Dëshmi e mbijetesës dhe trashëgimisë kulturore

Xhelal Muja, “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë”
Ndonëse më herët për krahinën e Krajës, përkatësisht Krajën e Shkodrës është shkruar në mënyrë fragmentare nga autorë të ndryshëm, nga miratimi i pluralizmit në këtë aspekt janë botuar studime e botime të veçanta me vlera shumëdimensionale.
Cekim me këtë rast botimin e librit “Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve” (Kumtesat e Konferencës Shkencore, Ulqin 7-8 tetor 2011), botuar në vitin 2013, me qasje shumëdimensionale si i vetmi i këtij lloji deri më tash. Ndërsa me studime apo botime të veçanta janë paraqitur edhe Z. Jankaj, I. Doda, H. Koliqi, A. Gjeçbritaj, H. Muja, H. Alaj, N. Draga etj, duke ofruar të dhëna me interes nga profili i tyre krijues.
Autorëve të tillë iu bashkëngjitet Xhelal Muja, i cili ditë më parë opinionit i prezantohet me librin “Ublat – trashëgimi kulturore dhe jetike në Krajë”, duke qenë botim i veçantë i trashëgimisë kulturore në hapësirën etnogjeografike mbarëkombëtare.
I lindur dhe i rritur në Krajë, autori nuk ka qenë indiferent ndaj trashëgimisë kulturore të kësaj krahine etnografike, por është angazhuar me pasion duke mbledhur të dhëna me interes për ublat, që janë simbol jetik i këtij mjedisi. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse ato janë identiteti i kulturës materiale të shqiptarëve në Krajë, të cilat kanë nxitur kurreshtjen e studiuesve të ndryshëm.
Dukuri e terreneve karstike
Dihet se ublat janë të pranishme në terrenet karstike, si të vetmet objekte për të siguruar ujin për popullsinë vendore. Pikërisht në saje të ndërtimit të tyre, personat përkatës kanë treguar mjeshtëri në artin e ndërtimit, duke dëshmuar se në këtë krahinë etnografike jeta është e hershme dhe ka patur vazhdimësi deri në ditët tona. Në lidhje me këtë çështje autori ka hulumtuar në terren duke ofruar të dhëna për 397 ubla, duke dëshmuar se Kraja në këtë aspekt paraqet mjedis të veçantë në tërë hapësirën etnogjeografike shqiptare.
Libri është i ndarë në dy pjesë: në pjesën e parë ofrohen të dhëna historike e gjeografike për Krajën dhe vendbanimet e saj, nga Shiroka e deri në Selcë, ndërsa në pjesën e dytë në detaje ofrohen të dhënat për ublat në Krajë sipas vendbanimeve, ku përveç koordinatave të tyre ofrohen edhe fotografitë përkatëse, duke qenë dëshmi autentike në ketë mjedis.
Ublat, pjesë e identitetit social e kulturor
Në rrethana të reja shoqërore ublat kanë humbur rolin e tyre, por ato janë pjesë e identitetit social e kulturor të popullsisë së Krajës. Ublat duhet trajtuar në kontekstin e raporteve shoqërore me qasje shumëdimensionale, sepse ato kanë qenë vend i takimeve, ngjarjeve të ndryshme por edhe të njohjeve mes të rinjëve. Dhe nuk ka pasur mundësi të jetë ndryshe, sepse ato ishin simbol i jetës në këtë krahinë etnografike.
Libri ka si mision për të informuar lexuesit e pasionuar, por në mënyrë të veçantë brezat e ardhshëm të njihen me një pjesë të historisë dhe mënyrën e të jetuarit të paraardhësëve të tyre, sepse duke njohur të kaluarën me të drejtë vlerësohet e tashmja dhe planifikohet e ardhmja.

Iniciativë për në UNESCO
Suke marrë parasysh vlerat e tyre për jetën dhe mbijetesën e popullsisë në Krajë, mendoj se duhet të inicohet nisma që disa prej tyre të mbrohen nga UNESCO si monumente të kulturës materiale.
Në këtë aspekt mendoj për ublat në Ostros të Madh, Brisk Poshtë dhe Ljare, andaj për këtë ide duhet përgatitur kërkesa dhe të drejtohet në adresën e duhur sa ma parë, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.
Përfundimisht autori në saje të pasionit dhe angazhimit në terren ia ka arritur qëllimit duke i ofruar opinionit një botim me vlerë nga trashëgimia kulturore dhe antropologjia sociale.
Leksikon i trashëgimisë etnokulturore
Nuk ka dielmë se më këtë botim autori ka kryer një obligim moral në nderim të gjithë atyre që realizuan këto vepra jetësore për popullsinë e Krajës duke mbetur monumente të trashëgimisë etnokulturore shqiptare.
Andaj si i tillë, ky botim që lirisht mund të quhet leksikon i trashëgimisë kulturore, është i mirëseardhur në mënyrë të veçantë për kranjanët të lindur këtu, por edhe për ata të cilët janë me origjinë nga Kraja, si dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të njihen me mbijetesën e popullsisë së Krajës nga kohërat më të hershme e deri në ditët tona.
Nail Draga
(Lexuar më rastin e përurimit në Ostros – Krajë, më 11.5.2022)

Të fundit

më të lexuarat