Ditari intim

Veprat e dy piktoreve në këtë ekspozitë i bashkon mikrobota që krijojnë, e ngjashme për nga ndjeshmëria, koloriti, raporti ndaj jetës. Ndonëse jetojnë dhe punojnë në mjedise të ndryshme, veprat e tyre janë të afërta për nga poetika

Në Galerinë “DivArt” në Beograd, më 18 maj është hapur ekspozita e përbashkët “Ditari intim” e piktoreve Vahida Hasanaga – Nimanbegu nga Ulqini dhe Tamara Nedelkoviq – Vuksha nga Beogradi, si shprehje e bashkëpunimit të tyre shumëvjeçar.
Ekspozita është titulluar sipas filmit të preferuar të dy artisteve “Caro diario” të Nanni Morettit dhe në të ato prezantohen me punimet më të reja.
Për dy piktoret ka folur dhe e ka hapur ekspozitën kustosja e Galerisë “DivArt”, Sllavica Obradinoviq.
Veprat e dy piktoreve në këtë ekspozitë i bashkon mikrobota që krijojnë, e ngjashme për nga ndjeshmëria, koloriti, raporti ndaj jetës. Ndonëse jetojnë dhe punojnë në mjedise të ndryshme, veprat e tyre janë të afërta për nga poetika.
Kurioziteti dhe fryma e aventurizmit i lidhë ato në një miqësi prej më shumë se njëzet vitesh, si dhe parimet e jetës, ndjesia për të bukurën, dashuria ndaj muzikës, filmit, natyrës dhe udhëtimeve.
Në katalogun e ekspozitës thuhet se Vahida Hasanaga – Nimanbegu në krijimet e saj sjell koloritin dhe aromën e bregdetit ku ajo jeton dhe krijon, në atelienë në Kalanë magjike të Ulqinit. Pikturat e saj janë skena abstrakte të jetës së përditshme, para nesh shfaqen anijet, plazhet e fshehura, nxitimi i një qyteti të vogël me diell.
Vahida Hasanaga – Nimanbegu ka diplomuar në vitin 2002 në Fakultetin e Arteve të Aplikuara në Beograd. Është anëtare e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi që nga viti 2009. Deri tani ka ekspozuar në 27 ekspozita personale, në më shumë se 80 ekspozita kolektive, si dhe në 15 koloni dhe rezidenca artistike në botë (Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Izrael, Zvicër, Gjermani, Itali, SHBA etj.). Është laureate e pesë çmimeve për pikturë. Ka themeluar OJQ “Art Dulcinium”, me të cilën organizon punëtorinë me fëmijë, simpoziume, koloni dhe ekspozita me artistë nga e gjithë bota. Ajo është po ashtu nënkryetare e SHAI “Art Club”.
Mysafire të ekspozitës ishin Lisa, vajza 18-vjeçare e Vahidës, dhe Vaja, vajza 6-vjeçare e Tamarës, të cilat po ashtu kanë prirje për art.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri nesër.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat