Synimi për krijimin e një hapësire të përbashkët reflektimi, bashkëpunimi dhe dialogu mes autorëve shqiptarë, kudo që jetojnë dhe krijojnë, është konkretizuar ditë më parë me themelimin e Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26, si organizim i ri letrar.
Kryetari i emëruar i këtij forumi, shkrimtari, studiuesi dhe dramaturgu Stefan Çapaliku, për “Koha javore” bën të ditur se ideja për themelimin e tij ka qenë e vjetër dhe, duke iu referuar një shprehjeje të Shkodrës se “punët e mira presin”, tha se kurrë nuk është vonë për të bërë një punë të mirë.
“Ideja ka lindur nga një shqetësim që kemi pasur dhe vazhdojmë që ta kemi, në kuptimin se, si ka mundësi që letërsia shqipe është e ndarë në ngastra. Pra, parcela e asaj që zhvillohet në Republikën e Shqipërisë, asaj që zhvillohet në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Malin e Zi, diasporë etj., ndërkohë që të gjithë shkruajnë shqip?! Edhe letërsia, siç dihet botërisht, është e bazuar te gjuha, prandaj jemi mbledhur që të themi se atdheu ynë i përbashkët është gjuha shqipe”, shprehet Çapaliku.
Duke iu përgjigjur pyetjes se si do të ndikojë ky forum në krijimin e një tregu të përbashkët të librit shqip, ai thotë se shkrimtarët dhe secili nga ne duhet të ndikojnë në vendin ku jeton, në politikat e vendeve përkatëse, për të krijuar një treg.
“Pra, një libër që del në Tiranë të mund të gjendet lirshëm edhe në Prishtinë, edhe në Shkup, edhe në Tuz, edhe në Ulqin, dhe anasjelltas. Por edhe nëpërmjet platformave digjitale që t’i shërbejë diasporës. Pra, ne ndikojmë me zërin tonë në hapësirën tonë publike dhe mediatike për të krijuar një treg”, thotë Çapaliku.
Sa i përket rolit të tij dhe të Forumit në debatet kulturore dhe shoqërore, me synim që fjala e shkrimtarit të mos mbetet një zë i vetmuar, Çapaliku thotë se shkrimtari nuk ka pasur deri më sot dhe nuk meriton të ketë një zë të vetmuar për sa u takon zhvillimeve politike, sociale, ekonomike etj. në shoqëri.
“Ne (shkrimtarët) ashtu të shpërndarë, nuk do të mund të ishim kurrë pjesë e paneleve, e diskutimeve publike. Ne mund të bëhemi pjesë e këtyre diskutimeve nëse bëhemi bashkë dhe Forumi lindi edhe për këtë arsye, për të qenë bashkë”, shprehet Çapaliku.
I pyetur se si mendon se bashkimi përmes Forumit 26 mund t’i ndihmojë shkrimtarët shqiptarë të ndihen më shumë pjesë e një komuniteti letrar të përbashkët, Çapaliku thotë se problemi i tyre kryesor është leximi i njëri-tjetrit, pra njohja me produktin e njëri-tjetrit.
“Dhe shumë më e lehtë është ta njohim njëri-tjetrin kur bëhemi në një forum. Ky forum do të promovojë librat e secilit që është anëtar i tij. Dhe kështu ne do të kuptojmë se nuk jemi bashkë vetëm për çështje politike por edhe për çështje estetike”, thekson Çapaliku.
Ai më tej shtoi se puna e këtij forumi filloi ditë më parë, por momentalisht janë në procesin e legalizimit të tij.
“Ne jemi krijuar, de fakto, por duhet të presim të krijohemi edhe de jure”, thotë ai.
Çapaliku shton se para pak ditësh ishin të ftuar në Kuvendin e Shqipërisë në një seancë dëgjimore për Ligjin për librin.
“Kemi qenë atje si palë e interesuar për këtë ligj. Jemi përpjekur me aq sa kemi pasur mundësi që të mbrojmë dhe të inspirojmë dhe infiltrojmë idetë tona te ky projektligj, me shpresën që do të bëhet një projektligj edhe në mbrojtjen e autorit dhe jo vetëm të botuesve dhe lexuesve”, përfundon Çapaliku.
Ndërkaq, shkrimtari nga Tuzi, Mark Lucgjonaj, i cili është njëri nga shkrimtarët që përbëjnë grupin themelues të Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26, për “Koha javore” flet për rolin e këtij forumi në zhvillimin e letërsisë shqipe në Mal të Zi dhe për bashkëpunimin me shkrimtarët nga trevat shqiptare dhe diaspora.
Ai thekson se ky është një hap i domosdoshëm dhe historik për konsolidimin e zërit letrar shqiptar në Mal të Zi.
“Besoj fuqishëm se Forumi do të jetë një urë lidhëse, madje ura kryesore, përmes së cilës do të bashkëveprojë letërsia shqipe që krijohet në Mal të Zi me letërsinë shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në diasporë. Qëllimi ynë është që tregu i librit shqip të jetë një, që komunikimi letrar të mos ketë kufij administrativë dhe që e gjithë letërsia shqipe të perceptohet si një trup i vetëm kulturor, pavarësisht se ku krijohet”, shprehet Lucgjonaj.
Një tjetër synim i rëndësishëm, sipas tij, është edhe përforcimi institucional i librit shqip.
“Forumi po punon me qeveritë përkatëse dhe institucionet kulturore që letërsia shqipe të fitojë vendin e merituar në politikat kulturore dhe që libri shqip të ketë mbështetje konkrete, si në botim, ashtu edhe në promovim e shpërndarje”, thotë ai.
Sa i përket pritshmërisë personale dhe objektivave kryesore që dëshiron t’i arrijë përmes pjesëmarrjes në këtë forum të ri, Lucgjonaj thotë se, në planin personal, pret që Forumi të krijojë një hapësirë të re bashkëpunimi, shkëmbimi dhe reflektimi profesional mes autorëve.
“Synoj që përmes këtij organizimi të rritet cilësia e debatit letrar, të organizohen aktivitete të përbashkëta, takime letrare, tryeza, promovime, festivale, si dhe të ndërtohen ura konkrete bashkëpunimi me botues dhe institucione kulturore në hapësirën shqiptare”, shprehet shkrimtari Lucgjonaj.
Ai më tutje thekson se objektivi i tij kryesor është që Forumi të kontribuojë në afirmimin e autorëve shqiptarë nga Mali i Zi, duke i bërë ata pjesë të pandarë të hartës së letërsisë bashkëkohore shqiptare.
“Nëse arrijmë të ndërtojmë një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunimi dhe të krijojmë një treg të përbashkët kulturor për librin shqip, atëherë misioni ynë do të jetë i përmbushur”, shprehet Lucgjonaj.
Forumi 26 është krijuar si një hapësirë bashkëpunimi dhe rrjetëzimi, ku idetë mbi artin, krijimtarinë dhe kritikën letrare takohen për të ndërtuar kontakte reale kulturore, ndërshqiptare dhe ndërkombëtare.
T. Ujkaj
