
Malësia e Madhe – krahinë etnografike
Hapësira etnogjeografike shqiptare, ku bën pjesë edhe Malësia e Madhe në veriun shqiptar, në pjesën dytë të shekullit XIX pësoi ndryshime territoriale, sepse në saje të vendimeve të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit (1878) filloi të rrudhosej, sepse pjesë të saj iu dhuruan Malit të Zi. Fjala është për dy mikroregjione: Trieshin dhe Kojën, që u aneksuan duke bërë shkëputjen territoriale nga Malësia e Madhe.
Por ky dekompozim territorial nuk përfundoi me kaq, sepse në saje të vendimeve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës (1912/1913), kufiri shkoi më në lindje, ku Malësisë iu shkëputën edhe Gruda e Hoti. Ishin këto vendime arbitrare të Fuqive të Mëdha në interes të konjukturave gjeopolitike të kohës, duke mos marrë parasysh kriterin etnik e historik, në kundërshtim me vullnetin e popullsisë shqiptare. Sepse shqiptarët në Malësi nuk kanë luftuar kundër një pushtuesi (Turqisë) për t’u aneksuar nga një pushtues tjetër (Mali i Zi).
Nga Gruda në Velipojë
Ndër personalitetet e nderuara të Malësisë së Madhe, të cilët pasion e kanë pasur mbledhjen e trashëgimisë kulturore, bën pjesë edhe Atë Kolë Berishaj, i cili ka dhënë kontribut me rëndësi për etnokulturën e vendlindjes. Ai ka lindur më 28 nëntor 1916, në fshatin Priftën të Grudës së Malësisë së Madhe. Në saje të rrethanave shoqërore të kohës në Luftën e Parë Botërore e sidomos në saje të kushteve të pavolitshme ekonomike, familja e tij është detyruar të vendoset në fshatin Velipojë (Shkodër). Por ky migrim në këtë mjedis ishte i favorshëm për këtë familje, sepse këtu kishin kushte më optimale për të jetuar. Në mjedisin e ri kjo familje ka ruajtur traditat e vendlindjes, duke punuar dhe predikuar ritet fetare, duke shkuar në kishën e fshatit. Në atë kohë, në kishën e Velipojës shërbente dom Alfons Tracki, prift gjerman, i cili ishte i njohur për vlerat e tij njerëzore e shoqërore.
Gjermani hapi shkollën shqipe
Dom Alfons Tracki ka lindur në qytetin Bresian të Gjermanisë në vitin 1892. Pasi përfundoi studimet e larta në shkencat teologjike dhe u shugurua meshtar, u transferua me detyrë në Shkodër në vitin 1920. U vendos në kishën e Velipojës dhe punoi si një misionar i palodhur, ku veçohet në fushën e arsimit dhe edukimit. Ai e ka dashur shumë popullin shqiptar, sepse qe një martir i fesë katolike në Shqipëri.
Me instalimin e sistemit komunist në Shqipëri nga nëntori i vitit 1944, ai ishte i papërshtatshëm për sistemin dhe është ndjekur prej tyre. Ndonëse ai ka dalë në mal për t’i shpëtuar ndjekjes, është kapur nga forcat e Sigurimit të Shtetit dhe është pushkatuar më 18 qershor 1946.
Shkollimi fillor i mesëm dhe i lartë
Është meritë e tij që në Velipojë ka hapur një shkollë në gjuhën shqipe me tri klasa. Pikërisht në këtë shkollë mësimin e nisi edhe Kola në vitin 1927, ku mësues dhe edukator i tij ishte dom Alfons Tracki. Në këtë shkollë Kola është dalluar si një nxënës i zellshëm, punëtor dhe me edukatë.
Pasi përfundoi shkollën fillore, Kola iu përkushtua rrugës së meshtarisë, jo si besimtar por tash si misionar. Pikërisht për këtë arsye, me ndërhyrjen e dom Trackit, ai i vijoi studimet në Kolegjin Françeskan në Shkodër. Në këtë shkollë Patër Kola u dallua në mënyrë të veçantë me përgatitje meshtarake, duke zbuluar veçori të karakterit të tij prej njeriu të përgatitur dhe me kulturë të lartë fetare e tradicionale. Në vitin 1939 ai përfundoi gjimnazin “Illiricum” që drejtohej nga etërit françeskanë.
Në Siena të Italisë ka vijuar studimet e larta në fushën e filozofisë e të teologjisë, ku studimet i përfundoi në vitin 1942 dhe më pas është shuguruar meshtar nën Urdhrin Françeskan.
Meshtar në vendlindje
Pas përfundimit të studimeve shkoi në vendlindje në Prifën – Grudë, ku mban meshën e parë me 15 gusht 1942, në ditën e Zojës së Grudës. Në ceremoninë e kësaj meshe i pranishëm ishte edhe Atë Anton Harapi, që ka qenë bashkëshoqërues i meshtarit të ri.
