Në zanafillën e romanit “Livia”, Mark Pashku Lucgjonaj shpalos një narracion që nuk është thjesht rrëfim, por një ftesë për reflektim, ku kufijtë ndërmjet përditshmërisë dhe thellësive filozofike treten për të krijuar një botë letrare sa intime, aq edhe universale. Si penë që lëviz ndërmjet dritës dhe territ, autori e paraqet botën e ndërlikuar të Lekë Bardhit, një profesori historie që lufton me zhgënjimin dhe dilemën e ekzistencës, në një shoqëri të krimbur nga korrupsioni dhe zbrazëtia shpirtërore.
Që në faqet e para, lexuesi përballet me një udhëtim që sfidon bindjet e zakonshme dhe hap dyert drejt një bote të mbushur me simbole, kujtime dhe mistere, ku çdo fjali mban peshën e një pyetjeje të heshtur mbi kuptimin e qenies.
Romani “Livia” nuk është thjesht një libër për t’u lexuar, por një pasqyrë përmes së cilës kuptohet dhe shikohet vetja dhe shoqëria. Mesazhi i romanit është ruajtja e njerëzores përballë presionit të vazhdueshëm të ndryshimit të pamëshirshëm teknologjik dhe atij materialist
Pikërisht këtu ngjizet natyra e dytë e romanit, ku çdo fjali lexohet jo vetëm si histori por edhe si refleksion i thellë mbi ekzistencën, vazhdimësinë dhe mentalitetin e popullit shqiptar dhe të popujve përreth. Një nga veçoritë kryesore të romanit “Livia” është ndërlidhja e vazhdueshme ndërmjet përditshmërisë dhe mistereve universale. Personazhet e Lucgjonajt nuk janë vetëm njerëz; ata janë ide, dilema dhe kontradikta që të gjithë njerëzit, në një mënyrë a tjetër i përjetojnë në jetën e përditshme.
Mark Pashku Lucgjonaj në “Livia” e paraqet botën e komplikuar të personazhit kryesor, Lekë Bardhit, ku eksplorohen temat e ekzistencializmit, gjendjes së brendshme të individit, të shoqërisë, apo thënë më mirë turmës. Mendimet filozofike janë të thurura mjeshtërisht në roman. Përmes përfytyrimeve të personazheve dhe atmosferës, autori e orienton lexuesin drejt një udhe që sfidon bindjet për botën materiale, shpirtërore, në kërkim të ideales.
Shkrimtari nga Tuzi në romanin të tij të fundit rrëfen për konfliktin e përhershëm të njeriut me veten dhe botën përreth, ku gruaja e personazhit kryesor, Livia, nuk është thjesht një karakter letrar por përbën simbolin e marrëdhënieve që e lidhin njeriun me të tjerët dhe botën. Përmes përshkrimeve të jetës së përditshme të Lekë Bardhit dhe sfidave të tij, romani fton në rimendimin e lidhjeve të njeriut me të kaluarën, me të tanishmen, por dhe për të ardhmen së bashku me të panjohurat që i sjell jeta.
Në romanin “Livia” rrëfehet edhe mbi pabarazitë, prirjet materialiste dhe zbrazëtinë që në jo pak raste e shoqërojnë botën moderne. Në këtë vepër letrare shtrohen pyetje mbi drejtësinë, rëndësinë e familjes dhe sfidat lidhur me ruajtjen e vlerave tradicionale në një kohë ndryshimesh të vrullshme. Përshkrimet që Mark Pashku Lucgjonaj ia bën jetës së përditshme janë të përpikta, ndërsa ndërlidhja me kujtimet dhe gojëdhënat e pasqyrojnë trashëgiminë kulturore që autori e trajton me respekt, duke i dhënë lexuesit ndjenjën e fortë të lidhjes me origjinën dhe identitetin.
Një nga momentet më interesante të romanit është biseda ndërmjet Lekës dhe figurës misterioze AI, që shfaqet si paralajmërim për të parashikuar ngjarje të frikshme për njerëzimin. Nëpërmjet këtij dialogu, Pashku e ndërton kritikën ndaj botës moderne materialiste të kapluar nga egoizmi dhe padija
Lekë Bardhi është profesor historie që ndien zhgënjim dhe neveri ndaj realitetit të kurthuar nga korrupsioni dhe e kaluara e deformuar nga pushtetet e mëparshme, që papritmas përballet me dilema jetësore të ndryshimit të tërësishëm të jetës. Ngjarja zhvillohet në një mjedis të përshkruar me simbolika historike dhe shpirtërore, ku realiteti ndërthuret me elemente misteri, sidomos në fillim kur ndodh shfaqja e një krijese misterioze të panjohur për Lekën dhe të tjerët përreth. Është pikërisht kjo pjesë që ngjarjes i jep sharm të errët, ku shpaloset tronditja e brendshme e Lekës dhe lufta e tij me sfidat e jetës së përditshme që nisin nga kërkesa e gruas për divorc.
Narracioni në romanin e Mark Pashkut – Lucgjonajt nuk e ka një kronologji të qartë, por ndërtohet mbi rikthime në kohë dhe kujtime të kaluara, duke evokuar kështu një përvojë të ndërgjegjshme dhe introspektive që është stil i shkrimtarëve postmodernë. Në zemër të këtij narracioni është kërkimi për kuptimin e qenies, përmes arsyetimit të brendshëm të personazhit kryesor.
Një nga aspektet interesante të romanit “Livia” është përshkrimi i rrebesheve dhe stuhive që përshkojnë qytetin e Holtës, që shndërrohen në metafora të natyrës së egër dhe pasigurisë së ekzistencës njerëzore. Erërat e fuqishme, për shkak të të cilave largohen banorët, janë ato sfidat dhe forcat e pamposhtura me të cilat njeriu përballet gjatë jetës, që Pashku i përforcon përmes gjuhës së mprehtë letrare dhe filozofike.
Gjithashtu, një temë tjetër që prek thellësisht është ajo e përkatësisë dhe e identitetit kulturor. Përmes përshkrimit të Holtës dhe kujtesës kolektive së ruajtur përmes gojëdhënave dhe trashëgimisë kulturore, romani evokon një ndjenjë të fortë të traditës. Autori e përshkruan historinë e Holtës me një sy kritik, duke e lidhur atë me realitetet e largimit dhe kthimit të përhershëm, një temë kjo mjaft e hasur në kulturën shqiptare.
Tema e thyerjes së embrionit të familjes në botën moderne përbën shtyllën kryesore të romanit “Livia” përmes sfidës së përhershme në shoqërinë bashkëkohore, ku lidhjet familjare dobësohen për shkak të ndjekjes së pushtetit dhe parasë. Lekë Bardhi është personazhi që e ngre zërin kundër kulturës së konsumit dhe korrupsionit. Konflikti i tij me të shoqen, Livian, është një reflektim mbi ndarjet e nxitura nga prioritetet materiale në botën moderne, duke përshkruar mjeshtërisht dehumanizimin që ndodh kur lidhjet shpirtërore bien në rend të dytë në emër të karrierës dhe suksesit. Autori e përdor letërsinë si mjet për të ngacmuar lexuesin dhe për të vënë në pah kontradiktat e thella brenda shoqërisë.
Romani “Livia” i shkrimtarit Mark Pashku Lucgjonaj është një vepër që kërkon të lexohet me vëmendje dhe që do të vazhdojë të rezonojë gjatë me lexuesin.