Gjylie Rexha
I afrohem sërish kufirit të njohur Muriqan-Sukubinë, është e vetmja pikë kufitare që më trondit. E kam parë si ndryshon përgjatë viteve. Unë i dua ndryshimet dhe nuk do të duhej të ndieja as tronditjen, as drithërimën e papërshkrueshme, sa herë që i afrohem. Por, aty ndryshimi më kthen në një kohë, që shumëkush e quante kohë pa kohë e gjeneratave që i cilësonin të pafat.
Ajo politikë largpamëse, e vullnetshme, e bindur se kufijtë, luftërat, pushtimet luftohen me pendë, po aq sa me pushkë, nuk u pajtua me konstatimet e rëndomta për gjeneratat e pafat. Vendosi t’i bëjë me fat, duke krijuar për ta mundësinë e shkollimit në Mëmëdheun, që ata para nesh e kishin të ndaluar ta shihnin edhe në ëndërr. Ata politikanë që filluan të rrënojnë me shkollim kufijtë brendashqiptarë, janë meritorët kryesorë dhe falënderimi i parë është për ta.
Ishte cepi i fundit i asaj epoke kur aty as nuk kishte pikë kufitare. Deri në atë kohë, aty kishte një kufi të madh, të ngritur për të ndarë, jo thjesht shtete. Vetë ajo kohë po bëhej kufi, ndërmjet rendit dhe sistemit që po binte dhe realitetit të ri në embrionin e tij. Shumë qendra dhe interesa ndërthureshin në atë kohë-kufi-kohë pa kohë. Të bërit politikë, për dhe në disa prej qendrave ishte akt atdhedashurie, patriotizmi, po aq sa vizioni. Dhe, ajo politikë largpamëse, e vullnetshme, e bindur se kufijtë, luftërat, pushtimet luftohen me pendë, po aq sa me pushkë, nuk u pajtua me konstatimet e rëndomta për gjeneratat e pafat. Vendosi t’i bëjë me fat, duke krijuar për ta mundësinë e shkollimit në Mëmëdheun, që ata para nesh e kishin të ndaluar ta shihnin edhe në ëndërr. Ata politikanë që filluan të rrënojnë me shkollim kufijtë brendashqiptarë, janë meritorët kryesorë dhe falënderimi i parë është për ta. Më vonë shumë prej tyre, kanë qenë pjesë e punës sime, që lidhet me shkollën që kanë mundësuar për gjeneratat e pafat.
Për studime në Tiranë
Kolona po ec ngadalë. Për mirë a keq, kjo më jep kohë të vazhdoj përhumbjen. Vau që kërkoj, mbase është fshehur edhe më shumë nën degët e drunjve. Ato më mbesin të vizatuara në mendje, njësoj si rruga e lagshtë përmes tyre dhe ajo aroma e tokës pas shiut. Edhe përhumbja nëpër to më shndërron sërish në atë vajzën e trembur, por të guximshme, ndoshta nga mosnjohja e mosdija, që shkel rregulla e regjime kufitare, në ngarendjen drejt një diçkaje, që mbase ëndërr mund të përkufizohej, por që në atë pështjellim përmblidhej në një fjali: “Po shkojmë për të studiuar në Tiranë”. Sa herë e kemi thënë këtë fjali për të bindur edhe veten edhe të tjerët, që na shikonin, disa me mosbesim, të tjerë me admirim, shumëkush me (para)gjykim, ndokush me drojë dhe shqetësim.
Hera e parë që e kemi përdorur ende më duket më e rënda. Ka qenë për ushtarët pasi kishim hyrë në tokën e Mëmëdheut dhe as nuk prisnim ndonjë pengesë tjetër deri kur të ktheheshim te vau, pasi të kryenim procedurat e regjistrimit në Universitetin e Tiranës. Në atë shkollë dhe në ato studime kam mësuar edhe atë, se sa ngadalë ndodh që të komunikohet politika në nivelet e zbatuesve të saj, sidomos kur ata janë larg dhe në rrethana krejt tjera nga të sotmet. Por, aty dhe atëherë as nuk dija as nuk kuptoja, e aq më pak arsyetoja me njohjet e mëvonshme, të krijuara pak nga pak e nga njëra përvojë në tjetrën. Secila prej tyre mund të jetë rrëfim më vete dhe pjesë e rrugëtimeve të përsëritura, por tjetërkah dhe jo për këtë fillim vjeshte të rrumbullakuar në një përvjetor të veçantë.
