Në dy-tre vitet e fundit, Tirana zyrtare e ka dëmtuar më shumë Kosovën se kushdo tjetër, ka thënë shkrimtari, publicisti dhe analisti nga Maqedonia e Veriut, Kim Mehmeti, në takimin e hapur që është zhvilluar të mërkurën (5 korrik 2023) në Librarinë “Ulqini”, me temë “Kosova në udhëkryqet gjeopolitike dhe gjeostrategjike”.
Duke iu referuar situatës në Kosovë dhe qëndrimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ai ka thënë se është nga ata që mendon se “kur vëllai yt përballet me armikun e familjes tënde, është shumë e pandershme t’i gjesh të meta, edhe kur i ka, edhe nëse i ka, sepse nëse asgjë tjetër, ata armiqtë i nginë, i kënaq, ua bën qejfin”.
“Nuk mundeni ju në momentin kur vëllai juaj e ka më së vështiri, t’ia anuloni shkuarjen, siç ishte mbledhja e dy qeverive. Atë s’duhet ta bësh, vetëm nëse je Enver Hoxha”, ka pohuar Mehmeti.
Ai ka thënë se fatkeqësia e shqiptarisë sot është sepse jemi si popull pa mëmëdhe.
“Ne nuk e kemi atë që e kanë serbët e Kosovës. Ne nuk kemi shtet mëmëdhe që të qëndron prapa, që ndoshta edhe të manipulon, por të qëndron prapa dhe ti ndjehesh i sigurt, sepse e din që pa pagë mujore nuk mbetesh, bile s’mund as të të burgosin”, ka theksuar shkrimtari.
Duke mos dashur që ta cilësojë si tradhti veprimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe qëndrimet e tij të fundit ndaj Kosovës, Mehmeti ka thënë se ato për të janë iracionale.
“Unë nuk them ‘tradhti’, por aq mospasje sens për shqiptarinë, aq mospasje ndjesi për shqiptarinë, për familjen tënde, mua më duket iracionale”, është shprehur ai.
Albin Kurti – politikani që ka shumë burrëri, edhe shumë shqiptari
Shkrimtari, publicisti dhe analisti nga Maqedonia e Veriut ka mohuar se ai e mbron verbërisht Albin Kurtin, sepse siç ka thënë, për këtë nuk ka asnjë arsye.
“Unë si shkrimtar, në pozitën që jam, kam vetëm një vijë të kuqe – shqiptarinë, kurrgjë tjetër”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka thënë se, për dallim prej shumë politikanëve të tjerë të Kosovës, të cilët e kanë shfrytëzuar pushtetin në periudhën e pas luftës për t’u pasuruar, Albin Kurti është politikani i vetëm i cili e flijon vetveten për shtet e për popull, e nuk e flijon shtetin e popullin për vetveten.
“Këtu dallojnë. Kjo i iriton të gjithë. Besomëni, kjo është ajo që i iriton të gjithë politikanët, bile edhe në Ballkan. Kjo i iriton edhe një pjesë të ndërkombëtarëve, sepse ata u mësuan me hajdutë si Kimi, si Hasani, që t’i thonë: shiko, nënshkruaje, sepse ne e dimë se kush je”, ka theksuar Mehmeti, duke shtuar se Kurtit mund t’i thuhet që s’ka shumëçka, por ka shumë burrëri, edhe shumë shqiptari.
Rrënimi i vlerave të shoqërisë dhe politikani hajdut
Sipas Mehmetit, gjatë periudhës së transicionit kanë ndodhur shumë deformime dhe fenomene negative, por ajo që është më e rrezikshme është fakti se janë rrënuar disa vlera që ne si popull dhe shoqëri i kemi pasur dhe i kemi trashëguar nga paraardhësit.
“Me qëllim u rrënuan disa vlera që nuk janë në ligj, edhe që nuk mund t’i mbrosh me ligj, që ta kenë ata më lehtë, çdo gjë destruktive… Prandaj u bëmë shoqëri ku shumëçka shkon në mënyrë të ngutshme drejt destruktivitetit. U bëmë mandej shoqëri ku vetë sistemi nuk e pranon të ndershmen, se e pengon atë, e pengon kolegun tënd. Prandaj duhet të bëhesh hajdut, sepse nëse mbetesh i ndershëm, ti u pengon të gjithëve”, ka thënë ai.
Gjëja më trishtuese, sipas Mehmetit, është fakti se këto janë gjëra që nuk i fshehin më, sepse ka ardhur puna deri aty sa “është e turpshme të tupërohesh”.
