Dëshmi e pasurisë së madhe leksikore e frazeologjike dhe etnolinguistike të Malësisë së Madhe

Gjekë Gjonaj

(vijon nga numri i kaluar)
Malësia jonë e Madhe “Nderi i Kombit” (2012), është njëra nga krahinat e njohura për të folmen e saj të veçantë dhe për pasurinë mjaft të madhe leksikore, frazeologjike, etnofolklorike dhe sociolinguistike, që kanë tërhequr prej kohësh interesimin e studiuesve të ndryshëm, e sidomos të dialektologëve dhe të historianëve të gjuhës shqipe e të etimologjisë së shqipes. Fjalët, frazeologjizmat dhe etnologjitë e zonës së Malësisë së Madhe, për aq sa kanë qenë të njohura nga fjalorët dhe botimet etnofolklorike të mëparshme, janë përdorur e cituar me përparësi nga Eqrem Çabej në shumë studimet e tij dhe veçmas te vepra e tij “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Në atë udhë, e sipas shembullit të E. Çabejt, ka vepruar edhe akademiku Kolec Topalli në veprën e tij “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” (2017). Pikërisht për vlerat e mëdha leksikore të të folmeve të Malësisë së Madhe, ai është shprehur edhe në kumtesën e tij, “Thesaret gjuhësore të së folmes së Hotit” (“Hoti në rrjedhat e historisë”, Michigan, SHBA 23-24 nëntor 2013, f.367-375).

Të lartpërmendurit, si dhe studiues të tjerë, leksikologë dhe dialektologë, qysh se kanë filluar të botohen monografitë e Gj. Shkurtajt për të folmet e Kastratit (në “Studime filologjike” 1967, nr. 2 e 3) të Hotit, Kelmendit, Rranxave të Mbishkodrës etj (në “Dialektologjia shqiptare” II, III, IV), përpos vlerësimeve e kundrimeve nga dialektologët, lënda leksikore e botuar në ato monografi është shqyrtuar e shfrytëzuar me përparësi, sidomos në studimet rreth etimologjisë së shqipes.
Fjalori ka në bazë pjesën e leksikut të botuar në monografitë e vetë autorit, por edhe krahasime e shtjellime përqasëse me ato të botimeve të mëparshme, qysh nga Fjalori i Bashkimit, Fjalori i Nikollë Gazullit, Fjalori i Benedikt Demës etj., si dhe në një lëndë të gjerë etnofolklorike të Malësisë sonë të Madhe, një numër i madh fjalësh, kuptimesh dhe togfjalësh të qëndrueshëm e frazeologjik, shoqëruar edhe me fjalë të urta e mënyra të të folmes të kësaj treve gjuhësore, duke synuar të bëjë një paraqitje sa më tërësore të asaj pasurie të madhe leksikore e frazeologjike të krahinës së Malësisë së Madhe. Në shpjegimin e fjalëve dhe në shembullzimet e tij, autori shpesh u është referuar edhe fjalëve që i kishte përdorur Gjergj Fishta në poemën madhore “Lahuta e Malcis”, gjë sikundër e ka shprehur Prof. Dr.Tefë Topalli, njëri nga recensentët zyrtar të veprës, përbën ”një vlerë të shtuar” të këtij Fjalori.
Recensentët, specialistë të leksikologjisë e të dialektologjisë shqiptare dhe albanologë të njohur, kanë theksuar se “para së gjithash Fjalori nxjerr në pah pasurinë shumë të madhe që kanë këto të folme, si dhe afërsinë e tyre me njëra-tjetrën. Kjo afërsi është e tillë që rrëfen se në Malësi të Madhe, me gjithë shtrirjen e saj të gjerë tokësore, më fort se për një grup të folmesh, mund të flitet për një të folme të vetme, me disa dallime e luhatje brendapërbrenda.
Qysh në vitin 1916, Maksimilian Lamberci, duke theksuar afërsinë e të folmeve të pjesëve të ndryshme të Malësisë, shprehej në këtë mënyrë: “Kështu p.sh. dialektet lokale të Kosovës dhe të Gjakovës, në bazë të vetive të tyre tingullore dhe flektive, formojnë një grup; prej këtij grupi dialektet lokale të Malësisë që janë shumë afër njëri-tjetrit, na çojnë te dialekti i qytetit të Shkodrës, i cili qëndron autonom për sa u përket vetive të tij”.
Po e përfundoj fjalën time me vlerësimin e Prof. Dr. Tefë Topallit, i cili, ndër të tjera ka theksuar:
“Vepra ’Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe’, synon të jetë dëshmi e pasurisë së madhe leksikore e frazeologjike dhe etnolinguistike të një krahine kaq tipike të Shqipërisë veri-perëndimore, po edhe të jetë si mbështetje për studime të ndryshme që mund të bëhen në të ardhshmen për krejt të folmet e shqipes ose edhe veçmas për sa nden kjo krahinë me hapësirat e fjalëve, kuptimeve dhe shprehjeve të qëndrueshme frazeologjike, si dhe me një numër të madh fjalësh dhe emërtimesh kushtuar veglave muzikore, dokeve dhe praktikave të ndryshme etnofolklorike e etnolinguistike, të cilat, në fakt, e bëjnë këtë vepër edhe mjaft të veçantë në grupin e fjalorëve të shqipes. Kjo veçanti, duket si në vëllimin e fjalësit, ashtu në trajtimin leksikografik të lemave që përmban, në hapësirën e strukturave kuptimore e të shpjegimeve, përfshirë zgjerimin e ngushtimin e kuptimeve të tyre, etj. ‘Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe’ sjell gjithashtu, një begati leksemash, kuptimesh, thëniesh e shprehjesh frazeologjike, shoqëruar edhe me shumë fjalë të urta e shprehje urtake tipike malësore, që i shërbejnë njohjes së pasurisë gjuhësore shpirtërore të gjuhës shqipe, në njërën nga krahinat më të dallueshme të Shqipërisë. Ka aty, veç tjerash, emra kafshësh e bimësh, mënyra të thëni e përshëndetje tipike malësore, betime, urime e mallkime, si dhe një numër jashtëzakonisht të madh togfjalësh e etnologjishë që e dallojnë Malësinë e Madhe si gurrë të pashtershme shqiptarie. Autori ka mbledhur e përfshirë në të, gati gjithçka, nga leksiku dhe mënyrat e kumtit nga vendësit e Malësisë, duke bërë ekonomi me mënyrën e dhënies së tyre, për të vënë në dorë të përdoruesve të tij një lëndë sa më të madhe të mjeteve të shprehjes gjuhësore. Autori ia del që shpjegimet e kuptimeve të jenë sa më të thjeshta e të përshtatshme për përdoruesit e tij”.
Bashkohemi plotësisht me vlerësimin e Prof. Topallit, që shprehet: “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe”, si për nga vlerat e mirëfillta studimore, ashtu edhe nga prurjet konkrete nga hulumtime të bëra në vendbanime të ndryshme të Malësisë, dhe në vendet e tjera ku janë shpërngulur malësorët, si Bregun e Matës, në Ishull të Lezhës e të Shëngjinit, në vetë qytetin e Lezhës dhe në pjesën e Malësisë që ka mbetur jashtë kufijve shtetërorë në Mal të Zi, meriton të botohet në kolanën e botimeve të Akademisë së Shkencave dhe përbën një ndihmesë me vlerë për kërkimet në lëmin e dialektologjisë dhe të sociolinguistikës shqiptare edhe në planin bashkëkohor, aq më tepër, duke marrë parasysh se autori i kësaj vepre gjuhësore, është folës i lindur i kësaj treve të pasur edhe në planin e gjuhës sonë”. (Prof. Dr. Tefë Topalli, Tiranë, 13 dhjetor 2020)
Fjala e recensentëve është bërë realitet, dhe ne sot kemi mundësinë ta marrim në dorë Fjalorin dhe, sigurisht, t’i urojmë autorit, malësorit tonë, profesorit të nderuar që, pavarësisht se po shkon nga të tetëdhjetat, të ketë shëndet të mirë e jetë të gjatë dhe, ashtu si deri sot, të na gëzojë edhe me studime e libra të tjerë. Jam në dijeni se, së shpejti del nga shtypi edhe një libër tjetër i Prof. Shkurtaj në kolonën e Akademisë së Shkencave, në të cilin ka trajtuar rëndësinë e këngëve popullore e sidomos të Eposit të Kreshnikëve si përmendore madhështore e kulturës së të folurit. (Fund)

(Vështrimi është lexuar në përurimin e Fjalorit në Tuz, më 25 gusht 2022, në kuadër të Panairit të Librit)

Të fundit

më të lexuarat