Në Librarinë e Ulqinit, të shtunën, më 6 dhjetor 2025, u organizua shfaqja solemne e dokumentarit “Pavarësia e Shqipërisë dhe Ulqini 1912”, realizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në bashkëpunim me OJQ “Ul Info”.
Ngjarja u mbajt me rastin e shënimit të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit në Vlorë më 1912, duke mbledhur dhjetëra aktivistë, intelektualë dhe qytetarë të interesuar për historinë e kësaj treve.
Filmi, me skenar dhe tekst të Mustafa Cankës, montazh të Sejdo Ismailit dhe narracion të Bashkim Alajt, sjell në qendër kontributin e ulqinakëve në proceset historike që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Përmes dokumenteve arkivore dhe rrëfimeve historike, dokumentari shpalos sfidat, rezistencën dhe pozicionin e Ulqinit në ngjarjet e trazuara të fillimit të shekullit XX.
Filmi ndalet gjerësisht te periudha pas aneksimit të Ulqinit nga Mali i Zi në vitin 1880, kur qyteti kaloi në një krizë të thellë ekonomike e demografike. Mbi 400 familje u larguan drejt Shkodrës e Durrësit, ndërsa numri i velanijeve, dikur krenaria e ekonomisë detare ulqinake, ra nga rreth 170 në vetëm 15 brenda tri dekadave. Siç dokumentohet edhe në shtypin malazez të kohës, detaria ishte identiteti dhe motori kryesor i zhvillimit në Ulqin, ndaj rrënimi i saj përthau rëndë jetën e qytetit.
Dokumentari trajton edhe politikën arsimore të Cetinës, e cila synonte ta sllavizonte zonën. Shqiptarët ulqinakë paguanin taksa më të larta vetëm për të shmangur ndjekjen e shkollave në gjuhën sllave, ndërsa deri në vitin 1912 vetëm dy nxënës myslimanë e frekuentonin shkollën në qytet.
Një tjetër temë e rëndësishme që trajton dokumentari është refuzimi i ulqinakëve për të kryer shërbimin ushtarak, duke qenë se shumica e burrave jetonin me muaj të tërë në det dhe kontribuonin në ekonominë e vendit me punën e tyre detare.
Përmes citimeve të guvernatorëve, ushtarakëve dhe udhëheqësve të kohës, dokumentari nxjerr në pah përpjekjet e vazhdueshme të autoriteteve malazeze për të ushtruar kontroll mbi shqiptarët, si dhe rezistencën e vazhdueshme të popullsisë vendase. Ai ndalet edhe te ngjarjet e vitit 1912, kur ushtria malazeze, në kuadër të luftërave ballkanike, synoi avancimin drejt Shkodrës dhe e përdori Ulqinin si zonë strategjike.
Në film theksohet roli i ulqinakëve dhe banorëve të trevave përreth, përfshirë Krajën dhe Anën e Malit, të cilët u rreshtuan në mbështetje të Shkodrës dhe kundër pushtimeve të reja, duke mbrojtur lidhjet e tyre fisnore, ekonomike dhe kulturore me këtë qytet shqiptar.
Në përfundim të shfaqjes, të pranishmit vlerësuan dokumentarin si një kontribut të rëndësishëm në ndriçimin e historisë së Ulqinit dhe rolit të tij në proceset e Pavarësisë së Shqipërisë. Organizatorët u shprehën se projekte të tilla janë esenciale për ruajtjen e identitetit historik dhe kulturor të shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë.
Filmi “Pavarësia e Shqipërisë dhe Ulqini 1912” mbetet një dëshmi e rëndësishme dokumentare që iu rikujton brezave të sotëm rrugën e vështirë, por plot dinjitet të paraardhësve të kësaj treve historike.
D. Teliqi
