Datë e rëndësishme historike për Malësinë dhe pavarësinë e Shqipërisë

Tuz – 6 Prilli – Dita e Kryengritjes së Malësisë së vitit 1911, u përkujtua solemnisht në Tuz në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”.
Me një aktivitet kulturor-historik të organizuar nga Komuna e Tuzit, 111-vjetori i Kryengritjes së Malësisë risolli në kujtesë sakrificën atdhedashëse që dhanë paraardhësit tanë në mbrojtje të trojeve dhe në çlirimin e vendit.
Në këtë mbrëmje solemne në prezencën e një publiku të konsiderueshëm, zyrtarë, klerikë, e personalitete të fushave të ndryshme, pas intonimit të himnit kombëtar, moderatorja e mbrëmjes znj. Besiana Mehmeti, tha se me një organizim të tillë solemn kushtuar kësaj date, dëshmohet se historia jonë do të ruhet, dhe vetëm në këtë mënyrë do të çmohet e mbrohet identiteti kombëtar shqiptar.
Në të njëjtën kohë, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj në fjalën e rastit, duke theksuar rëndësinë e kësaj date, ndër të tjera tha se duhet respektuar dhe kujtuar e kaluara, “dhe të punojmë të bashkuar që të krijojmë të ardhme, për zhvillimin ekonomik të Malësisë”, tha Gjeloshaj.
Ndërkaq, Prof. Dr. Martin Berishaj shpalosi një historik të Malësisë përgjatë viteve 1911-2022 dhe foli për figurën gjithëkombëtare, Dedë Gjon Lulin.


Ai tha se viti 1911 ka qenë një ogur i mirë për Shqipërinë, “por kurrë nuk kishte pas Vlorë të vitit 1912, sikur të mos kishte qenë prehëri i pavarësisë së Shqipërisë, i bërë këtu në Deçiq me malësorë dhe me ata të cilët i dhanë përmbajtje lirisë”, tha Berishaj.
Prof. Dr. Martin Berishaj u shpreh se ne nga Kryengritja e Malësisë së vitit 1911 përfituam tre gjera: “E para është se treguam qe jemi zot shtëpie në shtëpi të vet, duke u dalë zot trojeve tona dhe kemi bërë atë që askush se kishte bërë para katërqind ose pesëqind vitesh kur e bëri Gjergj Kastrioti-Skendërbeu. Çështja e dytë ishte shumë e qartë, sepse inteligjenca shqiptare e kohës, ata të cilët e mbarësonin idenë e pavarësisë, ata vinin e faleshin këtu para malësorëve, dhe i lusnin malësorët që të vinin gisht për të fituar diçka më të madhe, diçka që më vonë do t’i thonë Shqipëri. Dhe çështja e tretë është se as shqiptarit të besimit ortodoks, as islam e as katolik, kur dilnin në front, nuk u shkruante në ballë, por të gjithë ata janë bashkuar tok për t’i dalë zot vendit të vet të cilin e kishin robëruar për pesëqind vjet”, u shpreh Berishaj.


Ai, më tej shpalosi disa nga synimet e mëtejshme të realizimit të interesave të popullit shqiptar në këto treva.
“Cilat janë ato kërkesa? Që të flitet shqip në organet shtetërore të vendit. A flitet shqip sot në Komunën e Tuzit? Po, flitet. A janë të gjithë formularët të shënuar në gjuhën shqipe? Jo. Pse? Nuk dimë.”, u shpreh ndër të tjera Berishaj.
Ndërkaq, mbrëmja solemne vijoi me një fragment nga kënga e njëzetetetë e Lahutës së Malcis, interpretuar nga regjisori Idriz Gjokaj.
Ky shënim solemn u përmbyll me atmosferën e ngrohtë agrëtuese të cilën e sollën këngëtarët, Shkodran Tolaj dhe Besiana Mehmeti, që me interpretimin e tyre mjeshtëror, u admiruan dhe duartrokitën nga të pranishmit në sallë.
Më heret gjatë po të njëjtës ditë, më 6 prill 2022, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe zyrtarë të tjerë të kësaj administrate, vizituan shtëpinë muze të Dedë Gjon Lulit në fshatin Bardhaj të Hotit, ku edhe vendosën kurorë lulesh tek busti i Dedë Gjon Lulit.
Ndërkaq, në këtë ditë Shoqata ,,Malësia e Madhe’’ – Michigan, përmes Zyrës për Bashkëpunim me Diasporën të Komunës së Tuzit, në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, ka ndarë 36 bursa për studentë nga Malësia – 10 bursa për studentë që studimet i ndjekin jashtë Malit të Zi, dhe 26 bursa për studentë që studiojnë brenda vendit.
Nga Komuna e Tuzit u njoftua se shuma totale që u nda për bursat në fjalë është 23 mijë e 600 dollarë amerikanë.
Në përkujtim të kësaj ditë të rëndësishme për Malësinë e Madhe, mu në Bratilë ku para 111 vitesh u ngrit flamuri kuq e zi, pranë Memorialit të Kryengritjes, me inicimin e Bashkësisë Lokale të Traboinit, financuar nga Shoqata “Jehona e Malësisë”- Michigan, u vendos flamuri gjigant kuq e zi, me lartësi 12 metra, ku morën pjesë përfaqësues të komunës, të shoqatës në fjalë dhe tashmë tradicionalisht për të bërë homazh, zyrtarë dhe aktivistë të Lidhjes Demokratike Shqiptare.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat