
Rreziku më i madh për anijet në lundrim, sidomos në detin e hapur, kur toka është larg, janë erërat. Lundrim i veçantë, ustallëk i posaçëm ka qenë kur është lundruar me barka me vela. Detarit, kapidanit të anijes, i është dashur të kishte intuitë dhe dije të jashtëzakonshme të parashihte erën kur do të niste të frynte, sa do të jetë e fortë, sa do të zgjasë. Ka shumë raste që, shkaku i erës së paparashikueshme, lundrimi, fati i barkës me detarët në të, të përfundojë tragjikisht.
Në historikun e lundrimit të ulqinakëve, tregohet si legjendë rasti që i ka ndodhur kapedanit të famshëm ulqinak, Selim Shurdhës, që kur mbërriti te Valdanosi, në derë të shtëpisë, pra, u ngrit shirogu i kalbët dhe, ia theu trevat, ia shqeu velat. Ashtu, të shkatërruar, ajo erë e marrë, pa vela e timon, e ktheu kah brigjet e Dalmacisë, pa e ditur se kah i çon dhe se ku do t’i përplaste ndër ishujt e shkëmbinjtë e egjër krastikë.
Teufik L. Shurdha e kishte gjysh kapedan Selimin dhe, nga ai mësoi shumë për detarinë ulqinake. Në një tregim (‘Dogagjaj’) e përshkruan përjetimin e gjyshit:
“Bregut frynte një erë e ftohtë e veriut, e cila e shtynte barkën me vela “Dobra zora”, ditën 28. XII 1925, në rrugën nga Dubrovniku për në Ulqin. Edhe pse barka ishte bosh, e gatshme të luftonte me përbindëshit e detit, përkundër kësaj, me shpresë se pas mbrëmjes do të mbërrinin në Ulqin, ata as që kanë arritur te Punta e Valdanosit, kur është tërbuar një gregolevant (shirok i kalbët, erë e stuhishme, e rrezikshme), pa dhënë asnjë shenjë më parë, pamëshirshëm ka rënë mbi atë barkë të vogël, të cilën e ka kthyer mbrapsht dhe e ka rrokullisur përgjatë Detit Adriatik.
Moti nuk ka ndërruar, as nuk është zbutur. Gjendja nuk ishte e zakonshme, duhej shumë mund dhe aftësi që, në atë situatë të rrezikshme, të gjenin zgjidhje. Në ato çaste pa shpresë, duke u hedhur çast majtas – çast djathtas, duke mos ditur fare se ku gjendeshin, kanë bërë rrugë pa rrugë tri ditë e tri net, kur ditën e katërt, në një mjegull të dendur e kanë diktuar një ishull të madh, i cili ishte në anën e djathtë të barkës. Nuk mund të kujtoheshin ishullit Mlet, sepse largësia mes Valdanosit ishte një gjatësi prej 200 miljesh detare, që ta merrnin me mend se ku i ka hedhur era e tallazet. Kur i janë avitur afër e më afër, u është shfaqur pamja e ishullit të madh, të cilin aq e rrihnin dallgët saqë duke u shpartalluar, stërkalat bënin mjegull. Në atë rast, edhe pse i rraskapitur nga pagjumësia, uria dhe të ftohtit, dhe të lagur qull, Hamidi me shumë bindje u thoshte se ai është ishulli Mlet, të cilit duhet drejtuar, në ndonjë zavalle, ku do të mund të lëshonin spirancat dhe të pushonin mirë. Ishte pa rënë terri kur iu plotësia dëshira; atyre iu duk përpara një liman i vogël, Smokvice, në të cilin, duke i ulur velat, hynë dhe i lëshuan gadinat. Aty e ndien veten thuajse janë lindur për së dyti; kanë pushuar të ndiejnë tallazet me kreshta dhe fishkëllimën e kohëpaskohshme të erës së veriut, që i kanë shkaktuar aq halle dhe vuajtje, çka do t’u kujtohej tërë jetën”.
Detarët ulqinakë e kanë njohur mirë detin, i kanë ditur erërat. Prandaj kanë lundruar me stinë, kohë, mot dhe det të mirë. I kanë njohur hujet e detit dhe të erërave. Ne po japim të dhëna për erërat e detit, për sa kemi dijeni. Është hera e parë që botohet në librat tonë.
BARASHK/Ë, -A f. meteor. erë e fortë dhe me shi të rrëmbyeshëm.
BUJAN/Ë, A f. meteor. 2. erë që fryn nëpër Bunë kah deti; shih: trumë shkodre, fryn Buna; bujanë; leshane.
FËRTON/Ë, -A f. meteor. (lat. fortuna – rast, fat; it. fortuna – stuhi) meteor. erë e fuqishme e cila zakonisht shoqërohet me shi të rrëmbyeshëm; erë e fortë që fryn në det; furtunë, stuhi, shtrëngatë.
