Tuz- Qendra Kulturore-Informative “Malësia” në bashkëpunim me Shoqatën “Kosova për Sanxhakun”, organizuan ekspozitën historike të titulluar: “Sanxhaku histori e dhembjes kombëtare”, ku përmes 65 fotografive të përzgjedhura nga koleksioni i mbi 350 sa edhe disponon Shoqata “Kosova për Sanxhakun”, një numër i konsiderueshëm i publikut, u njoh nga afër me historinë dhe fatin e dhimbshëm të shqiptarëve të Sanxhakut.
Duke e shpallur të hapur këtë ekspozitë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKI “Malësia”, z. Vasel Berishaj, tha se historia na dëshmon një të vërtetë të hidhur se trojet dhe popullata ilire edhe pse nuk ishin dhe nuk janë akullnaja e Antarktikut, që të tkurren dhe të shkrihen me ngrohjen globale, në vazhdimësi i përcolli një fat i ngjashëm.
“Herë me dhunë, e herë u tkurren nga raporti i forcave të pafavorshme, u ngushtuan, u pushtuan, u robruan dhe u asimiluan. Sonte, falë duarve të mjeshtrave të këtij ekipi dhe faktimit të gjallë, do të ballafaqohemi me fotografitë që do të dëshmojnë dhe flasin për fatin e shqiptarëve të një treve”, shprehet Berishaj.
Ai theksoi se ne asesi nuk duhet ta lëmë në harresë faktin se dukuria e tkurrjes arbërore të trojeve të veta etnike, ishte dhe mbetet plagë e pashëruar që kërcënon, dhemb e vret edhe sot.
“Pazari i Ri është vetëm një segment i kësaj dukurie. Të kujtojmë sonte Çamërinë, krahina të tëra të banuara me popullatë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët e Tivarit, apo të krahinës së Shestanit, të Rozhajës, por edhe të një numri të konsiderushëm të Plavë-Gucisë, por për fat të keq edhe në Malësi”, shprehet Berishaj.
Ai shton se, fotografitë e ekspozuara mund të krijojnë huti, sepse sipas tij, shumicën e fytyrave nga fotot e punuara me shumë mjeshtëri na duket se i njohim.
“Na përngjajnë në nënat, motrat, baballarët dhe vëllezërit tonë, ku hutia buron nga iluzioni ynë meqë ata janë shkëputur nga trungu shqiptar. Ajo që na bashkon është gjaku që nuk është ujë, por ka ngecur në procese të pakthyeshme të asimilimit, por edhe dhembja e madhe për humbjen e tyre”, u shpreh Berishaj.
Për Berishajn kjo ekspozitë është më e veçanta, sepse siç tha, nëse jemi të pafuqishëm ta kthejmë prapa historinë, duhet së paku të vetëdijësohemi dhe të punojmë në ndaljen e proceseve që vazhdojnë të shtrihen dhe të tresin trungun tonë arbëror.
Në të njëjtën kohë, mbi ekspozitën me vlerë historike dhe kombëtare, foli aktivisti i njohur, shkrimtari dhe publicisti, Ali Daci, njëherësh edhe nënkryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”. Daci tha se ekspozita që ka për tematikë një të kaluar të dhimbshme, dhe se e bën historinë e Sanxhakut që të jetë e pavdekshme.
“Vërtetë ajo zonë është harruar, është shkretuar dhe asimiluar, dhe nga vetë fakti se këto fotografi flasin shqip, atëherë zgjohet një shpresë se shqiptarët do të vetëdijësohen dhe do të interesohen për gjakun e të parëve të tyre. Është për të ardhur keq që sot, pakkush atje e mban qeleshen mbi kokë, pakkush flet shqip, por shumëkush i ruan këto fotografi nëpër shtëpi të tyre, pra aty ku edhe i kemi marrë”, shprehet Daci.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi, i cili njëkohësisht është edhe kurator dhe ideator i këtij projekti që ruan trashëgiminë kulturore të shqiptarëve të Sanxhakut dhe Pazarit të Ri, theksoi se sigurimi i këtyre fotografive nuk ishte e lehtë, por siç tha, kjo u mundësua, falë familjeve dhe vetëdijësimit të asaj popullate që ka filluar të ndjejë dhe të flasë më lirshëm për të kaluarën.
“Kjo është vetëm një formë qe ne të jemi afër tyre dhe ata të jenë afër nesh, sepse ky është një veprim që na afron me ta dhe jo që na largon, sepse t’ia kujtosh dikujt gjyshin, dajën, stërgjyshin, mendoj që është një gjest i mirë. Një brez që nuk i flet fëmiut për babën e vet, ai edhe vetë do të harrohet nga fëmijët e tij. Ne vetëm po bëjmë një gjest njerëzor dhe asgjë më tepër. Ajo popullatë sido që e ndjen vetën, ne duhet t’ia kujtojmë sa të jemi gjallë që ata janë gjaku ynë”, u shpreh ndër të tjera Azizi.
Kjo është ekspozita e pestë me radhë e Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”.
Kjo shoqatë u zotua se pas Ulqinit dhe Tuzit, do të vazhdojë me ekspozita edhe në qytete të tjera në Mal të Zi si në Plavë, Guci dhe Rozhajë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe nëpër qytete të Kosovës.
t. u.
