Ulqin – Ekspozita e titulluar “Forca dhe fuqia e krijimit artistik” e skulptorit Sabri Shaqiri, pedagog në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është hapur të hënën mbrëma në Galerinë “Kulla e Balshajve”, në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit.
Në këtë ekspozitë skulptori është paraqitur me punime të veçanta në mermer dhe dru, ku ai ka përdorur teknika specifike.
Skulptori ka treguar se për punimet në mermer janë përdorur pesë teknika të ndryshme, ku secila dallon prej njëra-tjetrës. Ndërsa 11 skulpturat prej druri paraqesin torzon e femrës dhe relievin tokësor.
“Të gjitha këto teknika, nuk i sheh tek autorët tjerë”, ka thënë Shaqiri.
Ai është shprehur i kënaqur pasi që është hera e parë që ekspozon në Ulqin, por edhe për mjedisin muzeal shumë të përshtatshëm për prezantimin e veprave skulpturore.
“Skulptura është material pak më i ndjeshëm. Dihet që skulptura është vepër muzeale, prandaj ky është ambient i ngrohtë për vepra të artit”, ka thënë skulptori, duke nënvizuar se edhe ata që e kanë ndërtuar muzeun kanë qenë mjeshtër të gurit.
Në fjalën e saj me rastin e hapjes së ekspozitës, skenografja dhe kostumografja Jetmira Hoxha, ish-studente e Shaqirit, ka thënë se kemi të bëjmë me një ekspozitë të veçantë, me vepra interesante, që nuk janë shpalosur më herët në Ulqin.
“Keni sjellë një pjesë të artit tuaj këtu në Ulqin dhe doni të na afroni edhe neve pak me një anë tuajën, që edhe ne të familjarizohemi me punën tuaj si artist”, është shprehur ajo duke iu drejtuar Shaqirit.
Sabri Shaqiri ka lindur në fshatin Vrapçiq, komuna e Gjilanit. Gjatë viteve 1990-1994 ka kryer studimet në Fakultetin e Arteve – Dega e Skulpturës në Prishtinë, në klasën e Prof. Agim Çavdarbashës. Në vitin 1997 ka fituar titullin magjistër i skulpturës. Është profesor asistent në Fakultetin e Arteve – Prishtinë. Deri tani ka pasur disa ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive.
i. k.
