Lënda arkivore është hulumtuar dhe është përdorur gjatë përgatitjes së botimit të librit të parë, ndërsa tani përzgjedhja e dokumenteve paraqitet në formën e tyre të plotë, duke qenë dëshmi autentike për pozitën dhe statusin shoqëror që kishin shqiptarët, përkatësisht Ulqini dhe rrethina e tij në këtë periudhë kohore
Në gamën e gjerë të publikimeve shkencore, burimet arkivore paraqesin lëndën bazë të hulumtimit dhe studimit të çështjeve përkatëse, sipas profilit profesional të autorëve të ndryshëm. Eshtë çështje tjetër se sa arkivat kanë qenë të hapura për studiuesit tanë, duke ditur ngjarjet e kaluara dhe paragjykimet që kanë ekzistuar ndaj ne shqiptarëve. Një konstatim i tillë vlen sidomos për ne shqiptarët këtu në Mal të Zi, të cilët duke qenë në margjina të shoqërisë, arkivat dhe lënda arkivore pothuaj ka qenë dukuri e panjohur në sistemin monist, sepse pasojat ishin evidente.
Por, pas dështimit të sistemit monist, disa studiues treguan interesim dhe guxim për hulumtime arkivore në Arkivin e Shtetit të Malit të Zi në Cetinë. Ndër ata persona bën pjesë edhe Hajro Hajdari, i cili ndonëse me profesion është jurist, ai me plot pasion është interesuar për hulumtimin e kësaj lënde nga koha e Kongresit të Berlinit e më pas. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse nga ajo kohë filloi dezintegrimi i hapësirës etnogjeografike shqiptare, ku në saje të vendimeve të padrejta vise shqiptare iu dhënë si dhuratë vendeve fqinje, ku bën pjesë edhe Mali i Zi. Pra kemi të bëjmë me kohën kur popullsia e viset shqiptare të aneksuara nën administrimin e ri sfiduan rrethanat e kohës, duke mbijetuar në hapësirën e tyre etnogjeografike.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “816” të revistës Koha Javore

