Evidentim i veprimtarisë së çmuar të mjekëve shqiptarë ndër vite

Tuz – Të shtunën, më 26 nëntor 2021, në QKI “Malësia” në Tuz, u bë promovimi i librit “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi”, i autorit, mjekut, shkrimtarit dhe intelektualit nga Ulqini, Dr. Gani Karamanaga. Këtij aktiviteti letrar iu bashkëngjit një publik i vogël nga fusha të ndryshme jetësore dhe mjekë. Vështrimet e tyre për librin i shpalosën, Dr. Omer Axhoviq, Dr. Halil Dukoviq dhe Nikollë Berishaj.
Dr. Omer Axhoviq duke vlerësuar librin në fjalë, foli për talentin dhe suksesin e treguar të Dr. Karamanagës që nga ditët studentore. Ai tha se kontributi i Dr. Karamanagës pas studimeve ka qenë i madh, veçanërisht në fushën e pneumofiziologjisë.
“Karamanaga ka dhënë kontribut të madh në eradikacionin e tuberkulozit. Por, Ganiu është i suksesshëm në të gjitha fushat. Ky edicion i botuar, përfshin gati të gjithë mjekët, farmacistët dhe stomatologët shqiptarë nga Mali i Zi, pa marrë parasysh se ku ata kanë vepruar pas studimeve. Duke lexuar këtë monografi, kam vërejtur se Tuzi dhe Malësia kanë dhënë shumë më pak mjekë, e sidomos farmacistë e stomatologë, ndryshe nga trevat tjera shqiptare në Mal të Zi”, u shpreh Axhoviq.
Sipas tij, në libër mungojnë disa figura të shquara mjekësh, të cilët nuk janë përfshirë në këtë monografi, por që shpreson se autori do t’u japë hapësirë në një botim eventual të mëvonshëm.
Ndërkohë, Dr. Halil Dukoviq tha se përmes këtij libri, përveçse është përshkruar jeta e mjekëve që jetojnë në këto vise dhe jashtë tyre, është shkruar edhe historia e popullit shqiptarë.
“Një pjesë e librit na njofton me kolegë që sot janë jashtë trojeve tona, e që karrierën e vazhdojnë në Kosovë, Shqipëri, në shtetet e ish-Jugosllavisë, por edhe në Evropë dhe SHBA. Ky libër vërteton se edhe ne mjekët jemi pjesë e fatit historik të popullit shqiptar. Nga ky libër njoha shumë kolegë që më parë nuk i kam njohur, dhe meritat për këtë i takojnë z. Gani Karamanagës”, u shpreh Dr. Halil Dukoviq.
Ai më tutje tha se Ganiu me këtë libër, ruajti dhe risolli disa kujtime nga mjekë të shquar të cilët nuk jetojnë më, por që kontributi i tyre do të mbetet përgjithmonë i paharruar.
“Në këtë libër nuk u përfshinë disa mjekë të rinjë, por ajo vërteton se mjekësia do të ekzistojë dhe do të zhvillohet në këto treva”, tha ndër të tjera Dukoviq, duke thënë se ata (mjekët) kanë qenë dhe do të jenë në shërbim të njerëzve, pavarësisht se kush cilës përkatësi kombëtare, gjuhësore dhe fetare i përket.
Ndërkaq, aktivisti, shkrimtari dhe përkthyesi Nikollë Berishaj, ndër të tjera tha se vetë titulli i librit të Gani Karamanagës, tregon se kemi të bëjmë me një leksikon që është i pari i këtij lloji ndër shqiptarët në Mal të Zi.
“Ky libër është burim informacionesh që duhet të ndodhet në secilën bibliotekë, si bazë e të dhënave për mjekët dhe veprimtarinë e tyre në këtë fushë. Nga leximi i librit në fjalë zbulojmë shumë arritje shkencore e profesionale, madje edhe të karakterit ndërkombëtar të mjekëve tanë, në të gjitha fushat e kësaj veprimtarie”, tha Berishaj.
Ai më tutje theksoi se shumë bija dhe bij të këtyre trevave i dhanë shkencës së mjekësisë rezultate, dhe e çuan mjekësinë para, e që sot i gjejmë nëpër vende udhëheqëse të spitaleve dhe klinikave me renome botërore.
“Mjekët janë heronjtë e vërtetë të ditëve tona “pavarësisht se shpeshë nuk ua dimë, ose nuk duam t’ua dimë vlerën”, theksoi ndër të tjera Berishaj.
Ndërkohë, në emër të bashkëorganizatorit të këtij evenimenti letrar, përshëndeti kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Faik Nika.
Nika tha se KKSH-ja ka konstatuar se duhet të ketë një qasje vlerësuese ndaj të gjithë atyre shqiptarëve në Mal të Zi që vite me radhë, në aspektin intelektual, kanë kontribuar dhe vazhdojnë të veprojnë këtu në vendlindje.
“Pasuria më e madhe qe kemi ne si komb, janë burimet njerëzore, duke filluar nga të gjitha fushat, e në veçanti njerëzit e shkencave humane dhe mjekësore, që na kanë shërbyer dhe vazhdojnë të na shërbejnë çdo ditë, e veçanërisht në këto kohë që ndodhemi në vështirësi si shkak i kaplimit nga pandemia”, u shpreh Nika.
Ai vlerësoi lart gjithë kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin çdo ditë, të gjithë mjekët, pa dallime etnike, edhe pse siç tha, në Mal të Zi kanë ekzistuar paragjykime për shqiptarët.
“Kjo monografi tregon se shqiptarët nuk kanë qenë ata që kanë punuar vetëm punë fizike, por kur u është dhënë mundësia që ata të arsimohen, kanë dëshmuar se aftësitë e tyre janë të barabarta me ato të vendeve perëndimore me demokraci të zhvilluar”, tha Nika, duke treguar se qëllimi i mbështetjes së botimit të këtij libri ka qenë që të nxjerrin në pah vlerat tona si komb.
Përgjatë këtij aktiviteti letrar, moderatorja, Paula Dekaj, lexoi edhe dy biografi të jetës dhe veprimtarisë mjekësore dhe humane të dy doktorëve të ndjerë, Dr. Lukë Gjokaj dhe Dr. Abedin Axhoviq
Monografia “Mjekët Shqiptarë nga Mali i Zi”, ka për qëllim kryesor të spikasë rolin e mjekëve, stomatologëve dhe farmacistëve shqiptarë nga ky shtet. Promovimi i librit “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi”, i autorit Gani Karamanaga, u organizua nga Sekretariati për Vetëveqerisje Lokale i Komunës së Tuzit, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve dhe Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat