Dita ndërkombëtare e veprave të mira

Luljeta Avdiu – Cura

Dita ndërkombëtare e veprave të mira (#GoodDeedsDay) festohet në mbarë botën çdo 3 prill që nga viti 2007, për të inkurajuar individët të bëjnë vepra të mira dhe të sjellin ndryshime pozitive në komunitetet e tyre.
Kjo ditë u krijua me iniciativën e filantropes Shari Arison dhe shënohet me aksione të ndryshme vullnetare dhe filantropike.
Edhe këtë vit, Shoqata për Prosperitet Demokratik – Zid, në kuadër të lëvizjes mbarëbotërore Dita e veprës së mirë, për të katërtën herë radhazi shënoi Ditën e veprës së mirë, nga datat 16 deri më 21 prill 2023.
Pas kontaktit me Shoqatën për Prosperitet Demokratik – Zid, shoqatë e cila pajisi disa nxënës me bluzat me logo të aktivitetit, mendova që në Ditën e veprave të mira të përkujtojmë një komunitet të veçantë që ka jetuar në Ulqin, harapët e Ulqinit.
Për të folur rreth këtij komuniteti kishim nderin dhe kënaqësinë që si mysafir të veçantë të kishim Dr. Nail Dragën.
Doktori e nisi bukur takimin me nxënës të shkollës sonë për faktin se ai ka qenë nxënës i kësaj shkolle dhe ish drejtor.
Rrëfimi i tij filloi me pyetjen se kush ishin harapët e Ulqinit? Pyetjen e drejtuar nxënësve e shoqëronte një mini-ekspozitë me foto të disa prej familjeve në fjalë dhe libri i autorit Ali Llunji, “Harapët e Ulqinit”, (Botoi: Art Club, Ulqin, 2013).
Vite me parë Doktori kishte përgaditur një tekst për librin në fjalë dhe e solli gati të plotë tekstin që bukur krijonin imazhet për historinë, ngjarjet jetësore, kontributin e tyre, zemërgjerësinë e popullit të Ulqinit etj.
Ndonëse për Ulqinin deri me tash janë shkruar artikuj, studime e botime të veçanta publicistike e shkencore të cilat kanë rëndësinë për kohën kur janë botuar, është hetuar mungesa e një botimi për një komunitet i cili jeton më shekuj në Ulqin.
Fjala është për komunitetin afrikan të zezakëve apo të popullsisë më ngjyrë e cila është bërë pjesë e jetës urbane te këtij mjedisi. Pikërisht duke parë këtë mungesë në botimet në gjuhen shqipe, publicist Ali Llunji ka vite qe ka treguar interesim të veçantë në lidhje me ketë komunitet që i tejkalon shqetësimet dhe angazhimet personale dhe profesionale. Ai madje dekada me parë, duke punuar si gazetar në Radio Prishtinë e më pas në Televizionin e Prishtinës, ka bërë inçizime në formë të reportazheve, por edhe të emisioneve dokumentare, duke i përjetësuar zezakët e Ulqinit në materialin arkivor. Pra kemi të bëjmë me një angazhim serioz profesional në mbledhjen, përpunimin dhe studimin e materialit përkatës. Pikërisht materiali i tillë ka paraqitur bazën për monografianë “Harapët e Ulqinit” e cila kohë më pare është botuar nën logon e Art Clubit . Është kjo monografia e parë në shqip e cila përbëhët nga 13 pjesë duke ofruar të dhëna më interes për opinion e gjerë.
Varësisht prej përgatitjes profesionale të lexuesit, libri në fjalë mund të trajtohet në disa aspekte, por unë atë e trajtoj në dimensionin historik dhe të antropologjisë sociale.
Autori na sjell të dhënat e njohura në lidhje me vendosjen e popullsisë më ngjyrë në Ulqin në të kaluarën, duke dëshmuar se një veprim i tillë ishte shprehi për rrethanat e kohës në terë Mesdheun, ku as Ulqini nuk ishte përjashtim. Madje fuqia ekonomike e familjeve ulqinake varej pikërisht prej numrit të zezakëve qe kishte në kuadër të familjes. Nuk kemi të dhëna të sakta se sa ishte realisht numri i zezakëve në Ulqin, por në mënyrë aproksimative themi se ishin disa dhjetëra, e kjo ka të bëjë sidomos me shek. XIX.
Në aspektin social, autori e trajton komunitetin e harapëve, siç quhen në Ulqin, në shumë aspekte duke e përmbyllur me atë se ata u bënë pjesë e familjeve ulqinake, duke punuar në bashkësitë familjare por edhe angazhimin e tyre në detari, bujqësi e shërbime tjera. Ata bashkëjetuan me shqiptarët, morën nga kultura shqiptare por edhe i dhanë kulturës shqiptare aq sa kishin mundësi, ku në mënyrë të veçantë dallohet fusha e folklorit.
Duke ndarë fatin me shqiptarët, ata morën mbiemrat e familjeve shqiptare ku ishin vendosur, por edhe u shpërngulën me agallarët e beglerët ulqinakë siç ishte rasti në vitin 1880, duke u vendosur në Shkodër, kur Ulqini iu dorëzua Malit të Zi nga ana e Fuqive të Mëdha. Si dëshmi kemi pasardhësit e tyre që janë edhe sot në Shkodër ndonëse në numër të reduktuar, sikurse edhe në Ulqin.
Duke lexuar këtë libër del qartë bashkëjetesa me komunitetin me ngjyrë në Ulqin e cila paraqet një shembull tipik, madje model edhe për mjediset tjera në Adriatik e më gjerë, sepse popullata e tillë jo vetëm që është respektuar e ndihmuar, por edhe janë martuar me popullatën vendase, duke eliminuar paragjykimet. Rasti i një pjesëtari i familjes Fici është shëmbull autentik i kësaj dukurie.
Libri “Harapët e Ulqinit” i autorit Ali Llunji, është një libër i cili i ka munguar literaturës shqipe, jo vetëm për qytetin e Ulqinit por edhe më gjerë. Duke marrë parasysh se deri më tash për komunitetin me ngjyrë të Ulqinit janë shkruar vetëm artikuj të ndryshëm kryesisht publicistik, ky është botimi më i plotë në aspektin profesional, dhe si i tillë është i mirëseardhur për opinionin e gjerë.
Këtë libër duhet ta kemi të gjithë në bibliotekat tona, por në veçanti familjet ulqinake, sepse ata këtu përmenden me emër dhe mbiemër. Ky libër paraqet të kalurën e Ulqinit të paktën këto tre shekujt e fundit, periudhë kur në këtë qytet lulëzoi veprimtaria e detarisë e më të e edhe e kusarisë.
Përveç literaturës publicitiko-shkencore, autori në ketë botim ka përdorur edhe kujtimet e bashkëvendasve ulqinakë të cilët paraqesin një arkiv në miniaturë. Këto të dhëna i ka ruajtur me shumë kujdes e gjelozi për shumë vite, të cilat kanë vlera të veçanta, që plotësojnë mungesën e dokumentacionit historik. Kjo është e qartë për rrethanat e kohës, por të dhënat e tilla janë nga dëshmitarë okularë, andaj si të tillë janë pjesë e dokumentacionit historik për qytetin e Ulqinit.
Të pranishëm në aktivitet ishin drejtori Mustafë Bardhi, i cili përshëndeti nxënësit dhe të ftuarin dhe uroi që nxënësit të marrin si shembull histori të tilla dhe në të ardhmen të bëhen, përveçse nxënës shembull në mësime dhe profesione të ndryshme, edhe qytetarë të mirë që respektojnë bashkësitë e ndryshme, kulturën dhe traditën e dikujt tjetër.
Eric Beuerman (vullnetari i Korpusit të Paqes), i cili përshëndeti të pranishmit dhe nxënësit u shpreh:
“Ndjehem i lumtur dhe i privilegjuar që gjendem në këtë takim dhe mësoj për veprat e mira që populli juaj ka bërë në të kaluarën për harapët e Ulqinit. Mendoj se të gjithë munden të bëjnë vepra të mira për njerëz të tjerë, për komunitetin dhe kështu me radhë”.
Profesori i gjuhës dhe letersisë shqipe Lulzim Mustafaj, u drejtua nxënësve me mesazhin: ”Bëni vepra të mira dhe vetëm vepra të mira, sepse në këtë mënyrë nderoni veten, familjen dhe vendin tuaj”.
Moment i veçantë ishte pika muzikore me violinë nga Arenc Avdiu.
Përmes këtyre aktiviteteve rritet ndërgjegjësimi i nxënësve për çështje të ndryshme, kryesisht për mënyrën e të pranuarit të individit ose të komunitetit ndryshe. Një ndërgjegjësim i tillë hap horizonte dhe ndërton ura komunikimi. Komunikimi është baza që nxënësit të krijojnë një personalitet të veçantë që në bankat e shkollës fillore dhe më pas ky personalitet t’i ndjekë gjatë gjithë jetës.
“E kam një ëndërr, që katër fëmijët e mij të vegjël një ditë do të jetojnë në shtet ku ata nuk do të vlerësohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre. E kam një ëndërr sot”, pat thënë Martin Luter King.

Të fundit

më të lexuarat