
I guximshmi shkruan dhe dëshmon kohën e vet. Të guximshmit sot i kemi edhe në jetën kulturore, artistike, në sport, politikë, ara, punishte, atelie, në klasa, ordinanca, mbi tastaturë e gjithandej, që duke rrezikuar antipatinë, injorimin, kritikën e pasoja tjera të impaktit shoqëror e publik, vazhdojnë të thonë të vërtetën e tyre.
Juristët, grupit të esnafëve të cilit i takoj, do të thonin se ekziston vetëm një e vërtetë; historianët se ajo është dimension kohor; kurse politikanët të vërtetën e shohin si relative, të diskutueshme, dhe jo si diçka absolute.
Prizmi i autorit Dr. Nail Draga tek libri “Debati i munguar”, është në fokus të njerëzve që shkruajnë e i lexojmë, i injorojmë, dhe rrallë u japim meritën. Deri te e vërteta vihet përmes kontestimit, debatit, dialogut, shtrimit të problemit në tryezë, e përhapjes së mëndimit. Disa nga ne që shkruajmë në keto cepe të tokave shqiptare, disi shndërrohemi në kronografë të vetëdishëm për pasojën, por të pa vetëdishëm për peshën historike.
Në mungesë të forumeve klasike, ligjeratave, tryezave, jemi të detyruar që debatin ta ushtrojmë me vetveten, duke na munguar protagonisti kryesor, kontestuesi, antagonisti, apo së paku ai apo ata që do të na çonin tek e vërteta. Në një shoqëri që koha të meson se qëndrimi anash dhe mosreagimi krijon komfor, relativizimi dhe minimizimi janë armiqtë kryesorë, kurse kohabitimi me të keqën, dhe turli lloj zbutësish që vihën në udhën e amortizimit i hasim gjithandej, prandaj debati dështon vetvetiu.
Debati si mjet komunikues ngrit dhe relativizon shoqërinë, i bënë më të shlirët njerëzit, kurse mungesa e tij krijon nevoja per njerëz të dëgjueshëm, pa pasion, të gatshëm për lëvdata, me mendim të fshehur pa u përpjekur madje as që të krijojnë qëndrim personal ndaj çështjeve. Komode kjo, apo jo!? Do mundeshim edhe ne të sillemi si te atillë, por në fakt jo, disa gjëra janë me të lindur, në gjenetikë, në natyrën e njeriut – lindesh nuk bëhësh.
Debati i shëndoshë kurrë nuk është krijuar në trevat ku ne jetojmë e frymojmë, sepse ne kemi kaluar regjime që njeriun e lirë e kanë shtypur. Mjetet elektronike kanë dhënë shtysë, por ato janë banalizuar nën formatin e oportunitetit. Ju kujtohet Forumi i Malesisë i para dhjetë viteve. Ky forum ju sjellë ndër mend si sillemi gjatë fushatës. Kjo degjeneron gjuhën dhe kulturën e debatit.
Debati klasik përmes forumeve është përpjekje idealiste, e humbur dhe kurrë e përqafuar nga ne. Sepse, ne jemi për përshkallëzim, konflikt, përbaltje, refuzim, personalizim. Edhe kundrejt kësaj, disa nuk ngurrojnë, e thonë të vërtetën e tyre, por përsëri pa parametra preciz që i paraqet komunikologjia, raporti primar dhe njerëzor, ajo që na bën qenie shoqërore, që na sjellë në studimin tonë edhe antropologjik. Ne ende nuk kemi filluar të komunikojmë, thjesht mprehim instiktin tonë të fortë për mbijetesë, që nuk është gjë e gabuar shikuar nga prizmi i rrethanave ku jetojmë, pa vendosur në fokus qëllimin, strategjinë, raportet dhe përpjekjen për të munguarën.
Përveç debatit të munguar, ne na mungon edhe vëmendja, sepse kemi kapërcyer realitetet e një cikli të gjatë që do duhej të kalonim duke përbushur misionin civilizues, perëndimor. Por jo kushtimisht perëndimor, por gjithsesi për ne si të vetmin destinacion. Guximi humbet ku nuk ka debat, ku nuk ka interesim për çështje të përbashkta, ku nuk ka solidarizim. Ashtu siç falënderojmë dhe lavdrojmë arritjet në fusha tjera, duhet dhënë mirënjohje autorit dhe të shënjuarve të tij për angazhimin e tyre. Njeriu i lirë është i fortë e stoik, nuk asimilohet as nuk tjetërsohet, nuk qëndron apo sillet vërdallë duke kërkuar vetveten, i sigurt në bindjet e veta, ndanë me të tjerët të vërtetën e vet. I sigurt, kushtimisht!
Jam më se i bindur se emancipimi ynë, nuk arrihet me njerëz të robëruar, me mentalitet nënshtrues me pikpamje inferiore ndaj vetvetës, me pozicionim indiferent ndaj ngjarjeve, apo përmes komforit të heshtjes. Debati i munguar i autorit na fton me “zâ”, që ushton fort, në përafrimin tonë, kur mos të mendohet ndryshe, ne nuk ia dalim mbanë.
Nëse thumbohet, nuk dëshirohet të provokohet, thjesht të nxitet, nëse ironizohet nuk nënkupton përqeshje, kurse sarkazmi nuk çon rixha në radikalizim. Thjesht është thirrje dhe apel në ndreqje të gabimeve. Nga shoqëri që merremi me individin, prejardhjen gjenetike dhe familjare e cilësitë personale, mendoj se duhet të përqendrohemi tek fenomeni. Nëse e luftojmë dhe mundim fenomenin, ne do të tejkalojmë gjendjen e shoqerisë parapolitike. Autorët e nderuar të përmbledhur në këtë libër, flasin në simfoni, pavarësisht se nga cili vend janë, dhe autori sikur ka dashur të përmbledhë mendësinë unike rreth çështjeve të ndryshme.
Unë jam i bindur se ashtu siç bën feja, me të drejtë, e cila kategorizon njeriun pa e nëpërmkëmbur atë, dikujt i ofron Luvrin, Fatimen, Gvadalupen, kurse për ata që nuk mjaftohen-Shën Agustinin, Toma Akvinskin etj. Në kundërshtim me këtë, politika të ngopë përmes institucioneve publike dhe mjaftohesh me ca rrugë, ndërtesa, ndihma, subvencione. Masën e qetëson duke krijuar paqe sociale, kurse pjesën që e don më shumë gjendet para burimit të shterruar. Përmes debatit, krijohet një rreth vicioz nga i cili nuk del dot, sepse kërkon mallin e cilësisë së parë që është inovacioni, më shumë dinjitet, më shumë identitet, më shumë zjarr, më shumë hapësirë, më shumë gjetje, më shumë ide.
Në Malësi nuk ka debat, mungon ai, debati tek ne është i dhunshëm, gati primitiv, përjashtues dhe askurrë konstruktiv, degjeneron në fjalor dhe sjellje, ne madje nuk kemi as intelektualë, të cilët e duan të vërtetën, kemi grupe, klane të cilësisë së ulët dhe frikacakë që fshihën pas partishë, titujsh, dhe glorifikimeve të rrejshme dhe fiktive duke imponuar veten e tyre pa paraqitur vlera, por duke qëndruar shterp dhe duke u frikësuar nga vetja e tyre.
Autori i këtij libri me të përmbledhurit e tij nuk janë të tillë, ata nuk e presin momentin, nuk ia gjuajnë kohën, nuk e kanë për publicitet as çështje frymëzimi, por mision për të vërtetën. Ne na nevojitet e vërteta e atë e sjellë debati. Prandaj edhe na u servua kjo vepër, ku ne mund t’i vështrojmë autorët dhe t’i ballafaqojmë ata, sepse debati ose diskutimi është trajtim i një teme përmes një konfrontimi dialektik midis dy ose më shumë bashkëbiseduesve. Secila nga këto përfaqëson qëndrime, këndvështrime ose opinione të ndryshme (një shembull tipik në epokën bashkëkohore është debati televiziv publik midis disa bashkëbiseduesve në një shoqëri, për çështje civile, politike ose fetare e quajtur shpesh me termin anglisht “talk show”, i karakterizuar nga një kontradiktë ose një seri intervistash ose monologësh individualë. Marrë nga Wikipedia).
Jam i nderuar që z. Nail Draga, miku i të gjithë neve, krahu i djathtë yni në Ulqin, më ka zgjedhur si recensent dhe më ka ofruar mundësinë për të dhënë një vështrim mbi veprën “Debati i munguar”. Urojmë që autori i cili shkruan për të ardhmen, kurrë nuk do na mungojë me botime që na nderojnë, ruajnë dhe marrin nën përkujdesje, duke u distancuar sadopak nga harresa që sjellë kujtesa e cila nuk shkruhet.
