Dëshmi e trashëgimisë së pasur historike dhe kulturore të Krajës

Autori Ali Gjeçbritaj ka ardhur para lexuesit me librin publicistik “Gjurmë”, që është dëshmi e trashëgimisë së pasur historike dhe kulturore të Krajës. Libri është i ndarë në dy pjesë: pjesën e parë e zënë artikujt për monumentet më të rëndësishme natyrore, historike dhe kulturore të Krajës, veshjen tradicionale të Krajës, bukuritë natyrore, traditën e lundrimit, për disa ngjarje të rëndësishme etj., të botuar kryesisht në “Koha javore” dhe revistën “Buzuku”, por edhe në ndonjë organ tjetër të shtypit. Ndërsa në pjesën e dytë të librit janë botuar disa recensione për librat e tij dhe recensione të autorit për libra të autorëve të tjerë. Me shkrimet e tij dokumentare Gjeçbritaj lë “gjurmë” mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Krajës.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor i librit është Ismet Kallaba, redaktore gjuhësore Aishe Gjeçbritaj, kurse redaktor teknik Gazmend Çitaku. Libri është botuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, Komunës së Tivarit, Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi, Lidhjes Demokratike në Mal të Zi dhe Forcës së Re Demokratike.
Ali Gjeçbritaj ka lindur në Arbnesh të Krajës, më 1953. Krahas punës në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri merret dhe me krijimtari letrare dhe publicistike. Ka qenë redaktor i revistës “Valët”, revistë e nxënësve të shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros. Deri tash ka botuar librat: “Motet” (poezi), “Gjurmët e moteve” (publicistikë), “Informatori” (publicistikë), “Shkolla në Krajë 1929-2009” (monografi), “Nata me hënë” (poezi), “Botë mashtrimi” (poezi), “Kopshti i xixëllonjave” (poezi për fëmijë), “Udhëtim në kohë” (monografi), “Heshtja që flet” (poezi), “Shkolla në Krajë 1929-2019” (monografi), “Rite dasme në Krajë” (monografi), “Gurët e truallit tim” (poezi), “Motet” (poezi të zgjedhura), “E dua shkollën” (libër leximi për klasën e parë; bashkautor), “Kohë” (poezi) dhe “Gjurmë” (publicistikë).

i. k.

Të fundit

më të lexuarat