Ostros – Edicioni i sivjetshëm i manifestimit tradicional gjithëpopullor “Vera në Krajë”, i cili organizohet nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi prej vitit 1993, ka filluar të shtunën, më 26 korrik 2025, me një ekspozitë fotografike dokumentare dhe mbrëmje letrare të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Ostros.
Duke folur për historikun e këtij manifestimi, udhëheqësja e programit Ardita Rama ka thënë se manifestimi “Vera në Krajë”, gjegjësisht “Në fillim të verës”, është pa dyshim një nga shfaqjet më të bukura dhe më kuptimplota të angazhimit të LD në MZ-së, një festë e përvitshme që mbledh artistë, krijues, intelektualë dhe artdashës nga të gjitha trojet shqiptare, duke krijuar ura të fuqishme komunikimi, afrie dhe krenarie të përbashkët kombëtare.
“Mbrëmja e sotme, që përmbledh ekspozitë, letërsi dhe interpretim poetik, është dëshmi e shpirtit krijues të kësaj treve, një vazhdimësi e traditës sonë për të ruajtur dhe promovuar vlerat kulturore dhe identitare”, ka thënë ajo.
Pjesa e parë e programit i është kushtuar trashëgimisë ndërtimore të Krajës, përmes një ekspozite fotografike me titull “Kraja monumentale” dhe pikturave me motive nga Kraja, realizuar nga arkitekti Korab Kraja.
Në fjalën e tij, autori i eskpozitës ka thënë se dija mjeshtërore e ndërtuesve krajanë ka bërë që sot shumë nga ndërtimet në Krajë, qofshin ato shtigje apo mure, ubla apo lera, lëmenj apo saranxha, kasolle apo shtëpi, kisha apo xhami, ta kenë autenticitetin kulturor dhe vulën origjinale të veçimit të tyre në trajtimet arkitektonike dhe arkitekturore.
“Peizazhi kulturor, prandaj edhe ai arkitekturor i Krajës, i takon peizazheve me vlera të çmuara historike, ndërtimore, estetike, shkencore dhe natyrore. Disa nga këto i plotësojnë relativisht mirë kushtet që parasheh UNESCO, që një aset kulturor duhet të plotësojë që të quhet si Vlerë e Jashtëzakonshme Universale. Pra, të jetë universale, që rreshtohet përkrah trashëgimisë botërore dhe që i kontribuon shoqërisë së njerëzimit dhe që për të do të konsiderohej nder që të bëhet pjesë e saj”, ka thënë arkitekti Kraja, duke shtuar se ekspozita ka udhëtuar nëpër treva të ndryshme shqiptare dhe se kjo është hera e katërt që ajo i prezantohet publikut.
Në pjesën tjetër të mbrëmjes është bërë përurimi i dy botimeve – përmbledhjes me poezi të poetit Ali Gjeçbritaj “Hëna mbi liqen” si dhe e librit “Rrugëtim yjesh”, një përzgjedhje e krijimeve letrare të grupit letrar “Buzuku” të shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” Ostros – Krajë, përgatitur po nga poeti e ish-mësimdhënësi i kësaj shkolle, Ali Gjeçbritaj.
Në vështrimin e tij për vëllimin poetik “Hëna mbi liqen”, Ismet Kallaba, kryetar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club, nën logon e së cilës është botuar libri, ka thënë ndër të tjera se toposi kryesor në poezinë e Gjeçbritajt është vendlindja – Kraja, e cila për autorin është dashuri, është mall, është dhembje…
Duke nënvizuar se poezia nuk është thjesht një lojë fjalësh dhe vargjesh, ai ka thënë se poezitë e Ali Gjeçbritajt bartin mendime, kanë një kuptim, një mesazh.
Redaktori teknik i librave, Gazmend Çitaku, duke folur për përmbledhjen me poezi “Hëna mbi liqen” ka thënë se “ushtari i lirisë së fituar përmes këtyre poezive që na i dhuroi, na mundësoi që të shohim të tashmen dhe të ardhmen, e besa na shtynë që të meditojmë në mënyrë që të krijojmë mendime të reja”.
Ndërsa për vëllimin letrar “Rrugëtim yjesh”, ai ka thënë se “duhet të pajtohemi se ideja fillestare e Ali Gjeçbritajt për të bërë një punë modeste të përmbledhjes së krijimeve letrare botuar gjatë viteve në revistën shkollore ‘Valët’ nuk rezultoi aspak modeste, por rezultoi me botimin e një antologjie të krijuesve të vegjël të vendlindjes”.
Libri “Rrugëtim yjesh” është botuar nga shkolla fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Ostros, drejtori i së cilës, Sami Doda, ka thënë se kjo shkollë është e hapur për bashkëpunim dhe përkrahje të projekteve të tilla.
“Por sidomos kur është fjala për Aliun, e ndiejmë obligim moral dhe e presim me shumë dëshirë duke pasur parasysh punën dhe kontributin e tij mbi 40-vjeçar pranë kësaj shkolle duke edukuar dhe arsimuar gjenerata dhe breza me radhë”, ka thënë ai.
Në mungesë fizike, gjatë promovimit është lexuar edhe vështrimi i redaktorit të përmbledhjes me poezi “Hëna mbi liqen”, Dimitrov Popoviq.
Në fjalën e tij, poeti dhe ish-mësimdhënësi Ali Gjeçbritaj ka treguar se si ka lindur ideja për botimin e librit “Rrugëtim yjesh”.
Ai ka thënë se gjatë punës së tij si mësimdhënës në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” ka bërë përpjekje që të japë kontributin e tij modest edhe në aktivitetet jashtëshkollore, sidomos në veprimtaritë kulturore ndër vite, që janë organizuar në shkollë dhe jashtë saj.
“Një vend dhe vëmendje të veçantë dhe me mjaft interes në shkollën ku kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime, zë puna e seksioneve të gjuhës shqipe, siç janë: seksioni i dramës, seksioni i recituesve dhe seksioni letrar. Lirisht mund të mburremi me rezultatet e këtyre grupeve ndër vite… Një vëmendje e posaçme këtu i është kushtuar krijimit të vlerave letrare. Të rinjtë krijues, të grumbulluar në këtë seksion letrar, ndër vite kanë shpalosur talentin e vet krijues. Meritë të madhe në këtë drejtim kanë mësimdhënësit e gjuhës shqipe, të cilët kanë punuar në këtë shkollë, në institucionin e vetëm arsimor me mësim në gjuhën shqipe në komunën e Tivarit”, ka theksuar Gjeçbritaj.
Në vijim të fjalës së tij, ai ka thënë se “ky libër është vetëm një rrugëtim i atyre që fillet i nisën në krijimtari letrare e që unë i përzgjodha për yje. Të tjerë yje ka, pa asnjë dyshim, të cilët rrugëtimin e tyre jetësor e kanë nisur në ndonjë aktivitet tjetër jashtëshkollor. Përzgjedhja ka të bëjë me ato krijime të ‘yjeve’ që krijuan vlera në krijimtarinë letrare për moshën kur u krijuan ato”.
Në pjesën tjetër të programit, poezi nga krijimtaria e tij ka lexuar poeti nga Kosova, Neki Lulaj, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, aktori Shefqet Luca ka recituar një poezi nga vëllimi poetik “Hëna mbi liqen” i Ali Gjeçbritajt, ndërsa nxënëset e SHF “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, Medina Dragoviq dhe Ermina Dragoviq recituan poezitë “Anës lumenjve” dhe “Hymnin e Flamurit” nga Fan Noli.
Në fund të mbrëmjes, autori Ali Gjeçbritaj ka ndarë libra falas për të gjithë të pranishmit.
Mbrëmja qendrore e manifestimit gjithëpopullor “Vera në Krajë” do të mbahet në Ostros, të martën, më 12 gusht 2025, ku do të shfaqet një program kulturor-artistik me pjesëmarrjen e këngëtarëve, instrumentistëve, valltarëve, humoristëve etj. nga trevat e ndryshme shqiptare.
i. k.