FRYN BUNA fol. meteor. erë që fryn nëpër Bunë, thuhet: fryn Buna; Vjen prej Maleve të Zeza, fryn nëpër Shkallë, ashtu i thojnë asaj fushe të hapun dhe kalon nëpër Bunë. (Bahri Çaushi)
GARBI/E, -A f. meteor. (turq. garbi), (it. garbine, fr. garbin, span. garbino) meteor. erë që fryn nga perëndimi ose jugperëndimi dhe sjell shi.
GARBIN, -I m. meteor. (it. garbine) meteor. një erë e lehtë vjeshte; it. ponente.
GREGO-LEVANT/Ë, -A f. meteor., erë që vjen nga ana e Lindjes, Greqia dhe Levanti.
GREGOLIN/Ë, -A f. meteor., erë që vjen nga ana e Greqisë, e Lindjes; shih: grego-levantë.
KARAJEL, -I m. meteor. (turq kara – e zezë, yel – erë, erë e zezë) 1. erë e lehtë, vjen me shi nga juglindja; 2. fig. karajel – njeri i marrë mendsh.
LEBIQ, -I m. meteor. re pa shi; re të nalta; re të teruna (shpjegim detari), por që sjellin shi të shpejtë të lehtë; (shih: pivadore); fraz: Kapidan, ti tha lebiq, par mu’ m’ la pa fiq.
LESHAN/E, -JA f. meteor., erë që fryn nga ana e Lezhës; nis nga Malet e Zeza, shpjegojnë ulqinakët; shih: fryn Buna.
LEVANT, -I m. 1. lindje (anë e botës); 2. vendet (tokat) e Lindjes; 3. meteor., erë që vjen nga Lindja.
MAISTRO RRUFJAN m. meteor. erë maistro, maistral i fortë që di të çojë tallaze të mëdha e të qesë telashe në lundrim.
MAISTRO, -JA m. meteor. (it. maestrale; kroat. maestral), erë që fryn në bregdetin Adriatik, nga perëndimi në jug, vetëm verës dhe vetëm ditën; është erë që freskon dhe është shenjë se koha do të mbajë e mirë; maistral; maistro lloj veli.
MALCORJA f. meteor. erë e veriut, vjen nga lumi Buna, ulet prej s’nalti. (Agim Ismajlaga)
MARZHI, -JA f. meteor. (it. mareggio, mareggiare – ngritje e valëve), trazim i detit; valët që i ngrit maistrali; karajeli çon tallaz e bën marzhi; kur prun det, kur vjen deti. (Rexhep Ushaku) Para se ban shirog, fryn marzhi e shirogut. (Ferid Ushaku)
MURRA’ -JA f. meteor. era e ftohtë, e thatë, e dimrit, veriu, murrlani.
OSHTRO, -JA m. meteor. (it. ostro) erë e jugut.
PIVADOR/E, -JA f. meteor. emër me prejardhje neolatine (portugalisht) që e ka kuptimin: shtjellë, dredhë, trumë; – erë që sjell re dhe shi të shpejtë, por të shkurtër; vjen papritur dhe kalon shpejt; e pastron natyrën; shih: lebiq.
PUNENT/Ë, -A f. meteor. (it. ponente – perëndimi) 1. horizont; 2. perëndim; 3. hapësirë e detit; 4. erë e perëndimit.
SAKANAK, -U m. meteor. erë e cila fryn hove-hove, fryn – ndalet dhe prapë fryn.
SHIROG, -U (SHIROK, -U) m. meteor. (it. scirocco – jug /era; kroat. jugo) erë e jugut, që vjen me shi; fraz. shirok me topa; shirok i thatë – s’ka shi; ka pru’ shirok; me shirok nuk zehet peshk; shirok i kalbt, i randë, i marrë – erëra të stuhishme me shi. Marrzhi e shirogut – det i trazuar shumë.
SHIROGIN/Ë, -A f. meteor. (it. tempo sciroccale – shiroginë; kroat. jugovina) mot me shirok, mot i cili paralajmëron erë jugu dhe shi; mot i vranët me lagështirë.
TIVARESH/Ë, – A, f. meteor. erë e punentës; vjen nga ana e Tivarit. (Agim Ismajlaga)
TRAMUNTAN/Ë, -A meteor. (it. tramontana – erë e veriut, tej maleve) erë e fortë e dimrit që fryn nga perëndimi.
TRUM/Ë, -A f. 1. meteor. stuhi, tufan në det; erë e cila sillet rrotull vetes dhe ngre përpjetë ujë deti, pluhur, borë: shtjellë, pshtjellizë; shakullinë, dredhë; ciklon, 2. pompë dore e ujit (në barkë).
TRUMË SHKODRE f. meteor. erë, trumë që vjen nga toka, nga Malet e Zeza, nga Shkodra, në drejtim të Bunës (Bahri Çaushi); shih: fryn Buna; shih: pivadore.
(Marrë nga: GLOSAR, IAP, Prishtinë, 2011; Peshqit e detit tonë, IAP, Prishtinë, 2024)