Rrugica e pritjes
Më në fund kolona po lëviz. Pa e ndier fare hyjmë në territorin, që prej asaj kohe ka ndryshuar vazhdimisht, derisa është bërë shteti im me kufi të integruar me Mëmëdheun. Disa dhjetëra kilometra diçka ka mbetur e pandryshuar. Një pritje në njërën prej rrugicave, ndërmjet urave dhe tunelit të Klleznës. Aty kuptoj se pritja mban emrat e tyre. Për 30 vjet presin dhe jetojnë vajtje- ardhjet e mia. Prindërit që dikur guxuan të më përcillnin në atë kohë për shumëçka pa kohë, përtej kufijve. Janë thinjur tashmë edhe me fajin tim, por kanë mbetur po ata. Ka shumë kohë që kam kuptuar se me thjeshtësinë dhe guximin e tyre për të më besuar dikur, kanë gdhendur e formësuar shembullin e prindërve luftëtarë kundër ndarjeve e ndasive, më së paku gjeografike, mesatarisht historike e politike, më së shumti të perceptimeve, gjykimeve e paragjykimeve. Ata dhe të tjerët nga grupi i atyre që pritnin e shkëmbenin ndonjë lajm për ne pjesëtarët e gjeneratës së transformuar në brez me fat. Në atë shkollë ku më kanë përcjellur në atë vjeshtë, kam mësuar se çdo kohë i ka heronjtë e saj. Kam mësuar edhe se jemi popull që shpesh përdorim epitete të mëdha, për mbarë apo për keq. Kam mësuar edhe se periudhat e rrethanat përcaktojnë kriteret mbi të cilat disa i dallojmë për t’i quajtur meritorë, heronj, të vlerësuar, të respektuar. Në atë kohë e në ato rrethana, prindërit ishin heronjtë, të vlerësuarit, të nderuarit e sakrifikuesit. Ishte shumë më e madhe sakrifica e tyre sesa mundi dhe peripecitë tona. Ata ishin guximtarët e vërtetë.
Në atë shkollë ku më kanë përcjellë në atë vjeshtë, kam mësuar se çdo kohë i ka heronjtë e saj. Kam mësuar edhe se jemi popull që shpesh përdorim epitete të mëdha, për mbarë apo për keq. Kam mësuar edhe se periudhat e rrethanat përcaktojnë kriteret mbi të cilat disa i dallojmë për t’i quajtur meritorë, heronj, të vlerësuar, të respektuar. Në atë kohë e në ato rrethana, prindërit ishin heronjtë, të vlerësuarit, të nderuarit e sakrifikuesit. Ishte shumë më e madhe sakrifica e tyre sesa mundi dhe peripecitë tona. Ata ishin guximtarët e vërtetë
Ne kishim vrullin e të rinjve, që më vonë kam kuptuar se nuk është gjithnjë i bazuar, i matur por as i vetëdijshëm për qëllimet dhe pasojat. Janë prindërit tanë, që në disa raste ishin edhe mësuesit tanë, të cilët na kishin ndjekur në shkollë fillore apo të mesme. Një pjesë prej tyre po e kalonin të njëjtën rrugë, edhe pse në kah tjetër, që kishin bërë vetë. Shumë prej tyre, para nesh, drejt shkollave të Kosovës. Pa i rrëfyer ende vështirësitë e tyre, po nisnin bijtë e bijat e tyre, kësaj here drejt Tiranës, që për ta kishte qenë vetëm një ëndërr e ndaluar. Nuk na i tregonin vështirësitë e tyre. Të paktën unë nuk i kam ditur, deri pas shumë kohësh, kur Baba rinisi takimet me shokët e tij të Normales në Prishtinë. Janë ata që arritën të kapërcejnë hendeqet e thella për pamundësinë, në kohë luftërash, kufizimit të mundësive për shkollim e paragjykimesh brenda etnike e ndëretnike, gjinore e shoqërore. Janë ata që morën guximin të nisin fëmijët e tyre në rrugët e mbushura me rreziqet e një kohe që tash e përshkruajmë si post-komuniste a fillim demokracie, por që në fakt ishte kohë, ku gjithçka ishte e papërcaktuar, e turbullt, e frikshme, edhe traumatizuese. Në emër të dijes dhe për të ardhmen që ndërtohet prej saj, ata fillimisht guxuan të shpresojnë për ne. (Shumë vite më vonë jam mrekulluar me një titull libri të përshtatur në shqip “Guximi për të shpresuar”, sepse më duket e përshtatshme për çdokënd që ngrihet mbi rrethana pamundësish dhe kufizimesh). Janë ata që guxuan t’ia ndërrojnë emrin kohës pa kohë dhe ta shndërrojnë atë në rrugën që formësoi të ardhmen me fatin e madh të gjeneratave pa fat.
(Autorja i përket brezit të parë të studentëve shqiptarë në Malin e Zi që kanë studiuar në universitetet e Shqipërisë)