Krahas detyrës së meshtarit Patër Kola, po këtë vit, emërohet në detyrën e profesorit në Kolegjin Françeskan, ku dallohet si një mësimdhënës i talentuar dhe njeri me aftësi të veçanta pedagogjike. Për këtë arsye, për pak kohë e shohim edhe në detyrën e nëndrejtorit të shkollës fillore françeskane në qytetin e Shkodrës.
Ndërsa në vitin 1943, Provinciali i Urdhrit Françeskan, Patër Anton Harapi e cakton famullitar në fshatin Toplanë, një fshat malor i banuar nga malësorë, ku qëndroi rreth dy vjet duke punuar me përkushtim në rindërtimin e famullisë dhe shtimin e besimtarëve në ceremonitë fetare.
Fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nga nëntori i vitit 1944, në Shqipëri u instalua diktatura komuniste, e cila kishte pasoja të mëdha për elitën intelektuale dhe figurat politike të cilat llogariteshin si kundërshtarë të regjimit. Në këtë kategori llogariteshin edhe personalitetet fetare, ku me së shumti e kanë pësuar ata katolikë. Kujtojmë me këtë rast famullitarin e Traboinit Atë Zef Tagaj, i cili u pushkatua më 19 shkurt 1945.
Pasi kisha e Traboinit mbeti pa meshtar, me urdhër të argjipeshkvit Nikollë Dobreciqit, nga Argjipeshkvia e Tivarit, më 10 prill 1945, Atë Kolë Berishaj emërohet famullitar i Trabonit. I vendosur në Hot, në një mjedis i cili u persekutua nga pushtetarët komunistë, si meshtar i devotshëm ai është përpjekur vazhdimisht të sfidojë rrethanat shoqërore të kohës, duke i ndihmuar popullit si misionar pajtimi, duke qenë vazhdimisht në krye të detyrës duke predikuar virtytet më të larta, si besën, trimërinë, bujarinë e paqen. Duke qenë i tillë, ai te hotjanët kishte respekt të veçantë, që është dëshmuar në pajtimin e konflikteve duke shpëtuar jetë nga gjakmarrja, bashkëpunim shoqëror etj.
Pasi shërbeu me përkushtim 28 vjet në famullinë e Hotit, në vitin 1973 u transferua në famullinë e Gucisë, ku ka shërbyer për 6 vjet, derisa ka dalë në pension në moshën 63-vjeçare. Edhe në këtë mjedis, me punën e angazhimin ka mbetur model për kohën, duke pasur respekt të veçantë te besimtarët e qytetarët në përgjithësi.
Pas një sëmundjeje të rëndë, vdiq më 28 maj 1993, në moshën 77-vjeçare, duke lënë pas një emër të nderuar dhe një veprimtari që nderohet ndër breza.
Etnokultura si pasion
Gjatë shërbimit si meshtar në Grudë, Hot e Guci, për 37 vjet me radhë derisa ka dalë në pension (1979), ai ka qenë i shoqëruar vazhdimisht me fletoret e shënimeve, ku ka shënuar nektarin e traditës popullore. Pasi në Hot ka qëndruar rreth 30 vjet, ai në biseda të zakonshme ka depërtuar në vlerat etnokulturore të hotjanit, ku ka synuar të nxjerrë vlerat më të çmuara të qenësisë së këtij kombi, siç janë besa, trimëria, bujaria, mençuria dhe ndjenja atdhetare.
Duke qenë misionar i fesë, Atë Kolë Berishaj nuk ka qëndruar statik e formal në ato vise ku ka punuar e jetuar, por me durim ka mbledhur visarin tonë kombëtar, vlerat dokumentare dhe gojore të etnosit tonë kombëtar. Në këtë mision ai ka trashëguar punën me pasion të Atë Vinçenc Prennushit, Atë Shtjefën Gjeçovit, Patër Donat Kurtit, Atë Marin Sirdanit, Atë Bernardin Palajt etj. Ishin këto autoritete e misionarë të fesë që kanë mbledhur visarin tonë kombëtar, duke dëshmuar pasionin e tyre për trashëgiminë kulturore kombëtare, duke na lënë trashëgim veprat e tyre me vlerë shumëdimensionale.
Vepra në tre vëllime
Botimi i veprës së Atë Kolë Bershës në tre vëllime: Përreth sofrave (Vepra-1), Visare të Malësisë (Vepra-2) dhe Kangë e vaje (Vepra-3), botuar nga EP “Fishta” – Lezhë dhe Misioni Françeskan – Tuz në vitin 2013, përgatitur për botim nga Hamit Boriçi e Gjovalin Gjeloshi, është dëshmi e një vepre dinjitoze e cila nderon autorin dhe kulturën shqiptare.
Nëse analizohet secili vëllim në mënyrë të veçantë, del qartë se kemi të bëjmë me të dhëna me peshë etnokulturore jo vetëm për Malësinë e Madhe e veriun shqiptar, por për tërë hapësirën etnogjeografike kombëtare.