“Ju e shihni në Kosovë kush del dhe thotë: më interes kombëtar është ta rrëzojmë Albinin?! Njeriu që në mes të Prishtinës e ka shtëpinë dy milionë euro, që merr në muaj nga qiraja 100 mijë, 200 mijë euro. Domethënë, nuk kanë më as turp, as frikë, s’e kanë frikën e popullit. A e din pse s’e kanë frikë popullin? Se dikur sundonin me parimin ‘Përçaj e sundo’, tani sundojnë me parimin ‘varfëro e sundo’”, ka thënë ai.
Shkrimtari ka thënë se kjo situatë do të marrë fund kur hajdutët e sotëm do të kenë nevojë ta mbrojnë pronën e vet.
“Kur ata do të kenë nevojë për gjykatës që do të zbatojë ligj, për polic që do të zbatojë ligj… Tani për tani, ata nuk kanë nevojë për këtë, kanë nevojë për diçka të kundërt, që të mos zbatohet ligji”, është shprehur Mehmeti.
Ai ka thënë se shtetet e Ballkanit nuk janë shtete normale, bile nuk funksionojnë fare si shtete në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, sepse nuk funksionon sistemi qeverisës dhe partitë nuk janë parti politike, por sekte ku mblidhen dhjetë vetë dhe vendosin.
“Partitë janë ato që punësojnë, të bëjnë edhe ministër duke qenë edhe pa përvojë, edhe i pashkolluar, edhe i paditur. Edhe të bëjnë edhe më pasanik”, ka thënë Mehmeti.
Në këtë deformim shoqëror që ka ndodhur në shoqërinë tonë dhe shtetet e Ballkanit, për të pasur sukses në karrierë, veçmas në fushën e politikës, duhet të posedosh vetëm një gjë: që të mos kesh turp, që të mund të durosh kur të thonë se je hajdut.
“Hajdutëria u bë pjesë e politikës. Te ne u rrënuan disa standarde që posaçërisht i kishte shoqëria shqiptare. Te ne, për shembull, atje në vendbanimin tim, sikur të të thonin ‘hajdut’, ti s’mund të dilje në lagje prej fëmijëve se edhe ata të gjuanin me guralecë. Se ajo ishte diçka e paimagjinueshme. Po sot atë ia thonë njëri-tjetrit në TV, para gjithë popullit dhe kurrgjë. Domethënë, çfarë ndodhi? I rrënuam disa standarde pa të cilat nuk mund asnjë shoqëri të funksionojë”, është shprehur Mehmeti.
Arsimin në Maqedoni e shkatërruan vetë shqiptarët
Mehmeti ka folur edhe për arsimin në Maqedoninë e Veriut, ku sipas tij, arsimin shqip e kanë shkatërruar vetë shqiptarët, jo maqedonët, gjë që po u kushton shtrenjtë shqiptarëve.
Ai ka thënë se ka dy mënyra se si mund ta shkatërrosh një popull pa përdorur asnjë pëlumb: nëse ia ndal arsimin, ose nëse ia shkatërron arsimin.
“Dhe shkatërrimi ndonjëherë është më i rrezikshëm. Sepse i arsimuari i rrejshëm, doktori i shkencave që nuk din asgjë, ai prodhon pastaj injorantë si vetvetja. Kurse i paarsimuari njeri i mirë, ai prodhon njerëz të mirë. Ai nuk të prodhon shkencëtarë, ama të prodhon njerëz të mirë”, ka thënë Mehmeti, duke argumentuar tezën e vet.
Ai ka thënë se në Maqedoni ka ndodhur varianti më i keq, më i rrezikshëm për një popull, i shkatërrimit të arsimit. Për këtë ai ka fajësuar politikën shqiptare në Maqedoni, ku Ministria e Arsimit pothuajse rregullisht që prej pas luftës është drejtuar nga një ministër shqiptar.
“Për dallim nga Mali i Zi, atje fajtor jemi ne. Atë e bënë partitë politike, sepse u bënë të gjithë doktorë shkencash dhe çdo ministër që dështon, bëhet profesor në Tetovë. Domethënë ne, edhe ngaqë duam shpejt të mbarojmë fakultet, na konvenojnë profesorët që dinë më pak se studentët, edhe që ta jep notën kaluese”, ka thënë Mehmeti.
Përkundër situatës jo të mirë në fushën e arsimit, sipas tij, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar edhe disa të arritura, sidomos në fushën e shëndetësisë ku mjekët shqiptarë janë ndër më të mirët, policët shqiptarë që nuk ke pasur më herët i ke sot kudo etj.
Shkrimtari, publicisti dhe analisti ka folur në takim edhe për çështje të tjera dhe është përgjigjur në pyetjet e publikut të pranishëm.
Ky ishte takimi i dytë me Kim Mehmetin në Librarinë “Ulqini” pas atij të zhvilluar në shtator të vitit të kaluar. Takimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me Librarinë “Ulqini”.
i. k.
