Tuz- Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në kuadër të projektit të furnizimit me lektyra shkollore për shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, javën e kaluar ka vijuar aksionin e dhurimit të librave në bibliotekën e qytezës së Tuzit e cila është filial i bibliotekës “Radosav Lumoviq” nga Podgorica si dhe në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Plavë dhe Guci.
Fondin me 68 tituj me nga tre ekzemplarë të autorëve shqiptarë, kryesisht me lektyra shkollore por dhe vepra të tjera letrare, e kanë sjellë në këtë bibliotekë, sekretari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika dhe kryetari i Komisionit për Arsim dhe Përdorim Zyrtar të Gjuhës Shqipe, Ismet Kallaba, të cilët u mirëpritën nga bibliotekistja, Lulë Nikprelaj e cila i falënderoi përzemërsisht, duke e konsideruar këtë aksion si një dhuratë me vlerë të veçantë që pasuron dukshëm fondin libror deri më tani mjaft të varfër të kësaj biblioteke, sidomos kur bëhet fjalë për lektyra shkollore të cilat në raftet e kësaj biblioteke kanë qenë të pakta.
“Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi po finalizon projektin e furnizimit me lektyra shkollore dhe me tekste të tjera të domosdoshme për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi dhe për bibliotekat në Uqlin dhe Tuz. Sot sollëm një donacion edhe për bibliotekën e qytezës në Tuz me lektyra shkollore por jo vetëm. Aksionin po e vijojmë në shkollat në Plavë- Guci, dhe në këtë mënyrë do të përfundohet ky projekt i mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi. Ky është një projekt me të cilin besoj se kemi arritur të përmirësojmë sadopak fondin e lektyrave shkollore të cilat u dedikohen nxënësve me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi”, tha për “Koha Javore”, sekretari i KKSH-së, Faik Nika.
Kjo bibliotekë e hapur që para më shumë se dy dekadash, deri para dy vitesh, kur u ndërmor një aksion mjaft me vlerë nga Kosova dhe Shqipëria, ka disponuar me një fond libror shumë të varfër dhe me literaturë të kohës së shkuar, sidomos kur është fjala për literaturë të autorëve shqiptarë.
Sot në këtë bibliotekë, falë nismave të njerëzve vullnetmirë dhe me vizion për t’u ofruar nxënësve dhe të rinjve tituj bashkëkohorë të shkrimtarëve të njohur shqiptarë, ka mbi 2 mijë tituj, nga të cilët 1500 ekzemplarë të literaturës në gjuhën shqipe, të siguruara përmes donacioneve të ndryshme nga Tirana, Prishtina e Ulqini. t. u.
