Shkodër – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” tre këngëtarë të muzikës popullore nga trevat shqiptare në Malin e Zi – Shaban Gjekaj, Nikollë Nikprelaj dhe Gëzim Salaj.
Presidenti Meta ka vlerësuar karrierën dhe kontributin e tyre shumëvjeçar në kultivimin e këngës popullore në trevat shqiptare në Malin e Zi dhe tërë hapësirën shqiptare.
Në motivacionin e titullit dhënë këngëtarit Shaban Gjekaj thuhet: “Në vlerësim të kontributit të tij 54-vjeçar për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare jomateriale në fushën e muzikës shqiptare, si këngëtar i shquar i këngës popullore qytetare të Shkodrës e të Ulqinit. Me mirënjohje për kontributin në njohjen e këngës tradicionale popullore jashtë kufijve të Shqipërisë, sidomos në trevat shqiptare në Malin e Zi dhe në diasporë”.
Në motivacionin e titullit dhënë këngëtarit Nikollë Nikprelaj thuhet: “Në vlerësim të kontributeve të tij të çmuara si krijues dhe interpretues i shumë këngëve e melodive popullore të trevës së veriut. Me mirënjohje për interpretimet dhe përfaqësimin e denjë të Shqipërisë në shumë vende të botës, ku edhe është vlerësuar dhe nderuar maksimalisht”.
Në motivacionin e titullit dhënë këngëtarit Gëzim Salaj thuhet: “Në vlerësim të kontributit të tij të veçantë për promovimin, mbrojtjen dhe trashëgiminë e vlerave tona kombëtare, si këngëtar i mirënjohur popullor. Me mirënjohje për përfaqësimin artistik të trevave autoktone shqiptare, përmes këngës popullore, në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit”.
Në emër të Presidentit të Republikës, atyre ua kanë ndarë titujt Prof. dr. Edmond Panariti, drejtor i kabinetit të Presidentit, dhe Flamur Gashi, këshilltar i Presidentit për çështjet e rajonit.
Krahas këngëtarëve Gjekaj, Nikprelaj dhe Salaj, janë ndarë dekorata edhe për disa personalitete të shquara nga Shkodra dhe Vlora.
Në bazë të Ligjit për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendor të nderit në Republikën e Shqipërisë, titulli “Mjeshtër i madh” u jepet punonjësve të fushave të ndryshme të shkencës, artit, sportit, drejtimit, prodhimit dhe biznesit për punë të shquara dhe kontribut thelbësor në zhvillimin e sektorit.
Ceremonia e dorëzimit të titujve është zhvilluar të martën, më 12 korrik 2022, në sallën e konferencave të Hotelit “Grand Europa” në Shkodër.
i. k.
