Në prani të artistëve, miqve dhe adhuruesve të artit nga Shkodra, Ulqini etj., të dielën në Galerinë “Oda” në Shkodër është hapur ekspozita e piktores Vahida Hasanaga – Nimanbegu.
Në këtë ekspozitë të titulluar “Ditari intim”, ajo është paraqitur me disa punime të kohës së fundit.
“Janë piktura të reja që i kam punuar këto ditët e fundit. Shpresoj se do t’ju pëlqejnë”, ka thënë piktorja në hapje të ekspozitës, duke falënderuar të pranishmit.
Pronarja e Galerisë “Oda”, poetja dhe fotografja Rozafa Shpuza, ka thënë se Vahida është një mike e saj dhe piktore shumë e mirë.
“Unë shpresoj që me anë të pikturës së saj ju të merrni emocione dhe ta shpërndajmë këtë pandemi dhe këtë gjë që na ka turbulluar pak, edhe na ka ndarë. Vahida ka një stil të veçantë”, ka thënë ajo duke e hapur ekspozitën.
Mjedisi i veçantë i Galerisë “Oda”, në një shtëpi të vjetër karakteristike shkodrane me oborr, i është përshtatur shumë mirë veprave të piktores, e njohur për stilin e saj krijues, duke përçuar te publiku botën intime të saj, çiltërsinë, butësinë, kaltërsinë mesdhetare etj.
Vahida Hasanaga – Nimanbegu ka mbaruar studimet për art në Beograd. Përpos qytetit të saj Ulqinit dhe Malit të Zi, deri tani ka pasur ekspozita personale edhe në SHBA, Itali, Izrael, Gjermani, Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Serbi etj. Është laureate e disa çmimeve, si Çmimit Vjetor për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi, Çmimit të Sallonit të Zemunit etj. Aktualisht drejton Shoqatën “Art Dulcinium” e cila merret me art dhe kulturë, si dhe ka organizuar një sërë kolonish artistike.
i. k.
