Veterani i arsimit shqip, mbledhësi dhe studiuesi i folklorit Dr. Ismail Doda është fitues i Çmimit “24 Nëntori” për vitin 2023, i cili ndahet nga Komuna e Tivarit.
Atij i është ndarë ky çmim për të arritura profesionale në fushën e arsimit dhe kulturës, duke nënvizuar se angazhimin e tij si punonjës ia kushtoi arsimimit të të rinjve në Krajë, kurse kulmin e krijimtarisë së tij e paraqet libri “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi”.
Çmimi i është ndarë në mbledhjen solemne të Kuvendit të Komunës, me rastin e Ditës së Komunës së Tivarit, që është mbajtur të premten në sallën e Qendrës së Kulturës në Tivar.
Krahas Dodës, Çmimi “24 Nëntori” iu është ndarë edhe Dr. Valentina Bozhoviqit, Muharem Muratoviqit, Dr. Anastazija Miranoviqit, Zhelko Milloviqit, Gjuro Markoviqit, Qazim Xhaferoviqit, Vasilije Millosheviqit, Sead Shllakoviqit, Klubit Futbollistik “Mornar”, ndërsa pas vdekjes Miqo Orllandiqit, Lubinko Krstajiqit dhe Millorad Vukçeviqit.
Juria për ndarjen e Çmimit “24 Nëntori” është përbërë nga Dr. Zoran Srzentiq (kryetar i jurisë), Jusuf Kallamperoviq, Osman Subashiq, Branka Qetkoviq, Vllado Llukshiq dhe Srgjan Lekiq.
Dr. Ismail Doda ka lindur në vitin 1939 në fshatin Arbnesh të Krajës. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i ka kryer në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku mbrojti edhe temën e magjistraturës. Në vitin 2015 doktoroi pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike – Shkolla Doktorale e Etnologjisë dhe Folklorit në Tiranë, me temën “Baladat popullore te shqiptarët në Malin e Zi”. Ka punuar mësimdhënës në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros, ka qenë këshilltar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në Kuvendin e Komunës së Tivarit, këshilltar i kryetarit të Komunës së Tivarit, anëtar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi etj.
Është mbledhës i folklorit, njëri nga bashkëpunëtorët më të frytshëm të Institutit Albanologjik të Prishtinës që nga viti i rithemelimit të tij më 1968. Mblodhi këngë kreshnike, balada dhe lloje të tjera të poezisë popullore lirike në të gjitha trevat shqiptare të sotme në Malin e Zi. Materialet e tij janë botuar në shumicën e vëllimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ndërsa një pjesë e madhe e tyre ruhet në arkivin shkencor të këtij instituti. Është bashkautor i librit “Në prehër të jetës së re (Doracak për nxënës të shkollës fillore prej klasës III deri në klasën VIII)” që e përpiloi me tani të ndjerët Lucë Lucaj, Gjergj Gjokaj dhe Gjergj Berisha. Ai po ashtu ka përgatitur për botim si redaktor shkencor librin “Letërsia gojore dhe identiteti kombëtar shqiptar” me përmbledhje të punimeve nga Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar i organizuar nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi në Ulqin, më 17-19 shtator 2011. Vitin e kaluar ka botuar librin “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi (Përmbledhje) I”. Ka marrë pjesë me kumtesa për folklorin shqiptar në Mal të Zi dhe tema të tjera në shumë konferenca dhe tryeza shkencore.
i. k.
