Vera erdhi si gjithmonë shumë e hareshme, lozonjare, e nxehtë dhe me vete solli gjithë dashurinë dhe ledhatimet e detit të pastër e të kristaltë. Këto ledhatime të detit janë shumë të rëndësishme për Dorartin, sepse atë e kishte marrë malli që të shkojë të lahet në det dhe të bëjë zhytje nënujore në plazhin e Valdanosit. Atij i intersonte të shohë se çfarë ndryshimesh i kishte bërë deti fundit të vet gjatë periudhës së dimrit. Dikush nga ju do të pyes për çka bëhet fjalë? Por, ja që në Ulqin, të gjithë e dinë që Dorarti edhe pse para një jave mbushi vetëm trembëdhjetë vjet ai është një zhytës i shkathët dhe hulumtues i pashoq i fundit të detit.
Pasionin për zhytje nënujore e kishte nga babai. Dorartin, babai, gjatë gjithë dimrit e ushqente me tregime historike dhe me aventura detare e nënujore. Nga babai kishte dëgjuar për Atlantidën, qytetin i cili është fundosur në kulmin e zhvillimit të vet e që atëbotë kishte pasur zhvilim më të madh se ne sot. Po si u zhduk? Si është e mundur që një civilizim të zhduket? Ku do të jetë kjo Atlantidë? Kurreshtjen ia zgjonte babai me tregimin për ngjashmërinë e Atlantidës dhe Ulqinit të fundosur. Vallë a është e mundur që të jetë i njejti vend? Babai i ka treguar se diku mes Ulqinit dhe Krruçit ka ekzistuar një qytet që sot askush nuk e di se ku ndodhet. Ka humbur “pa namë e pa nishan” siç kishin me thanë gjyshet tona. Ai qytet është quajtur Oleotopolis. Legjenda thotë se Ulqinin dikur motit e kishte goditur një tërmet shumë i fuqishëm. Ishte aqë i fortë sa që shkëputi një copë të tokës dhe nga ajo tokë u formua ishulli i Krruçit. Në atë ishull edhe sot shihen gjurmë jete të dikurshme, por ku do të jetë pjesa tjetër e qytetit të fundosur atë askush nuk e di. Si të arrijmë në Atlantidën e Ulqinit – në Oleotopolis? As këtu nuk kemi përgjigje.
Babai i Dorartit kishte dëgjuar nga nëna e vet, e ajo nga gjyshja, të cilës i kishte treguar gjyshja e saj se heret në mëngjes kur uji i detit është i qetë në fundin e detit mund të dallohen rrugica dhe pullaze shtëpishë . Ah sa do të kishte dëshirë Dorarti ynë që të zhytej atje. Por dimri këto punë ka, të bëhen plane për aventurat e verës.
Sapo filloi vera, Dorarti në ndihmë thirri shokun e vet të klasës Qazin. Më mirë të themi kapedan Qazin, sepse ai kishte një anije të madhe me emrin Liamra me të cilën bartte turistë nga Ulqini për në Kepin e Gjeranave, Plazhin e Madh dhe deri te grykëderdhja e lumit Buna. Kapedan Qazi udhëheqte punën e lundrimit, nënkuptohet nën mbikqyrjen e gjysho Tinit. Ata u morën vesh që të dielen e parë të korrikut, sapo të lindte dielli të merrnin kursin e ishullit të Krruçit, dhe atje të kërkojnë Oleotopolisin – Atlantidën e Ulqinit.
A thua do ta gjejnë Oleotopolisin? Dorarti gjatë dimrit ishte përgatitur fizikisht dhe psiqikisht për të kërkuar Oleotopolisin. Kishte blerë një maskë zhytëse të re të një marke shumë të njohur italiane. Shitësi i ishte betuar në çdo gjë që kishte se xhami i kësaj maske ishte i cilësisë më të lartë. E llojit të tillë që nuk mjegullon e çka ishte më e rëndësishmja, po të këtij brendi e kishte pasur maskën zhytëse edhe hulumtuesi më i njohur i të gjitha kohë rave, Zhak Kusto. Pastaj bleu një kamerë që kishte mundësi video xhirimi dhe fotografimi nën ujë, e mbi të gjitha kishte vullnetin e mirë për hulumtim.
Ajo e diel erdhi dhe Dorarti me babanë e tij, fiks në orën pesë të mëngjesit u gjenden në Portin e Ulqinit. Kapedan Qazi me gjyshin e vet kishin ndezur motorët e Liamrës dhe ishin gati për t’u zhytur në aventurën e Ulqinit të fundosur. Dorarti u hodh në bash të anijes dhe aty me kurreshtjen e një adoleshenti zuri vend si një eksplorues i vërtetë.
Anija njëherë filloi të ecë mbrapsht dhe pastaj me një manovër prej ujkut të detit, kapedan Qazi solli timonin e anijes, i dha marshit para dhe me full gas dhe Liamra filloi të lundrojë drejt Krruçit, Ulqinit të fundosur, Oleotopolisit, Atlantidës së Ulqinit. Bedenet e kalasë ishin mahnitëse. Duke kaluar pranë tyre me anije, bindesh se sa mjeshtra ishin stërgjyshërit tanë ilirë që kishin ndërtuar një kështjellë të këtillë gjigande në një vend kaq të papërshtatshëm. Kjo edhe e bënte të papushtueshme Kalanë e Ulqinit.
Fëmijë – thirri babai i Dorartit, ja po kalojmë pranë Gurit të Madh dhe atij të Vogël. Këta gurë, të moçmit thonë se i ka hedhur Polifemi kur e ka qorruar Odiseu.
Interesant! Sa i lashtë është Ulqini – tha kapedan Qazi?! Paramendoje që nga koha e ciklopëve?!
Jo, jo, kapedan, – ia priti Dorarti. Ulqini është edhe më i vjetër se periudha e ciklopëve dhe Odiseut. Kalaja e Ulqinit është e banuar që në kohën e gurit. Që në parahistori. Kur më ka treguar babai për këtë që po them tani, si dëshmi më solli një libër të madh e të trashë e aty ishte një fotografi e një artefakti i kohës së gurit që ishte gjetur në shkallë .
Gjysho Tini nuk bëzante. Dëgjonte bisedën e voglushëve dhe bënte sikur ishte diçka duke punuar me konop, por që në të vërtetë i pëlqente biseda dhe kohë pas kohe vinte buzën në gaz.
Liamraçante detin në drejtim të Krruçit mistik. Nga anija shihej ullishta mijëvjeçare e Ulqinit. Ja ku është Bashbylyku, pastaj Lugu i Xhemiles, arritën në kepin e Mendrës. Aty është fanari e në të djathtë Gjiri i Valdanosit. Nuk ndalojnë aty, kapidan Qazi mban kursin e Ishullit të Krruçit. Sapo kaluan fanarin kapidan Qazi fton shokun e tij Dorartin dhe ia lë komandën e anijes dhe përkohësisht Dorarti bëhet kapedan.
Oh, çfarë kënaqësie – tha Dorarti, fort e mbante timonin dhe ngriste kokën lart me mburrje.
Sapo kaluan pranë kepit të Mavrianit, gjysho Tini mori komandën sepse tanimë në horizont ishte shfaqur ishulli i famshëm i Krruçit. Dorarti dhe Qazi shikonin me dylbi në drejtim të ishullit, entuziazmi ishte në kulm. Pas një udhëtimi pothuaj një orë sh, anija u gastua pranë ishullit të Krruçit. Dorarti hodhi gadinën në det dhe si një detar i rryer lidhi anijen me nyjet detare. Në anën tjetër Qazi bëri gati anijen prej gome dhe sa çel e mbyll sytë që të dy së bashku me babanë e Dorartit u gjendë n me anijen prej gome në det. Babai filloi të rremojë. Për të shikuar fundin e detit dhe për të parë ose më mirë të themi mos po gjejnë ndokund rrënojat e Ulqinit të fundosur Dorarti kishte ndërtuar një aparat primitiv. Kishte marrë një kovë plastike, asi lloji që nëna e tij i përdorte për pastrimin e dyshemesë. Ia kishte prerë fundin, por jo fare në maksimum, kishte lënë nga 5cm anash pa u prerë. Ke xhamprerësi kishte porosit një xham me trashësi 5mm dhe diametër 30cm. E kishte ngjitur me superngjitës dy komponentësh që në reklama thoshte se ishte ngjitësi më i fortë në botë dhe me të vërtetë ngjitësi u tregua i suksesshëm. Aparati punonte. Derisa babai rrë monte, Dorarti e Qazi fusnin kovën në ujë dhe përmes saj shikonin se a po vërejnë ndonjë gjë. Ngadalë, herë Dorarti e herë Qazi, duke vështruar fundin e detit, anija prej gome përshkoi gjithë ishullin rreth e rrotull. Kur arritën te anija gjysho Tini vuri re fytyrat e vërejtura të fëmijëve. Operacioni doli pa sukses.
Hidhuni në det e freskohuni – u tha gjysho Tini. Do t’ia bëjmë hallin disi.
Derisa Dorarti dhe Qazi freskoheshin dhe zhyteshin në ujin e kristaltë të detit, gjysho Tini kishte bërë gati bukën e që fëmijët e kapërdinë me dy-tri kafshata. Dielli ishte në zenit dhe vapa ishte në maksimum. Gjysho Tini afroi anijen fare afër ishullit dhe në cektinën e vetme që vetëm gjysho Tini e dinte, lidhi barkën dhe që të katërt dolën në Ishullin e Krruçit.
“Fëmijë, meqë nuk e gjetë m qytetin e fundosur, atëherë do shikojmë gërmadhat e asaj çka ka mbetur mbi tokë”, tha babai i Dorartit.
Ai filloi t’u prijë eksploruesve të vegjël drejt gërmadhave të ishullit. Shkëmbi ishte shumë i thepisur dhe vetëm këpucët e mira të alpinistëve ua bënin të mudur ecjen nëpër tehet e mprehta të shkëmbit. Së pari panë atë çka kishte mbetur prej murit rrethues e që vëreheshin dy-tre rreshta gurësh, pastaj babai i Dorartit i dërgoi te një pjesë pak më e lartë, në anën perëndimore të ishullit, ku ai thoshte se aty ka qenë një objekt. Forma drejtëkëndëshe vërehej qartë, por çfarë do të ketë qenë nuk dinin. Pas disa minutash u gjendë n në majën e ishullit. Pamja nga aty ishte mbresëlënëse dhe buzëqeshja u kthye në fytyrat e fëmijë ve. Qytetin e fundosur nuk e gjetë n, por gjurmët mbitokë ishin të qarta, andaj misionin e Krruçit u pajtuan që ta vlerësojnë si gjysmë të realizuar.
Kur u kthyen në anijen e gjysho Tinit, ai dha komandën që anija të mbajnë kursin drejt Ulqinit. Dorarti dhe Qazi u zotuan se vitin e ardhshëm prapë do të kthehen këtu, por me paisje të vërteta të zhytësve nënujorë dhe atëherë do të gjejnë Ulqinin e fundosur, Oleotopolisin ose siç i thoshte babai i Dorartit – Atlantidën e Ulqinit.
Gazmend Çitaku, Tregim nga romani në dorëshkrim.
