Elina Duni ndez publikun

Për më shumë se një orë Duni, e shoqëruar nga pjesëtarët e grupit të saj, muzikantët e jashtëzakonshëm - Rob Luft në kitarë, Kiril Tufekçievski në kontrabas dhe Viktor Filipovski në bateri, ka mbajtur të mbërthyer publikun e shumtë në numër, që çdo këngë të saj e kanë shoqëruar me duartrokitje frenetike

Ulqin – Me koncertin madhështor të këngëtares shqiptare me famë botërore të muzikës etno-xhaz, Elina Duni dhe grupit të saj Rob Luft Band, të premten mbrëma (30 gusht 2024) është mbyllur edicioni i sivjetshëm i festivalit Skena Verore, i cili është organizuar nga Qendra e Kulturës – Ulqin.
Për më shumë se një orë Duni, e shoqëruar nga pjesëtarët e grupit të saj, muzikantët e jashtëzakonshëm – Rob Luft në kitarë, Kiril Tufekçievski në kontrabas dhe Viktor Filipovski në bateri, ka mbajtur të mbërthyer publikun e shumtë në numër, që çdo këngë të saj e kanë shoqëruar me duartrokitje frenetike.
Kjo është hera e parë që këngëtarja shqiptare, e cila prej vitesh jeton në Zvicër, është prezantuar në qytetin e Ulqinit. Vetë këngëtarja ka shprehur gëzim të veçantë duke thënë se ndjehet shumë e lumtur të këndojë mes bedenave të kalasë së jashtëzakonshme me 2 500 vjet histori.
Pjesa më e madhe e repertorit të saj përbëhet nga këngë të vjetra shqiptare me motive xhazi, të përpunuara në një mënyrë dhe stil të veçantë, si dhe të kënduara me mjeshtëri dhe në një formë shumë tërheqëse për publikun. Krahas tyre, ajo ka kënduar edhe disa këngë në gjuhën angleze dhe frënge.

i. k.


Skena Verore mbyll siparin

Për një muaj, adhuruesit e kulturës kanë pasur mundësi që në kuadër të festivalit Skena Verore “Ulqini 2024” të ndjekin dhe të shijojnë programe të ndryshme kulturore si takime letrare, shfaqje teatrore, koncerte të muzikës popullore dhe klasike, stand-up komedi, ekspozita figurative etj. Ai ka filluar më 30 korrik 2024, me ekspozitën e piktorit Xhevdet Spahija dhe koncertin e Ahengut shkodran, për të vijuar me koncertin “Mes dy kalave” (Ulqin – Krujë), takimet letrare në kuadër të manifestimit Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”, stand-up komedinë me aktorët Bashkim Alaj dhe Avni Shkodra, komedinë “E vërteta” të Teatrit të Gjilanit, koncertin e sopranove Manjola Nallbani, Gjylie Pelingu – Hoxha dhe Egzona Salaj, takimet letrare në kuadër të Panairit të Librit, stand-up komedinë “Mokre glave” të aktorit të njohur malazias Andrija Dabanoviq, ekspozitën e piktores Liridona Gjuka – Bogu, koncertin e muzikës klasike “Trio” të pianistes vendase Fatime Buzuku dhe violinisteve nga Tirana, Blerina Foto dhe Alba Lagji, për t’u mbyllur më 30 gusht 2024 me ekspozitën e piktores Luljeta Rama – Muçaj dhe koncertin e këngëtares shqiptare të muzikës etno-xhaz, Elina Duni dhe Rob Luft Band.

Të fundit

më të lexuarat