Epika heroike legjendare

Ky libër, i hartuar sipas standardve shkencore, me rezyme edhe boshnjakisht e anglisht, është ndihmesë e vogël për krahinën e Sanxhakut të Pazarit të Ri, dikur pjesë e Kosovës, e sot i ndarë dysh ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi

Zymer Ujkan Neziri / Prishtinë

(Vijon nga numri i kaluar)
Në kreun Pasqyrime është renditur kumtesa e studiuesit dhe e kandidatit doktor i shkencave të filologjisë, mr. Fitim Veliu, për hulumtimet kërkimore-shkencore të dorëshkrimeve të epikës gojore shqiptare në fondet arkivore të Universitetit të Harvardit: “Kryelahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri, Salih Uglla dhe Avdullah Ferizi, në studimet e deritashme të profesor Zymer Nezirit në fondet arkivore të Universitetit të Harvardit”: – Në këtë kumtesë për studimet e deritashme të Zymer Nezirit, autori flet për punën e tij kërkimore-shkencore në fondet arkivore të Universitetit të Harvardit, në vitet 2002, 2007 e në vijimësi. Ajo, pohon ai, ka si esencë trajtimin poetik të këngës epike në studimet e tij, në një rend substancial të kërkimit të këngëtarit, këngës dhe dëgjuesit (lexuesit), pra një trinom që shënjon poetikën teorike dhe retorikën pragmatike, dy fusha të dijes që Zymer Neziri suksesshëm i inkorporon në tekstet e tij, për ta dhënë eposin si dije e dëshmi dhe, në fund, si bindje, pra, retorikë të argumentuar. Punimi i tij heton këtë idiomatikë në studimet e Zymer Nezirit, në relacionin trino-mik këngë, këngëtar dhe lexues, që, sipas tij, janë shenja themelore të epopesë si zhanër.
Në kreun Të tjera, redaksia ka renditur dy kumtesa të mbajtura në këtë simpozium shkencor për lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri. E para ka të bëjë me shqyrtimin paralel të baladës boshnjake të vëllezërve Moriqi me vëllezërit Kastrati të Malësisë së Madhe, ndërsa kumtesa e dytë është një pa-raqitje e jetës dhe e repertorit të lahutarit të krahinës së Hasit, Jemin Zeneli. Kumtesa e profesorit dhe studiuesit të njohur të folkloristikës në Institutin Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Adem Ze-jnullahu, është “Tragjika e vëllezërve Kastrati dhe vëllezërve Moriqi në dy balada historike”. – Balada shqipta-re e vëllezërve Kastrati dhe balada boshnjake e vëllezërve Moriqi, në rrafshin semantik, informativ e artistik janë krijime poetike që kanë pikëtakime të shumta, por kanë edhe karakteristika të veçanta kombëtare të shtresimeve të ndryshme etnopsikologjike, ambientore, të cilat, po ashtu, i shquajnë për disa veçori të theksuara, thotë autori. Te kënga shqipe, motra, duke u hakmarrë, shëron një plagë, por hap një tjetër të pashëruar për tërë jetën e saj. Në baladën boshnjake, nëna i kërcënohet Dizdar agës se do të hakmerret ndaj tij dhe Sulltanit. Kënga shqiptare e vëllezërve Kastrati dhe balada boshnjake e vëllezërve Moriqi kanë lindur dhe janë zhvilluar pavarësisht nga njëra-tjetra në kohë e hapësira të ndryshme, por në rrethana të caktuara shoqërore, ekonomike, nacionale, sociale, politike, kulturologjike e historike, përfundon autori.
Mbledhësi i dalluar i folklorit shqiptar dhe botuesi i tij, sidomos i epikës heroike legjendare, studiues i njohur i disa fushave të albanologjisë, prof. asoc. dr. Shefqet Hoxha, ka këtë kumtesë për rapsodin e Eposit të Kreshnikëve, Jemin Zeneli: “Jemin Zeneli (Ukperaj), bartës i njohur i Eposit të Kreshnikëve të Hasit”. – Krahinat e Kukësit (Lumë, Has, Malsi, Fand) ruajnë tradita të pasura folklo-rike, në mes tyre edhe Eposin e Kreshnikëve, i cili ka qenë më i pasur në krahinën e Hasit, thotë autori. Në këtë krahinë, si vegël muzikore përdorej edhe lahuta, me të cilën rapsodët shoqëronin këngët e ciklit të Mujit dhe Halilit. Jemin Zeneli (Ukperaj), është bartësi më i njohur (ndoshta jo më cilësori, por me një repertor të gjerë) në Hasin e Brijës, në gjysmën e dytë të shek. XX, pohon ai, që nuk dinte të lexonte dhe të shkruante, por që zotëronte talent natyror, mençuri, kujtesë të fortë dhe ndjeshmëri delikate. Ai ishte ndër këngëtarët e njohur në Has, nga i cili ka mbledhur dhjetëra këngë historike dhe këngë të Eposit të Kreshnikëve. Prej tij, autori ka shënuar dhe botuar 14 këngë të Eposit të kreshnikëve dhe 28 këngë historike.
Ky libër, i hartuar sipas standardve shkencore, me rezyme edhe boshnjakisht e anglisht, është ndihmesë e vogël për krahinën e Sanxhakut të Pazarit të Ri, dikur pjesë e Kosovës, e sot i ndarë dysh ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Banorët e tij janë përfshirë në projekte shtetërore edhe për zhvendosje në Turqi, sidomos në kohën e Kralit, kur këtu bënin kërkime për Eposin e Kreshnikëve studiuesit e Universitetit të Harvardit dhe ku, për fat të mirë, takojnë Homerët e fundit të Evropës. Trajtimi i keq ndaj këtyre banorëve ka vazhduar edhe në kohën e Titos, prandaj sot jetojnë të zhve-ndosur në vende të ndryshme, një pjesë e madhe e tyre në Turqi, në Evropën Perëndimore e gjetiu. Ky libër, besoj se sadopak do t’u ndihmojë të gjithëve që ta njohin të kaluarën e vet të lavdishme të etnokulturës, që ruhet në fondet arkivore të Universitetit të Harvardit. (Fund)

Të fundit

më të lexuarat