Diskutim mbi rolin e gruas në shoqëri

Tuz – Sociologia, gazetarja dhe ish-deputetja nga Shqipëria, Grida Duma ishte e ftuar të shtunën më 21 janar 2023 në Tuz për të diskutuar mbi temën “Roli i gruas në shoqëri”, takim ky i cili u mbajt në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, ku morën pjesë gra dhe vajza të moshave dhe profesioneve të ndryshme.
Në fillim të këtij takimi, nga Komuna e Tuzit shpalosën një biografi të jetës dhe veprimtarisë së pasur profesionale dhe politike të znj. Duma.
Ndërkohë, znj. Marina Ujkaj nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale, shpalosi në retrospektivë pozitën e femrës malësore ndër vite, veçanërisht femrën nga vitet e ‘70-ta të shekullit të kaluar, por edhe zhvillimin dhe avancimin e saj në shoqëri sot dhe kyçjen në politikë dhe në pozitat vendimmarrëse.
Ndërkaq, znj. Grida Duma, u ndal tek evoluimi i suksesit të gruas në shoqëri, duke thëne se gruaja sot ka një pushtet të jashtëzakonshëm, duke mos anashkaluar as disa mangësi të shoqërisë shqiptare në raport me gruan, sidomos mendësinë patriarkale.
“Një ndër disfunksionalitetet më të mëdha të shoqërisë shqiptare është fakti që me martesën, pasi dy individë lidhin martesën, ata mendojnë se ka mbaruar martesa dhe detyra dhe se më s’kanë nevojë ta kurojnë njëri-tjetrin dhe të kujdesën për njëri-tjetrin. Madje në Shqipëri, ekziston një verb patriarkal, sidomos në Veri, ku djemtë ju thonë vajzave po çfarë do tani, a të mora? Dhe kjo nënkupton që nëse ai person është martuar me gruan e vet, është akti më i madh që ka bërë”, tha Duma.
Ajo në lidhje me këtë fenomen sugjeroi që të kurohet marrëdhënia në mes të partnerëve, madje gjithë jetës.
“Sepse që të jesh i suksesshëm në jetë, burrë apo grua, duhet të kesh mirëqenien shpirtërore. Është e pamundur të kesh një jetë personale të pashëndetshme dhe të mendosh të jesh i suksesshëm. Duhet një taban mbështetjeje në jetën shpirtërore që të vazhdosh pastaj me një lloj sigurie të caktuar që lind nga kjo botë e brendshme, sidomos për mentalitetin e gruas shqiptare dhe ballkanase, e deri diku edhe mesdhetare dhe nuk ka gjë më të rëndësishme se marrëdhënia që ka gruaja me familjen nga ka ardhur dhe me familjen që ajo krijon”, shprehet Duma.
Ajo tha se në mentalitetin tonë familja është një fondament i rëndësishëm, duke treguar se ne nuk kemi arritur ende atë emancipimin për disa, apo joemancipimin për disa të tjerë, pra në atë botën perëndimore ku më shumë është i rëndësishëm individi se sa familja.
“Për ne, nëse do të bënim një studim një pjesë e madhe e satisfaksioneve dhe lumturisë na vjen nga familja jonë”, theksoi Duma.
Ajo ndër të tjera potencoi atë që ajo e quajti si një problem që ekziston në Shqipëri dhe në të gjithë hapësirën shqiptare, por jo vetëm, ai i mungesës së profesionit.
“Sepse shoh që 70 përqind e njerëzve nuk kanë profesion. Nuk janë njerëz që po t’i heqesh nga politika dinë se çfarë të bëjnë në jetën e përditshme. Nëse i heq nga politika, këta njerëz nuk dinë të jetojnë në jetën e përditshme, sepse nuk kanë një profesion”, theksoi Duma, duke shtuar se ky fenomen nuk prekë vetëm klasën politike shqiptare, por edhe partitë e vendeve siç mund të jetë Franca apo vende të tjera evropiane.
“Pra, politika është bërë gjithnjë e më tepër populiste që kërkon përfaqësimin nga njerëz të zhargonit të thjeshtë, por kjo nuk do të thotë që është më e mira, dhe apriori nuk do të thotë që është më e keqja, sepse edhe intelektualët në politikë kanë dështuar herë pas here dhe arsyeja për këtë dështim është se ata kanë një sens përkëdhelie të thonë: unë jam i mençur e të më respektojnë, por nuk funksionon bota kështu”, tregon Duma.
Ajo shprehu më tutje zhgënjimin e saj për faktin se shumica e intelektualëve nuk flasin dhe se është e vështirë t’i bësh ata të marrin qëndrime.
“Por zhvillimi i një populli vjen nga elita e vet. Elita ekonomike, elita intelektuale dhe politike. Fakti që lokomotivat tona elitare heqin dorë, për mua është problemi më i madh”, thekson Duma.
Duke u ndalur tek përfshirja e grave në politikën shqiptare sipas kuotave, Duma theksoi që këtë parim të kuotave nuk e mbështet, duke thënë se gratë në këtë mënyrë janë të ofenduara dhe nuk janë në pozitën e barabarë dhe mbi bazën e meritokracisë.
Në këtë takim të hapur, znj. Duma u pyet nga disa zonja/usha në sallë për çështje me interes për gruan në shoqëri.
Kjo është hera e parë që sociologia, gazetarja dhe ish-deputetja Grida Duma merr pjesë si ligjëruese në Tuz, ndërsa ky aktivitet u organziua nga Komuna e Tuzit dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat