Dëshmi e lidhjeve të shqiptarëve me vendlindjen

Ky aktivitet, i njohur ndryshe edhe si Nata e Diasporës, u shndërrua në një manifestim të fuqishëm të unitetit, krenarisë dhe dashurisë për atdheun, duke dëshmuar se distanca nuk e zbeh kurrë ndjenjën kombëtare. Në çdo këngë, në çdo duartrokitje dhe në çdo përqafim u ndie fuqishëm fryma shqiptare, duke e bërë këtë natë një kujtim të çmuar për të gjithë ata që ishin pjesë e saj

Ana e Malit u shndërrua mbrëmjen e së martës së 29 korrikut në një skenë të paharrueshme shqiptarie, ku zemrat e mërgimtarëve dhe vendasve rrahën në një ritëm të përbashkët në kuadër të aktivitetit tashmë tradicional “Diaspora në vendlindje”.
Aktiviteti i organizuar nga “Albi’s Party”, nën drejtimin e organizatorit Naser Nika, u zhvillua në ambientet e Restorantit “Lamiga” në Krythë të Ulqinit, duke nisur nga ora 20:00 dhe duke zgjatur deri në orët e para të mëngjesit.
Qindra pjesëmarrës nga diaspora dhe trevat shqiptare përjetuan një mbrëmje të pasur me muzikë, emocione dhe krenari kombëtare. Aktiviteti u shoqërua nga interpretime të shkëlqyera të artistëve më të dashur të muzikës shqiptare në Mal të Zi, përfshirë Myzafer Koliqin, Vesel Pelinkun, Valdet Lukën, Suad Shaptafën dhe Samir Veliqin.
Mbrëmja kulmoi me paraqitjen e të ftuarve specialë, mes të cilëve spikati këngëtarja me zë brilant Viki Lulgjuraj, reperi i mirënjohur Gold AG dhe legjenda e muzikës shqiptare Sinan Vllasaliu. Prania e tyre i dha skenës një dimension të veçantë artistik dhe emocional.
Në qendër të këtij organizimi qëndronte Naser Nika, i shpallur qytetar nderi i Malishevës dhe i Nju Jorkut, i njohur për iniciativat e tij të shumta që lidhin shqiptarët kudo që ndodhen me rrënjët e tyre. Ndër projektet e tij simbolike përmendet përpjekja që flamuri kuqezi të valëvitet në Shtëpinë e Bardhë më 28 Nëntor, si dhe nisma për emërtimin e rrugëve në SHBA me emrat e patriotëve shqiptarë Ismail Qemali dhe Isa Boletini.
Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sella, u shpreh se “kjo mbrëmje është dëshmi e gjallë se, pavarësisht ku ndodhen, shqiptarët mbeten të lidhur fort me vendlindjen. Ulqini është dhe do të mbetet gjithmonë shtëpia e përbashkët e gjithë shqiptarëve.”
Edhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe përkatësisë kombëtare.
“Diaspora shqiptare është pasuri kombëtare. Me përkushtimin e saj, ne jo vetëm që ruajmë gjuhën dhe kulturën, por e përcjellim atë me krenari edhe në gjeneratat që po rriten jashtë trojeve tona”, ka thënë ai.
Ky aktivitet, i njohur ndryshe edhe si Nata e Diasporës, u shndërrua kështu në një manifestim të fuqishëm të unitetit, krenarisë dhe dashurisë për atdheun, duke dëshmuar se distanca nuk e zbeh kurrë ndjenjën kombëtare. Në çdo këngë, në çdo duartrokitje dhe në çdo përqafim u ndie fuqishëm fryma shqiptare, duke e bërë këtë natë një kujtim të çmuar për të gjithë ata që ishin pjesë e saj.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat