
Pasdreke, si zakonisht, dal në tarracë dhe lexoj. Dielli shkon pas Kalaje dhe drita më vjen shumë e qartë. Lexoj pa pengesa në të parë.
Ashtu, në atë mot të qetë, vjen erë nga deti. Është erë e shirokut. Shikoj, kah deti vjen shiu i madh. Është tym e mjegull. S’shihet më deti. Shiu i rrëmbyeshëm, i papritur, fsheh Kalanë. S’shihet. S’e shoh më as Meterizin përballë. Stuhi. Shtrëngatë. Duman.
Po si do ta kenë tash anijet, barkat në detin e hapur?!
Kujtesë
…Por edhe momente shumë të vështira kam përjetuar: furtuna, ciklone, kur vapori rrokulliset, batohet, kapërdihet, sepse tallazet janë të larta, si kodra dhe ditë e net marinarët, ekuipazhi rri në këmbë, duke lutur Redonin, Zotin e detit, që të na falë jetën, meqë jemi në rrezik të madh… (Kapidan Shaqir Peku)
Lundrimi ka zgjatur tetë muaj (shkuarje – ardhje), e tërë viaxhoja. Lundrimi ka qenë jashtëzakonisht i zorshëm. Në mes të Atlantikut na kap furtuna e madhe. Na prishet motori, pëson avari. Valët – si male. Sa s’na përpin oqeani. Kapiteni, Frano Simoviq, profesor me autoritet të madh, profesor i nautikës, më thotë t’ia shpërndaj ekuipazhit matrikullat. Që, pasi që po mbyteshim, secili të identifikohet o gjallë, o vdekur. Moment tronditës. (Kapidan Skender Nimanbegu)
Rruga e madhe bëhet lumë. Në të derdhet rruga që zbret prej Meterizit. Përmbytje. Rana bëhet liqen i ujërave të derdhura. Ikin kalimtarët. S’lëviz më asnjë veturë e vetme. Dëgjohet vetëm zhurma e shiut të rrëmbyeshëm, era e tërbuar. Pemët, pishat, selvitë i përkulen stuhisë deri në tokë.
Pastaj, tregojnë: tufani ka fryrë 150 km/h.
Era e fortë ka shkulur pisha e ullinj.
I gjithë ky kataklizëm zgjati 10-15 minuta.
Dhe, prapë doli dielli shpëtimtar. Shkëlqeu natyra nga ajri i pastruar. Vjen aroma e detit. Rrugët janë larë. Tash vetëm pastruesit do të kenë punë me letra e qese najloni rrasur nëpër skuta.
Kështu, nuk ndodh shpesh. Ndodh pas ditëve me temperatura të larta. Ato e shkaktojnë stuhinë që ul temperaturën.
Punë e Zotit!
Po, çka do të thotë duman?
DUMAN – I, m meteor. Vjen nga e njëjta fjalë e turqishtes duman, që do të thotë: pluhur, tym…
Detarët e Ulqinit i thonë: duman, trumë, pivadore, ciklon.
Ngrihet në det e përfshin edhe bregun. Është stuhi me shi të rrëmbyeshëm që nis papritur, bën dëme, por zgjat shumë shkurt, 10-15 min. Pastaj sqarohet deti dhe natyra.
‘Tesh isht oqeani bunazë, par ky, sa çil e myll sytë, çon tallaze e e ban duman’.
(Selim Shurdha, kapidan i ‘Glorias’ në Gjirin e Bermudës. Mano Karamanaga).
Gloria në Trekëndëshin e Bermudës
Detarët, kapidanët ulqinakë, edhe kur kanë lundruar me barka me vela (motovelore) si “Gloria” e “Hulukija”, kanë dalë nga Deti Mesdhe, nëpër Gjibraltar, kanë lundruar Oqeanit Atlantik, kanë lundruar nën Tokën e Zjarrtë dhe kanë kapërcyer edhe nëpër Trekëndëshin e Bermudës, në lindje, në mes të dy Amerikave.
Se edhe kapidani i kapidanëve, Selim Shurdha, ka lundruar nëpër Trekëndëshin e Bermudës, ka dëshmuar gjemxhia i ndjerë, Himo Karamanaga nga Kalaja e Ulqinit. Kujtimet e tij i ka shënuar Bahri Brisku në punimin e doktoratës:
“Ishim tuj shku për Amerikë edhe kapidani Selim Shurdha na tha: ‘Qe, tesh gjindena në nji vend të rrezikshëm shumë qi quhet me emna të ndryshëm. Prej gjemxhive tonë kam ndigju qi i thojnë: Shpella e Shtrigave, Shpella e Shejtanit, Shpella e t’Mallkumve, E Dragonjve’. Na thanë qi të mos trememi, par të jemi gati se tesh isht oqeani bunazë (i qetë), par ky, sa çil e myll sytë, çan tallaze e ban duman. Secili të gjindet në vendin e vet të punës. Si të shifni denji ndryshim, nizni pumpat e ujit. Asnji mas të sillet pa punë nëpër barkë. Na kapi pak friga, par masi ishte qetci, pa erë, pa tallaze, e fjetme menden, se do t’na ndodhën danji gja. Kapidani ishte mazum deri njaty. Kërkuj nuk i flite, veç shikonte hapcinën e oqeanit. Gjithë detarët ishin idhshëm. Në barkë kapi nji qeci e madhe. Nuk shifej kërkund asnji barkë. Hajt – hajt, tuj lundru atypari, masdite, na u duk nji si adë (ishull). Kur ju afrume, çka me qenë, shofim qi “ada” ecën mi ujë. Kur ju afrume mirë, pamë se aja s’kishte qenë adë, par grumull i madh i barishteve. Masanej unë me sytë e mi kam pasë pa masa të mëdha të njalave. Nigjova qi n’atë rejon vijnë njalat e i shlojnë putargat edhe ashtu shumohen. Shumë prej tyne ishin mytë (kishin cofë). Fundi, na ksaj here kalume atypari qi e bajshin qamet, fare mirë. Trekëndëshin e Bermudeve e quajnë Trekëndëshi Magjik dhe Varri i Atllantikut”.
(Kallëzim i Ibrahim – Himo Karamanagës, detar. Shënoi: Bahri Brisku)
Besëtytni
Detarët besonin që: për ta ndalur shtjellën, kapidani i barkës duhej të shtinte në të me pushkë ose ta hidhte (në të) unazën e gishtit.
Detarët ulqinakë
Hiqe unazën, detar,
Ndale pështjellizën*
Se na mbytën tallazet
(Hajredin Kovaçi)
(Hajro Ulqinaku, “DET I MIRË+” (impresione & glosa), dorëshkrim, 2024)
