një kualitet më të mirë të jetës, janë shumë më pozitivë dhe arrijnë të jenë më bashkëpunues dhe bashkëveprues në kryerjen e detyrave dhe obligimeve ditore si në shtëpi, shkollë, apo edhe në ndërveprim me bashkëmoshatarët e tyre”, ka thënë ajo.
Kryetari i Fondacionit “Studenti”, Hajredin Kovaçi, ka thënë se qëllimi i projektit është që të rinjtë të edukohen për t’i menaxhuar në mënyrë efektive pasojat nga COVID-19, po ashtu njohjen me përvojën e të rinjve me mësimin online si dhe rrugët për tejkalimin e pasojave në procesin mësimor, por sidomos përballjen sa më lehtë të pasojave eventuale në shëndetin e tyre mendor. Ai ka treguar se pjesë e projektit ka qenë edhe konkursi për ese letrare me temë “Kohë lëngate”.
Në tryezë kanë marrë pjesë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, përfaqësues të pushtetit vendor, Shkollës së Mesme në Ulqin, organizatave joqeveritare etj. Ajo është zhvilluar në kuadër të projektit “Ndikimi i COVID-19 në shëndetin mendor të të rinjve”, i financuar nga Komuna e Ulqinit me mbështetjen e Komunës së Ulqinit në konkursin për organizatat joqeveritare për vitin 2021.


U ndanë çmimet për fituesit e konkursit për ese letrare

Fondacioni “Studenti” ka ndarë të shtunën çmimet për fituesit e konkursit për ese letrare me temë “Kohë lëngate”, i cili u zhvillua në kuadër të projektit “Ndikimi i COVID-19 në shëndetin mendor të të rinjve”.
Nga 22 punime sa kanë arritur gjithsej në konkurs, juria e përbërë nga Liridona Sinishtaj – Doçe, studiuese e letërsisë, dhe Argëzon Sulejmani, poet, ka vlerësuar me Çmimin e Parë esenë e Ildorina Lekperiqit, nxënëse e Shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Ostros. Me Çmimin e dytë është vlerësuar eseja e Arbana Curës, nxënëse e Shkollës fillore “Boshko Strugar” – Ulqin, kurse me Çmimin e tretë Abida Lulanoviq, nxënëse e Medresesë “Mehmed Fatih” – Tuz dhe Irena Pepgjoniviq, nxënëse e Shkollës fillore “Marshall Tito” – Ulqin.
Fituesit e çmimeve janë shpërblyer me të holla dhe certifikata.
Të drejtë pjesëmarrjeje në konkurs kanë pasur nxënësit e shkollave shqipe dhe studentët shqiptarë në Malin e Zi.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat