
(vijon nga numri i kaluar)
Vendosja e selisë së myftiut në Ulqin (1881-1887)
Para dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi, Salih ef. Hyli ka qenë në detyrën e myderrizit të këtij qyteti si autoriteti më i lartë në hierarkinë fetare për kohën në Ulqin. Ai shquhet edhe si veprimtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për degën e Ulqinit. Kjo gjë vërehet edhe nga dokumentacioni arkivor, ku në kërkesat e parisë së Ulqinit drejtuar trupit diplomatik për mos dorëzimin e Ulqinit, së bashku me nënshkrimet e kryesisë së Ulqinit, në krye të listës e shohim përfaqësuesin islam të qytetit, myderrizin e madh Salih ef. Hyli (Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, Aktet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878- 1912, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1978, f. 113.), por që në momentet e kalimit të Ulqinit nën Malin e Zi Dervish Pasha e merr me vete në Shkodër. (Hajrullah Hajdari, Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915), Art Club, Ulqin, 2018, ff. 58-59. E kaluara e Salih Efendiut në Ulqin si myderriz me autoritet të lartë u bë shkak që ai të rikthehet disa muaj pas dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi, por tashmë në rang myftinie, i emëruar nga Shejhu’l-Islami dhe miratuar nga Princi i Malit të Zi.)
Ndërkaq dokumentet arkivore që kemi hulumtuar deri më tani nuk na japin datën e emërimit të Salih efendi Hylit si myfti në Ulqin. Kurse studiuesit japin të dhëna të ndryshme rreth emërimit të tij si myfti, ku disa pohojnë që myftiu i parë në Mal të Zi u emërua në Ulqin që nga viti 1878. (Šerbo Rastoder, “Muslimani u Crnoj Gori“, Glas Crnogorca, 41/1912, 4, 2-3; Bajro Agović, “Džamije u Crnoj Gori“, Almanah, Podgorica, 2022, f. 51.) Por një gjë e tillë është jashtë logjikës pasi, siç u cek më lart, deri në nëntorin e vitit 1880 Ulqini akoma nuk ishte dorëzuar.
Sipas disa dokumenteve mund të nxjerrim datën e përafërt të emërimit të tij si myfti. Përmes një telegrami, që mban datën 02.03.1881, administratori i Ulqinit Simo Popoviq e njofton ministrin e Punëve të Brendshme, vojvodë Masho Vrbicën, për ardhjen e hoxhës së madh të Ulqinit, Haxhi Salih efendiut nga Shkodra në Ulqin një ditë më parë. Administratori i Ulqinit e përshkruan Salih efendiun si një figurë shumë të respektuar, të shkëlqyer, inteligjent dhe me ndikim në popull. (Hajrullah Hajdari, Po aty, ff. 58-59.) Me shumë gjasa, Salih ef. Hyli gëzonte respektin qysh më përpara pasi ai i kishte prirë popullit të Ulqinit në momentet e vështira. Kurse sipas telegramit tjetër të S. Popoviqit, të datës 02.04.1881, shihet që Salih efendiu të jetë miratuar nga Knjazi si hoxhë mbi të gjithë hoxhallarët në Mal të Zi (Hajrullah Hajdari, Po aty, ff. 66-67.), pra i bie që të jetë emëruar myfti, me një pagë vjetore prej 100 lirave osmane nga Qeveria osmane dhe 100 napolonave nga Qeveria malazeze. (Šerbo Rastoder, Po aty, f. 18.) Por për ta saktësuar datën e emërimit të tij si myfti në të ardhmen nevojiten të bëhen studime më të hollësishme.
Gjatë kohës sa Salih ef. Hyli ishte myfti, Qeveria osmane përgatiti udhëzimet në lidhje me çështjet fetare të myslimanëve në Ballkan duke shfrytëzuar autoritetin që i dha Traktati i Berlinit. Një nga udhëzimet në fjalë titullohej “Udhëzim në lidhje me Bashkësinë Muslimane të Rumelisë Lindore”, i miratuar në vitin 1881. Një udhëzim i ngjashëm, i lëshuar për Rumelinë Lindore, u përgatit nga Shejhu’l-Islami në vitin 1885 (1302). Ky udhëzim u titullua “Udhëzimi i shkruar nga Shejhu’l-Islami lidhur me karakteristikat e medh’hebeve të Bashkësisë Islame në Greqi, Rumani, Serbi, Bullgari dhe Mal të Zi”, i cili përbëhet nga dhjetë kapituj me 100 nene. Udhëzimet përfshijnë çështje të tilla si kushtet e islamit, hierarkia dhe procedurat e emërimit të zyrtarëve fetarë, struktura dhe administrimi i fondacioneve dhe jetimoreve. Ndërkaq, neni 20 i udhëzimit ka të bëjë me emërimet e myftinjve. Me këtë udhëzim emërimi i myftiut vërtetohet përfundimisht në dokumentin e lëshuar nga shejhu’l-Islami. (Abidin Temizer,”Nikola’nin millî devlet kurma çalışmaları ve Karadağ müftülüğü (1878-1912)”, History Studies, ISSN: 1309 4173 / (Online) 1309 – 4688 (Print) Volume: 13, Issue: 2, April 2021, ff. 616-617.)
Nga dokumentacioni arkivor shohim se Salih efendiu kishte edhe një detyrë tjetër me rëndësi – rregullimin dhe regjistrimin e të gjithë pasurisë së vakëfit në Mal të Zi, detyrë e dhënë nga Qeveria malazeze. (Hajrullah Hajdari, Po aty, f, 66.)
Salih ef. Hyli në detyrën e myftiut në Ulqin qëndroi deri në momentin e lindjes së pakënaqësive me princ Nikollën. Ai u shkarkua në mënyrë të njëanshme dhe më pas iu desh të shpërngulej në Shkodër. (Šerbo Rastoder, Po aty, f. 18. Po kështu nuk ka një mendim të saktë edhe rreth datës së shkarkimit të tij. Ndërkaq sipas një dokumenti të Arkivit Osman, në dhjetor 1912, në lidhje me emërimet e myftinjve në Mal të Zi ceket se 28 vite më parë myftiu i Malit të Zi Salih efendiu u shkarkua nga ish-Princi Nikolla, tani mbret, e që i bjen që të jetë shkarkuar në fillim të vitit 1885. Shih BOA., HR.HMŞ.İŞO., 235/5, 29 Kanun-i evvel 1912/19.12.1912. Abidin Temizer, “Nikola’nın millî devlet kurma çalışmaları ve karadağ müftülüğü (1878-1912)”, History Studies, Volume: 13, Issue: 2, April 2021, f. 617.
Sipas një të dhëne që na jep një defter për financat e vakëfit të Ulqinit në osmanisht, datë 01 kanun-i evvel 1300 rumi / 13 dhjetor 1884, shohim të shënuar emrin e Haxhi Salih efendiut.
Kurse sipas një dokumenti tjetër të Arkivit Osman të datës 6 prill 1885 shohim se Salih efendiu figuron i shkarkuar më 28 kanuni sani 1300 rumi / 9 shkurt 1885 nga princ Nikolla. Shih BOA, I.MMS., 93/3916, f.2.) Nga hulumtimet e publikuara deri më tani vërejmë se nuk kemi një kundërshtim zyrtar në lidhje me vendimin e princ Nikollës për shkarkimin e Salih ef. Hylit. Ndërkaq, pas këtij vendimi pason kërkesa e princ Nikollës për emërimin e myftiut të ri.
Se cilat kanë qenë pakënaqësitë e princit ndaj Salih efendiut si myfti akoma janë të panjohura dhe ato duhen hulumtuar në të ardhmen. Por duke përcjellë dhe analizuar të dhënat arkivore dhe ato të shtypit të kohës, fitojmë një pasqyrë të qartë të gjendjes së krijuar në vend.
Struktura e popullsisë së rajonit të Ulqinit në ditët e para të sundimit të Malit të Zi si dhe ndryshimi i saj me kalimin e kohës duhen të jenë bërë shkaqet kryesore të pakënaqësisë. Referuar dokumentacionit shohim se në këto vite janë ndërmarrë masa nga knjazi për malazezimin e rajonit të Ulqinit, ku më qartë e shohim të përpiluar në shkresën e Vojvoda Simo Popoviqit – guvernator i Ulqinit, që ia dërgon ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi (22 prill 1884), ku i thotë se Qarku i Ulqinit për malazezët është i huaj. Brenga e parë e jona, për arsye të shumë shkaqeve të rëndësishme duhet të jetë malazezimi i vendit. Kjo do të arrihet: përmes shkollës (Bëhet fjalë për shkollimin e nxënësve të përkatësisë islame në shkollat malazeze, të cilat në këto vite në kurrikulat e veta përmbanin lëndë fetare të krishtera dhe në gjuhën malazeze.
Presioni malazez i shkollimit të fëmijëve shqiptarë myslimanë në shkollat malazeze të krishtera vazhdoi edhe më pas, ku si shembull mund të paraqesim një dosje të datës 17.04.1322 rumi/ 30.06.1906, nëpërmjet së cilës shohim se për shkak të këtij detyrimi nga kasabaja e Ulqinit për në Shkodër janë shpërngulur 25 familje. Shih BOA, DH.ŞFR. 366/57.) dhe kolonizimit me malazezë. (MID 1884, dok. 263 (1, 2, 3, 4, 5), botuar edhe në librin “Ulqini në dokumentet malazeze” të autorit Hajrullah Hajdari, f. 180.) Sipas këtij plani situata pasoi me shpërngulje, ardhje të reja të popullsisë malazeze në Ulqin, si edhe ndryshimet që pasuan në fushën e arsimit, ku për një kohë pason mbyllja e shkollave dhe për rrjedhojë pasoi me shpërngulje të reja nga Ulqini.
Nëse do të merrej në shqyrtim mosha 65-vjeçare e Salih ef. Hylit në kohën e shkarkimit të tij (1885) duhet theksuar se në këtë periudhë që flasim mosha nuk ka qenë shkak për t’ia ndërprerë ushtrimin e detyrës pasi vlen të theksohet se ai ka jetuar edhe 8-9 vite pas shkarkimit (1893), që tregon për një gjendje të mirë dhe vitale shëndetësore, gjë që e përjashton mundësinë e shkarkimit për shkak të moshës së tij. (Sipas studimeve të publikuara, Salih ef. Hyli ka lindur në vitin 1820 dhe ka vdekur në vitin 1900. Ndërkaq, referuar një dokumenti të Arkivit Osman – Stamboll të datës 2 shaban 1310 h. / 19 shkurt 1893, shohim se pas vdekjes së Salih Hylit u vendos që t’i lidhej një pagë bashkëshortes së tij 70-vjeçare Umugulsum dhe djalit të tij Mehmedit, të cilët tashmë jetonin në Shkodër. BOA, DH.MKT. 2053/91.)
Për një kohë gjetja e një kandidati të ri për myfti mbeti pezull pasi Shejhu’l-islami kërkonte një person të përshtatshëm për këtë detyrë, i cili të njihte gjuhën shqipe dhe malazeze, fakt të cilin e shohim nga dokumentacioni arkivor osman (BOA, HR.TO., 46/141 (17 kanuni evvel, 1302 rumi / 29 dhjetor 1886)), por kjo gjë u bë shkak i mbetjes pezull të emërimit të myftiut. Po kështu prej këtij dokumentacioni shohim se pas Salih efendiut princ Nikolla kishte njoftuar ambasadorin osman se kishte në plan që të emëronte Ymer (Omer) efendi Prizrenin, i cili ishte i arratisur nga Prizreni duke gjetur strehim në Ulqin. (BOA, İ.MMS., 93/3916, f. 2.
Në një dokument të Arkivit Osman, të datës 6 prill 1885, ceket se pas shkarkimit të Salih efendiut nga detyra e myftiut nga ana e princ Nikollës më 28 kanuni sani 1300 rumi / 9 shkurt 1885 kishte në plan që në vend të tij të emëronte myfti myderrizin Ymer efendi Prizrenin, i cili ndodhej në Ulqin. BOA, I.MMS., 93/3916, f. 2. Nuk e dimë sa ka qenë serioz dhe i saktë ky vendim i paraqitur nga princ Nikolla për emërimin e Ymer ef. Prizrenit.
Njohja e tij me vojvodën Sima Popoviq dhe të tjerë pushtetarë është bërë nëpërmjet myftiut Salih ef. Hylit që në vitin 1881 kur ai mbërriti në Ulqin si i strehuar politik. Këtë gjë e shohim nëpërmjet dy dokumenteve të arkivit në Cetinë, të publikuar nga studiuesi Hajrullah Hajdari, ku i pari është një telegram i datës 06.5.1881, ku vojvoda S. Popoviq e njofton ministrin e Punëve të Brendshme në Cetinë, Masho Vrbicën, se Hoxha i Madh i Prizrenit, Haxhi Ymer efendiu ka ardhur në Ulqin dhe është vendosur te Hoxha i Madh Salih efendiu, të cilët i kanë qenë për vizitë tek ai për ta paraqitur atë. Ndërkohë ai i rrëfen që Ymer efendiu i ka treguar se edhe disa pjesëtarë të tjerë të Lidhjes së Prizrenit kanë ikur e më kryesori Abdullah Beu (Abdyl Frashëri), ndoshta mund të vijë në Ulqin. Në telegram vojvoda shton duke rrëfyer që të dëgjosh se Liga, e cila e ka mbajtur Ulqinin, tani kërkon që të vendoset aty.
Ndërsa dokumenti i dytë, i cili i përket datës 07 maj 1881, është përgjigjja që i jep ministri Vojvodës, ku i kujton që ka bërë mirë që e ka pranuar Ymer efendiun dhe shton që lirisht mund t’i thuhet Abdullah Beut (Abdyl Frashërit) dhe shoqërisë së tij shqiptare që të vijnë në Mal të Zi, ku do të gjejnë mikpritje të përzemërt. Shih Hajrullah Hajdari, Po aty, ff. 70-72.) Ndërkaq Porta e Lartë e kundërshtoi një gjë të tillë me arsyetimin se ai ishte i arratisur, kishte nxjerrë ngatërresa dhe ndodhej nën hetime. (Pas shkarkimit të Salih ef. Hylit nga detyra e myftiut, lajmi shkoi deri te Sulltan Abdylhamidi se princ Nikolla kishte në plan që të emëronte myfti myderrizin Ymer ef. Prizrenin. Shih BOA, HR.TO., 46/57. (12 kanuni sani 1301 rumi / 24 janar 1886 m.). Por në Perandorinë Osmane nuk ishte i mirëpritur që të caktohej si myfti, ndërkohë që ai ishte nën hetime. Meqenëse tagri për shkarkimin dhe emërimin e myftiut për vendet e mbetura nën Mal të Zi i përkiste Shejhu’l-Islamit, ky qëndrim i princit Nikolla u konstatua si i paligjshëm. Personi që do të bëhej myfti në Mal të Zi nuk duhej të ishte i arratisur, por një dijetar që kishte fituar besimin e Perandorisë. Për më tepër shih BOA, İ.MMS., 93/3916, 03 zilkade 1304 h./ 24 gusht 1887 m.; Uğur Özcan, II. Abdülhamid dönemi Osmanlı-Karadağ siyasi ilişkileri, Türk Tarih Kurumu, Ankara, 2012, f. 237.) Për rrjedhojë, Perandoria Osmane kërkoi që të ruhej statuskuoja e mëparshme në kuadër të vendimit të Kongresit të Berlinit, me të cilën myftiu emërohej nga Shejhu’l-islami duke dhënë si shembull rastin e emërimit të myftiut të Rumanisë. (vazhdon)