Në vëllimin e parë, Atë Kolë Berishaj, duke trajtuar Sofrat jep disa të dhëna interesante për shpërndarjen territoriale të institucionit të Bajrakut në Malësi të Madhe dhe më gjerë. Kemi të bëjmë me konceptin e sofrës në përgjithësi, ku roli i bajrakut është parësor, që vazhdon edhe në ditët tona në Malësinë e Madhe. Dhe në këtë aspekt autori paraqet edhe territorin e tyre sipas mikroregjioneve apo zonave në mjediset përkatëse. Fjala është për hapësirën territoriale etnogjeografike e jo atë administrative, sepse në aspektin etnografik krahina të ndryshme nuk janë paraqitur unike sikurse kanë qenë në të kaluarën, çështje e cila mbetet e hapur edhe në ditët tona. Në saje të të dhënave për numrin e bajraqeve, Kolë Berishaj paraqet këtë numër për krahinat përkatëse. Kështu Malësia e Madhe përbëhet nga 7 bajraqe (Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati, Shkreli, Trieshi dhe Koja e Kuçit);
Malësia e Vogël nga 6 bajraqe (Shala, Shoshi, Toplana, Gjani, Plani e Kiri);
Rranxat e Shkodrës – 6 bajraqe (Kopliku, Buza e Ujit, Grizha, Reçi, Lohja e Rrjolli);
Postriba – 5 bajraqe (Drishti, Shllaku, Dushmani, Boksi e Suma);
Puka – 7 bajraqe (Berisha, Iballja, Kabashi, Bugjani, Puka, Qerreti e Mali i Zi);
Mirdita – 5 bajraqe (Oroshi, Spaçi, Kushneni, Fani e Xibri); dhe
Malësia e Lezhës – 5 bajraqe (Bulgri, Kryezeza, Manatia, Vela e Pllana) (Vepra 1, f. 17)
Në këtë vëllim, përveç Sofrës trajtohen edhe ritet e zakonet, mikpritja, armët dhe veshja e malësorit, si e matë populli kohën, përralla etj.
Në vëllimin e dytë prezantohen urime e mallkime, fjalë të urta, emra të rrallë njerëzish e gjallesash si dhe disa shprehje popullore e kallxime e besëtytni, kurse në vëllimin e tretë janë prezantuar kangë e vaje.
Lënda e prezantuar në këto vëllime paraqet në material me vlerë etnologjike e folklorike për krahinën e Malësisë së Madhe, e cila meriton të studiohet nga studiues të fushave përkatëse, sepse siç shkruan studiuesja e kulturës popullore dhe e antroplogjisë Prof. dr. Afërdita Onuzi: “e veçanta e At Kolës qëndron në faktin se, ndryshe nga mbledhës të tjerë, që bazohen vetëm në tregimet dhe kujtimet e bartësve, ai, shumicën e këtyre të dhënave e ka mbledhur gjatë momenteve kur kryheshin e praktikoheshin këto rite, zakone e ceremoni. Pikërisht kjo u jep vlera të veçanta shënimeve të tij, çka një etnograf i mirëfilltë do t’ia kishte zili”.
Përfundim
Atë Kolë Berisha bën pjesë në radhën e françeskanëve të nderuar, të cilët me punën dhe veprat e tyre bëjnë pjesë në plejadën e autoriteve kombëtare jo vetëm në veriun shqiptar. Kujtojmë me këtë rast dijetarët e mëdhënj si Atë Bernardin Palaj, Donat Kurti etj., që i sollën albanologjisë shqiptare e folklorit në veçanti “Visaret e Kombit” në disa vëllime, duke mbetur monument i identitetit kombëtar shqiptar.
Me largimin e tij në vitin 1993, mbyllet një kapitull për Malësinë e Madhe, sepse ata ishin misionarë të fesë me formim dhe profesionistë në punën e tyre, por edhe fisnikë në marrëdhëniet njerëzore. Pikërisht i tillë ishte Atë Kolë Berishaj, i cili ka mbledhur visarin tonë kombëtar, duke dëshmuar pasionin për trashëgiminë kulturore kombëtare, duke na lënë trashëgim emrin dhe veprat me vlerë shumëdimensionale, të cilat janë si testament për kohën e tij, të tashmen dhe të brezave në të ardhmen.
Dhe nëse në të ardhmen do të botohet një libër i veçantë kushtuar personaliteteve në Malësinë e Madhe, e them pa ngurrim se në këtë plejadë të figurave të tilla edhe Atë Kolë Berisha do të jetë pjesë e tij.
(Kumtesa është paraqitur në Konferencën shkencore ”Treva e Veriut – një kujtesë në visaret e traditave që ndriçojnë historinë tonë”, mbajtur në Shkodër më 30 maj 2025, në organizim të Qendrës së Studimeve Albanologjike të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”)
