
Studiuesi dhe publicisti i mirënjohur shqiptar nga Kosova, Mr. Ismet Azizi, shënimin e vet me titull “Eposi – kryepasuri, thesar kulturor, që na lidhë fort me Sanxhakun, edhe aty ku nuk flitet shqipja e vetëmohohet etnia”, të publikuar me shkrim në faqet e ca portaleve në gjuhën shqipe, ndër të cilat edhe në atë të “Plava e Gucia sot” e fillon: “Shtrirja e Sanxhakut, përkatësisht pozita gjeografike ka ndikuar që kjo krahinë të veçohet si hapësirë e jetës së përbashkët të disa popujve, por edhe e ‘konflikteve’ disashekullore ndëretnike, e kacafytjeve dhe e përgjakjeve iliro-shqiptare me ardhësit sllavë të jugut në Iliri (Ballkan). Nga ardhja e tyre e deri në shekullin XIV, sidomos në shekujt XIII-XIV, ky konflikt është acaruar dhe zgjeruar, siç thotë historiani A. Buda (1986), në kohën e forcimit të pushtetit feudal qendror serb të dinastisë së Nemanjiqëve. Edhe epikologu gjerman M. Lambertz (1958) pajtohet se këto këngë ‘rrjedhin nga koha e dyndjes së sllavëve nëpër Danubin e Poshtëm në Ballkan dhe ruajnë ende kujtimin e luftërave të vjetra të ilirëve ose shqiptarëve kundër sllavëve që u dyndën në kohën rreth viteve 700-800’. Këto këngë janë ndër eposet e fundit aktive në Evropë në fillim të këtij mijëvjeçari dhe me të drejtë thuhet se e kanë vendin në arealin e epikës botërore”.
Autori Azizi shënimin e vet me peshë dhe vlerë e vazhdon me shtjellimin Rrafshnalta e Peshterit me rreth 200 vendbanime të banuara nga fiset shqiptare, prej kohësh ka qenë çerdhe dhe thesar i lahutarëve. Deri në fund të shekullit të XVII ky rajon është karakterizuar me homogjenitet etnik, të cilin më vonë do ta ndërpresin vendosjet gjithnjë e më të shpeshta, trazirat dhe migrimit masive. Migrimet janë intensifikuar veçanërisht pas formimit të Sanxhakut të Pazarit të Ri (1877), gjegjësisht pas shkëputjes së tij nga Vilajeti i Bosnjës dhe bashkimit me Kosovën. Kështu, rezulton në Peshter përzierja e kulturës lokale dhe shpirtërore me atë të të ardhurve nga Hercegovina, bregdeti malazez dhe nga muhaxherët tjerë boshnjakë që arritën nga vendet e okupuara nga Serbia në vitin 1878. Kjo lëvizje e popullsisë ka shënuar ndikim të madh në fushën e kulturës gojore epike që gradualisht depërtoi në shtëpitë e popullsisë lokale shqiptaro-myslimane.
Autori Mr. Ismet Azizi shënimin e vet e vazhdon me tekstin – Nuk janë të panjohura këngët e kreshnikëve, të cilat u kënduan jo vetëm te shqiptarët, por që u bartën edhe te boshnjakët. Në përhapjen e këngëve epike, te Boshnjakët ndikuan lahutarët e Sanxhakut për të cilët Robert Elsi e thotë: “Është interesante të vihet re se katër, prej pesë këngëtarëve që përmenden në dy vëllimet qenë shqiptarë: Sali Uglani (Salih Ugljanin), Xhemal Zogiq (Džemal Zogić), Sulejman Makiq (Sulejman Makić) dhe Ali Fulani (Alija Fjuljanin). Në Amerikë, në Universitetin e Harvardit, Milman Parry, për disa vite rresht ka botuar libra (1933, 1934 dhe 1935), kryesisht të letërsisë gojore të traditës myslimane-boshnjake. Milman Parry-it i është bashkuar edhe Albert B. Lordi dhe së bashku kanë mbledhur, materiale jo vetëm në Sanxhak por edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Te ne në Kosovë dhe Shqipëri, përveç Prof. Dr. Zymer Ujkan Nezirit nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, i cili ka ngritur zërin për ndriçimin dhe përmirësimin e gabimeve që ka bërë Universiteti i Harvardit, përpjekje tjera nuk ka pasur.
Prof.Dr. Zymer U. Neziri, në intervistën e dhënë autorit të këtij shënimi, përshkruan edhe bisedën të cilën e ka zhvilluar profesori nga Harvardi, me S. Ugllën, i cili dëshmon para tij përkatësinë e tij etnike shqiptare, duke ia përshkruar shkuarjen e tij të parë te familja e gruas së tij të dytë, e cila nuk ishte shqiptare. Para këtij rrëfimi, i cili është i incizuar dhe ruhet në Harvard, profesori amerikan kupton se ka të bëjë me një popull i cili nuk është sllav, e që vetëm rastësia i ka bërë të ngjashëm dhe jetojnë së bashku në këto treva. Pas kësaj ngjarje profesori e porositë asistentin e tij që të vazhdojnë studimet për shqiptarët.
Në vazhdën e tekstit të shënimit, autori Azizi me përpikëri dhe dinjitet në mënyrë koncize dhe kronologjike përshkruan rrjedhat faktike: Ragip Sijariqi, nga fshati Shipovicë, në të cilin fshat me lahutë është kënduar nëpër ndenja dhe janë treguar tregime sipas traditës në kontinuitet nëpër gjenerata dhe në kohën e Avdo Megjedoviqit janë mbajtur edhe gara për lahutarë. Duke folur për lahutarin Xhyl Bahon (Bahović), thotë: “Lahutë në Sanxhak mos kërko, sepse pothuajse çdo shtëpi ka dhe i ruajnë si hajmalitë. Ato ruhen në vende të veçanta, në ballë të oxhakut në rafte me libra të vjetra dhe me ato të shenjta”. Në Peshter, të gjithë banorët i punojnë me mjeshtri dhe dashuri lahutat me të cilat ekzekutojnë shkëlqyeshëm këngët e “reja dhe të vjetra”. Në kontekst të këtij referimi, autori Azizi ka potencuar se në shkurt të vitit 2005 në Velepole të Tutinit ka prezantuar në një këndim epik boshnjak, në një shfaqje lokale në të cilën me programin e tyre morën pjesë lahutarët popullor dhe këngëtarët e këngëve heroike, duke ekzekutuar me kavall dhe duke kënduar kënge “Dy nga dy” dhe atë vetëm meshkujt, sipas melosit te vjetër peshteras.
Autori Mr. Ismet Azizi tekstin e shënimit të vet e përmbyll me shtjellimin: Salih Uglanini tregon se shumë lahutarë kanë ushtruar dhe kanë arritur të bëhen të mirë falë “shortimit” dhe duke dëgjuar të famshmin dhe të verbrin në njërin sy, Qorr Hysën nga Kollashini, i cili ishte mysafir i përhershëm në fshatrat e Peshterit. Në vitin 1953, prof. Beliq nga Beogradi ka bërë marrëveshje me Kembrixhin për botim të këngëve. Lordi, siç ka shkruar parathënien e librit, e ka dërguar dorëshkrimin në Beograd, por Beliq ka hequr 10 rreshta, pjesën ku bëhet fjalë për lahutarët dygjuhësorë-bilingualë.
