Dy vite pa doktorin tonë

“Të vetmen mërzi të madhe që e kishte dhe që e mori me vete ishte mërzia e fatit të popullit autokton shqiptar, që po asimilohej dhe po tjetërsohej. Ka vdekur me këtë shqetësim dhe me këtë mërzi. Natyrisht, kjo mërzi vazhdon edhe sot pas dy viteve e duket se do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Dom Gabriel Grabanica

Ulqin – Në prani të familjarëve, të afërmve dhe miqve, të dielën në Galerinë e Qendrës së kulturës në Ulqin me një takim përkujtimor u shënua dyvjetori i vdekjes së mjekut dermatolog, profesorit universitar dhe studiuesit Prof. dr. Simë Gjon Dobreci.
Me këtë rast, u ekspozua portreti i Simë Dobrecit, i punuar mjeshtërisht nga artisti i njohur nga Gjakova, Alkent Pozhegu. Për të krijuar mozaikun me figurën e Dobrecit, artisti gjakovar ka përdorur me dhjetëra kilogramë drithë, fara luledielli, fasule etj.
Në emër të organizatorit, Dom Gabriel Grabanica, meshtar në famullinë Braticë dhe Kullomzë, ka folur për jetën dhe veprimtarinë e Simë Gjon Dobrecit në shumë fusha ku ai ka kontribuar.
Ai ka thënë se të vetmen mërzi të madhe që e kishte dhe që e mori me vete ishte mërzia e fatit të popullit autokton shqiptar, që po asimilohej dhe po tjetërsohej.
“Ka vdekur me këtë shqetësim dhe me këtë mërzi. Natyrisht, kjo mërzi vazhdon edhe sot pas dy viteve e duket se do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.
Grabanica ka kujtuar bisedat me Dobrecin, në të cilat ai e kishte porositur se nëse nuk flasim për të kaluarën tonë të bukur dhe të lavdishme, si fjala vjen për Buzukun, Bodganin, Budin, përkthyesin e Biblës Dom Simon Filipajn, kush do ta ruajë popullin tonë nga asimilimi dhe tjetërsimi.
“Atëherë bashkë do të mundohemi të japim kontributin modest që e kaluara jonë të mos harrohet. E në të kaluarën bën pjesë edhe doktori ynë”, ka thënë ai, duke shtuar se dr. Simë Dobreci ishte dhe do të jetë frymëzim për ne.
Grabanica ka treguar se këto ditë po përgatisin shkresën që do t’u dërgohet institucioneve përgjegjëse, me nismën që Shtëpia e Shëndetit në Ulqin të emërtohet me emrin e Prof. dr. Simë Dobrecit. Ai ka përmendur edhe disa porosi të tjera që i ka lënë dr. Dobreci, njëra prej të cilave është vazhdimi i botimit të revistës “(Gjon) Buzuku”.
Në kuadër të aktivitetit përkujtimor, përpos prezantimit të mozaikut, në Galerinë e Qendrës së Kulturës është hapur një mini-ekspozitë me portrete dhe fotografi nga jeta dhe veprimtaria e Simë Dobrecit. Po ashtu u shfaq edhe një reportazh i shkurtër, i realizuar nga Televizioni Klan Kosova, i cili flet për jetën e dr. Simë Dobrecit në vendlindjen e tij në fshatin Braticë të Ulqinit. Më pas, pjesëmarrësit vizituan varrin e tij në Braticë. Aktiviteti përkujtimor përfundoi me kremtimin e meshës kushtuar dr. Dobrecit në sheshin e Shna Ndout në Braticë.
Simë (Gjon) Dobreci u lind më 27 mars 1934 në fshatin Braticë të Komunës së Ulqinit. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Braticë e Ulqin (1953), gjimnazin klasik në Tivar (1957), fakultetin e mjekësisë në Beograd (1963). Punoi në Tivar e Ulqin (1964-1967). Shkoi në Spitalin e Prishtinës (1967), ku e filloi specializimin e dermatologjisë dhe e kreu në Zagreb (1970). Më 1973 u zgjodh asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës themeluar më 1969. Më 1974, ai qëndroi një vit në Klinikën dermatologjike të Vankuverit në Kanada. Në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore. Një kohë ishte drejtor i Klinikës. U zgjodh docent i dermatologjisë (1984), profesor inordinar (1989), profesor ordinar (1994). Për studentët e mjekësisë botoi tekstin “Dermatologjia” më 1980, i cili u ribotua i përmirësuar më 1984, si dhe botimi i tretë i ripunuar më 1998, kurse ribotimi i katërt i plotësuar më 2009. Për studentët e stomatologjisë botoi tekstin “Sëmundjet e lëkurës” më 1989. Më 1990/1991, regjimi serb e përjashtoi prej klinikave kuadrin arsimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë e vazhdoi punën nëpër shtëpi private.
Sa i takon veprimtarisë shkencore, Dobreci kryesisht u mor me mikozat e lëkurës. Temën e doktoraturës “Dermatomikozat endemike në Kosovë” e mbrojti më 1980 dhe e mori gradën doktor shkencash në mjekësi.
Është po ashtu autor i librave “Dermatomikozat & sëmundjet tjera të lëkurës”, “Krijime popullore shestanase” dhe “Përmbledhje vlerash njerëzore”.
Botoi 25 punime shkencore në revista profesionale (kryesisht në Acta dermatologica jugoslavica dhe në Praxis Medica).
Me paraqitje të punimeve shkencore mori pjesë në Kongresin e Dermatologëve Botërorë në Berlin, më 1987, në Kongresin e Dermatologëve Evropianë në Bari të Italisë, më 1987, dhe në Konferencën Internacionale të Dermatologëve në Athinë, më 1994. Prej 1994-1999 ishte kryeredaktor i Praxis Medica, revistës profesionale-shkencore të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës.
Pas pensionimit në vitin 1999, u kthye në vendlindje ku për vite të tëra ka redaktuar revistën kulturore “Buzuku” (Gjon Buzuku), dhe është marrë ngapak me profesionin e tij.
Ka dhënë një kontribut të madh në organizimin e veprimtarive të ndryshme kulturore dhe shkencore.
Përveç shumë çmimeve e shpërblimeve të tjera për veprimtaritë e veta, Simë Dobreci u dekorua edhe me “Medaljen Presidenciale të Meritave” nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 17 shkurt 2016. Gjithashtu, ai u shpërblye me dekoratën “Nderi i kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, më 1 prill 2017.
Është laureat i Çmimit Tradicional të “Art Club”-it, në vitin 2012, për arritje të jashtëzakonshme në art, kulturë dhe shkencë. Në vitin 2014, Komuna e Ulqinit i ka ndarë titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Ka qenë po ashtu edhe Ambasador i Paqes.
Prof. dr. Simë Dobreci ndërroi jetë më 16 qershor 2020, kurse u varros më 18 qershor 2020, në varrezat në fshatin e tij të lindjes, në Braticë të Ulqinit.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat